E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasil Bollano i pandehur për falsifikim

 

Trashgim Sokolaj

Kryetari i Bashkisë së Himarës Vasillaq Bollano merret i pandehur nga Prokuroria e Vlorës dhe dërgohet në gjyq me akuzat "shpërdorim detyre" dhe falsifikim dokumentesh". Lajmi konfirmohet nga Zyra e Shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas burimeve zyrtare, dosja ndaj kryebashkiakut të Himarës, është dërguar në Gjykatë me 7 dhjetor 2009. Në këtë procedim penal, Bollano është i pandehur bashkë me katër zyrtarë të tjerë të Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Himarë. Denoncimi ndaj kreut të Bashkisë së Himarës është bërë nga disa banorë të Jalës dhe Himarës të cilët kanë kallëzuar në prokurori abuzimin e pushtetit lokal me tokat dhe trojet në pronësi të tyre. Sipas burimeve personat që paraqitën kallëzim penal janë banorë të Himarës dhe të Jalës, konkretisht: Pirri Cali, Anastas Cali, Theodhori Veizi dhe Anastas Llaguri, të gjithë banues të qytetit të Himarës dhe Jalës. Sipas prokurorisë, Bollano është thirrur në Prokurori gjatë hetimeve paraprake por nuk ka preferuar të paraqitet asnjëherë. 
Hetimi
Menjëherë pas kallëzimeve nga qytetarët, prokuroria ka gjetur elementë të veprës penale në padi dhe ka vendosur të fillojë hetimet. "Nga hetimet e kryera, si dhe nga provat e mbledhura në këtë procedim penal, ka rezultuar e provuar se, nga ana e të dyshuarve janë kryer veprime në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës gjatë shqyrtimit dhe miratimit të disa lejeve për ndërtim në territorin e Himarës dhe Jalës", tha Prokuroria. Sipas saj, Prokuroria e Vlorës gjatë hetimeve të saj, ka provuar se Bollano me katër të akuzuarit tjerë, kanë miratuar leje për sheshe ndërtimi dhe leje ndërtimi në favor të personave që nuk kanë qenë pronarë të truallit. Në këtë mënyrë të pandehurit akuzohen se kanë cenuar të drejtën e pronësisë së pronarëve të tokës. Një tjetër shkelje e gjetur nga hetimi i Prokurorisë së Vlorës, është miratimi i lejeve për ndërtim ne zonat turistike, kur në ligjin për urbanistikën është sanksionuar se miratimi i lejeve të ndërtimit në zonat turistike është kompetencë vetëm e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës se Shqipërisë.
Falsifikimet
Prokuroria e Vlorës akuzon kryebashkiakun e Himarës Vasil Bollano për falsifikimin e procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Rregullimit të Territorit. Sipas burimeve zyrtare, Bollanio dhe të pandehurit tjerë, kanë miratuar leje për ndërtim për dy ose tre kate banimi me vendim të K.Rr.T-së të Bashkisë Himarë. Ndërkohë nga hetimet është konfirmuar se zbardhja e këtyre vendimeve nga shtetasi Vasillaq Bollano në cilësinë e Kryetarit të K.Rr.T-së, është bërë për tre ose katër kate banimi, duke falsifikuar të dhënat e formularëve të lejeve, si dhe duke  falsifikuar nëpërmjet ndërhyrjeve mekanike procesverbalet e mbledhjeve të K.Rr.T-se së Bashkisë Himarë. Sipas akuzës, në këtë bashki janë miratuar leje për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, në kundërshtim me nenin 77 të ligjit për urbanistiken, ku thuhet se është lejuar miratimi i lejeve për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, por vetëm për objektet e ndërtuara para vitit 1998, vit në të cilin ka hyrë në fuqi ligji për urbanistiken. "Lejet në këto raste janë miratuar për objekte të ndërtuara në vitet 2004-2005 dhe 2006-2007", tha Prokuroria. Sipas saj, abuzimet kanë vazhduar më tej me miratimin e lejeve për shesh ndërtimi dhe leje për ndërtim në zona jashtë vijës së verdhë të qytetit të Himarës. Këto leje kanë pasur të bëjnë me raste që janë miratuar pa një studim urbanistik të miratuar për truallin ku janë dhënë.

Të pandehurit

1. Vasillaq Bollano
Kryetar i Këshillit te Rregullimit te Territorit pranë Bashkisë Himare dhe njëkohësisht Kryetar i kësaj Bashkie
2. Polimer Ruci
Sekretar i Këshillit te Rregullimit te Territorit pranë Bashkisë Himare dhe njëkohësisht Drejtor i Zyrës se Urbanistikes pranë kësaj Bashkie gjate viteve 2005-2008
3. Leonard Hysi
Sekretar i Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Himarë dhe njëkohësisht Drejtor i Zyrës së Urbanistikës pranë kësaj Bashkie
4. Eugen Gjyzari
Jurist i Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Himarë
5. Tatjana Dhima
Sekretare e Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Himarë gjatë viteve 2005-2008

Bollano u dënua 6 muaj burg për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe

TIRANE - Kryebashkiaku i Himarës Vasil Bollano përballet për herë të dytë me Gjykatën pasi në 20 prill 2009, Prokuroria e Vlorës kërkoi dënimin e tij ndërsa gjykata e shpalli fajtor dhe e ndëshkoi me 6 muaj burg dhe 500 mijë lekë gjobë për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe. Gjyqtari i çështjes Shkëlzen Selimi ka deklaruar në seancën e vendimit se Vasil Bollano ka dhënë urdhra të paligjshëm për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe vendosur në Himarë. Prokurori i çështjes Sokol Malaj në pretencën e tij pasi ka paraqitur provat e grumbulluara gjatë hetimeve si dhe faktet e prezantuara në gjykim, kërkoi një vit burg për kryebashkiakun e Himarës. Gjykata ndërkohë e shpalli fajtor atë dhe më pas e dënoi me gjashtë muaj e 500 mijë lekë gjobë duke vlerësuar se provat e mbledhura nga prokuroria provonin veprimet e paligjshme të kryera nga i pandehuri. Gjykata në deklarimin e vendimit i konsideroi të drejta qëndrimet e Prokurorisë gjatë procesit ndërsa kërkesat e avokatit të Bollanos janë vlerësuar si të paligjshme. Çështja penale filloi pas heqjes së tabelave sinjalizuese dhe kufizuese të vendosura në aksin Qeparo-Llogara. Tabelat e vendosur në këtë zonë ishin shkruar në gjuhë shqipe ndërsa Vasil Bollano urdhëroi punonjës të Bashkisë së Himarës të kryenin heqjen e tyre me anë të shkatërrimit nga vendi ku ato ishin fiksuar. Prokuroria e Vlorës gjatë hetimeve të saj kreu veprime hetimore që provuan se me shembjen e tabelave në gjuhën shqipe, kryebashkiaku i Himarës Bollano kishte shkaktuar një dëm prej 21 milionë lekë në buxhetin e shtetit. Shkulja e tabelave nga vendet ku ato ishin vendosur ra në sy të banorëve të zonës si dhe të turistëve të shumtë. Ndërkohë prokuroria dokumentoi autorësinë e shembjes së tabelave me anë të dëshmitarëve dhe provave dokumentare që tregonin se gjithçka ishte kryer me urdhër nga Vasil Bollano i cili kishte vepruar përmes policisë bashkiake të Himarës duke hedhur përtokë e duke shkatërruar tabelat në gjuhën shqipe.

Kreu i Komunës Novoselë, Llanaj merret i pandehur 
VLORE - Prokuroria ka dërguar në Gjykatë si të pandehur edhe kryetarin e Komunës Novoselë të Vlorës, Rait Llanaj, bashkë me shtetasit Eduart Beqiraj dhe Shuaip Troka. Sipas burimeve zyrtare nga organi i akuzës, këta persona kanë vepruar në kundërshtim me ligjin në kohën kur Rait Llanaj si Kryetar Komunë ka dhënë leje për administrimin e shpërndarjes së dheut në një zonë të komunës. Sipas Prokurorisë, ky vendim është dhënë në kundërshtim me ligjin, pasi i vetmi autoritet i ngarkuar me ligj për ekzekutimin e një urdhri të tillë është Ministri i linjës i cili mund të kontraktojë subjektet për shfrytëzimin e karrierave të dheut.Sipas akuzës, KRRT e Komunës Novosele ka miratuar dy leje ndërtimi për e dy objekteve në territorin e Komunës Novoselë në datat 25 shkurt 2008 dhe 28 gusht 2007 nga ku rezultoi se të dy këto objekte janë ndërtuar mbi troje që ndodhen jashtë vijës së verdhë të Komunës Novoselë. Prokuroria tha se nga hetimet ka rezultuar se një nga objektet është ngritur në një tokë e cila sipas nenit 6 te ligjit nr. 8405, datë 17.09.1998 nuk mund të tjetërsohej në truall. "Në rastin konkret objekti është ndërtuar në një tokë të kategorisë së 4-tër të parashikuar çka është në kundërshtim me ligjin", tha akuza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›