E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katolikët e mirë dhe të tjerët

Edi Lesi 

Lehtësia me të cilën mund të akuzohet zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë është shqetësuese. Dhe kur këtë e bën kryetari i Partisë Demokristiane, është më shumë. Është nervangritëse. Në shtypin e djeshëm, në fakt vetëm në dy gazeta, ka zënë vend një deklaratë e Nard Ndokës, i cili thotë se zëdhënësi i institucionit më të lartë katolik në vend, është përdorur nga politika. Kështu, kryedemokristiani, akuzon rëndë një përfaqësues të lartë të Kishës Katolike në vend. Kush nuk i di detajet, mund të habitet.
Kronika për çfarë ka ndodhur është e thjeshtë. Para pak kohësh, kreu i PDK-së, Ndoka, i shkruan një letër Vatikanit, ku denoncon Sali Berishën se ka lënë katolikët jashtë përfaqësimit qeveritar. Mirëpo, “letër Vatikanit” është një element i  mjaftueshëm që të bëhet zhurmë në media. Kësisoj, tituj pas titujsh, u ngrit një vorbull ku spekulimi gjen terren.
Kisha Katolike nuk ka se si të kundrojë nga larg këto gjëra dhe të bëjë sikur s’ka ndodhur gjë. Kështu që ishte me vend një deklaratë. Zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvnore thotë se katolikët në Shqipëri nuk mund të përfaqësohen nga një parti politike, duke bërë të qartë gjithaq, se Kisha nuk ndërhyn në rendin kushtetues, programor, apo politik të vendit. Kaq mjafton që kreu i PDK-së të dalë e të thotë publikisht se zëdhënësi i Kishës është i përdorur nga politika.
Personalisht nuk mund të rri pa reaguar në këtë histori për dy arsye. E para, sepse e njoh personalisht zëdhënësin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, dom Gjergj Metën. Njoh integritetin e tij, devotshmërinë, dhe pamundësinë për ta përdorur atë, nga çdokush, aq më pak nga politika. Është e pabesueshme se si mund të fyhet me këtë kollajllëk personaliteti i një njeriu. Nga ana tjetër, Gjergj Meta është caktuar nga Konferenca në këtë detyrë. Duke sulmuar atë, zoti Ndoka në fakt godet drejtpërdrejt Kishën për zgjedhjen që ka bërë. Duhet sqaruar se në këtë rast, dom Gjergji me deklaratën e tij nuk ka mbajtur qëndrime personale.
Arsyeja e dytë, ka të bëjë me vetë deklaratën. Nëse di ta lexosh, ose nëse nuk je i kapluar nga emocionet politike, aty nuk gjen asgjë për të mos rënë dakord, edhe nëse je kreu i PDK-së. Deklarata thotë se katolikët nuk mund të përfaqësohen nga një parti politike. Si mund të jetë ndryshe. Katolikët në këtë vend përfaqësohen nga Kisha, në aspektin shpirtëror që është më thelbësori. Nëse bëhet fjalë për përfaqësim politik, Shqipëria është një vend i lirë ku sekush mund të zgjedhë partinë që dëshiron. Dhe këtu, deklarata e Gjergj Metës e bën të qartë se Kisha nuk ndërhyn.
Mirëpo, a mund të ndodhte që një parti demokristiane të ishte formacioni udhëheqës politik i të krishterëve romanë. Sigurisht që po. Në realitetin tonë, PDK ka dështuar ta bëjë këtë gjë. Më së pari, sepse ne nuk patëm dhe nuk gjetëm dot një De Gasper. I cili do të mund të frymëzonte katolikët, me programin, idetë dhe veçanërisht me dijet e tij të thella.
Ne nuk njohëm ende një De Gaspër që me idealet, forcën dhe parimet e tij të na bënte të besonim se katolikët, si qytetarë, taksapagues dhe votues në këtë vend, t’i shkonin atij pas në pyllin politik të vendit.
Ajo çfarë kemi njohur si forcë demokristiane ka qenë gjithnjë, një nga partitë e shumta të Shqipërisë, një ndërthurje njerëzish që me përvojën dhe mënyrën se si ka funksionuar të kujton prore titullin e filmit, “Toma dhe shokët e tij”. Këtu në fakt bën përjashtim rasti kur PDK-në e drejtonte Nikollë Lesi, i cili manifestoi se mbeti idealist aq sa mundi, derisa u largua me vullnetin e tij.
Ndoka thotë në letrën drejtuar Vatikanit, se katolikët janë lënë jashtë qeverisë. Ka një të vërtetë këtu. Ashtu është. Asnjë ministër katolik nuk ka sot në ekzekutiv. Por zgjedhja e anëtarëve të kabinetit është një prerogativë ekskluzive e Kryeministrit, e pakondicionuar nga ligje, apo kritere të tjera detyruese. Çfarë kanë në dorë katolikët është ta votojnë ose jo një parti që sillet kësisoj. Ata nuk mund të kërkojnë  përfaqësim vetëm sepse i përkasin këtij besimi fetar. Po të ndodhë që në një konkurs për një post publik, një katolik nuk fiton për shkak të përkatësisë së tij, kjo do të ishte shqetësuese dhe për t’u denoncuar.
Mospërfaqësimi në qeveri është tjetër gjë. Nuk është e këndshme padyshim, por vjen së pari ngaqë katolikët dhe demokristianët vetë kanë dështuar në militimin e tyre gjithë këto vite. Dhe më e keqja është se në politikën shqiptare deri më tani nuk kanë qenë prezent katolikët e mirë. Por arrivistët, ambiciozët e pa fre, karrieristët që kanë qenë të gatshëm të bëjnë gjithçka jo për besimin e tyre, por për interesa gjithfarësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›