Braktisja e shtëpive muzeale, në rrezik vlerat
BERAT -Periudha e gjatë e reshjeve ka krijuar probleme jo vetëm në të dy muzeumet kombëtare të Beratit, por edhe në banesat, pronarët e të cilave kanë emigruar jashtë shtetit apo janë larguar drejt Tiranës. Sipas specialistëve, edhe pse përgjithësisht gjendja e të dy muzeumeve aktualisht është e mirë, shirat e pandërprera për ditë me radhë kanë krijuar probleme si në ndërtesën e Muzeut Ikonografik Kombëtar "Onufri", ashtu edhe në atë Etnografik. Problemet e konstatuara bëhen me dije edhe nga Drejtori i Muzeumeve, Kastriot Dervishi, i cili në një prononcim për "Gazeta Shqiptare" ka pohuar se shirat e kohëve të fundit, midis të tjerash kanë bërë që të bien dy mure mbajtës të Muzeut Etnografik, të cilët janë ribërë, "por unë kërkoj një ndërhyrje më profesionale pasi Muzeu Etnografik është një banesë 350- vjeçare dhe si e tillë kërkon ndërhyrje më të specializuar. Nuk mund të ndërhyjnë firmat e çfarëdolloji në këto punë. Punimet në këto lloj objektesh mund dhe duhet të bëhen nga specialistët më të mirë të vendit, pasi restaurimi ka të bëjë jo thjesht me ribërjen në tërësi të pjesës së dëmtuar, por me ruajtjen e vlerave të trashëguara", - ka argumentuar Dervishi. Duke folur për Muzeun Ikonografik Kombëtar "Onufri", Dervishi ka thënë se ky objekt ka shfaqur probleme në pjesën ku bashkohet çatia me kupolat. Brenda ambienteve janë konstatuar probleme me lagështirën ndaj edhe këtu kërkohet një ndërhyrje tepër e specializuar me qëllim që pjesa e çatisë, të bëhet me plumb dhe të rivishet e gjitha edhe njëherë me kartoserë. Sipas tij, "çatia e Muzeut 'Onufri' është bërë përpara 30 vjetësh dha tani ajo kërkon një ndërhyrje tjetër, pasi futja e lagështirës nga sipër shkakton dëme që nuk duken me sy në objektet që ruhen brenda tij. Kjo është punë e specialistëve, të cilët pas matjes me aparaturat përkatëse kanë konstatuar probleme". Në të dy muzeumet janë rreh 1100 vepra si: ikona, objekte liturgjike, kostume kombëtare, ornamente etj.
Berati njihet si qytet muze dhe tashmë është pjesë e vlerave botërore të kulturës UNESCO. Por, edhe pse ka dalë nga faza e emergjencës, kërkon përsosmëri dhe ndërhyrje në ambientet e brendshme duke u futur në brendësi të vlerave që mbartin shtëpitë muzeale të qytetit. Por, kjo ndërhyrje nuk duhet t'u lihet në dorë qytetarëve, ata nuk duhet të ndërhyjnë për të kryer punime në vlerat që mbartin banesat e tyre.
(d.b/BalkanWeb)
Berati njihet si qytet muze dhe tashmë është pjesë e vlerave botërore të kulturës UNESCO. Por, edhe pse ka dalë nga faza e emergjencës, kërkon përsosmëri dhe ndërhyrje në ambientet e brendshme duke u futur në brendësi të vlerave që mbartin shtëpitë muzeale të qytetit. Por, kjo ndërhyrje nuk duhet t'u lihet në dorë qytetarëve, ata nuk duhet të ndërhyjnë për të kryer punime në vlerat që mbartin banesat e tyre.
(d.b/BalkanWeb)