E Diel, 1 Nëntor 2026

MSH, marrëveshje me spitalet e vendeve fqinje për kurimin e pacientëve

Nisma e ministres Godo për shtrimin e pacientëve shqiptarë në spitalet e huaja. Rriten kërkesat për kurim më të specializuar në shtete të ndryshme

Emanuela Sako

Nisma më e fundit e Ministrisë së Shëndetësisë është për shtimin e listës së spitaleve të vendeve fqinje që do të presin pacientë shqiptarë. Në bazë të kësaj nisme do të rritet edhe numri i pacientëve që do të shkojnë për kurim jashtë vendit. Burime nga Ministria e Shëndetësisë sqarojnë se ministrja Godo do të realizojë disa marrëveshje bashkëpunimi për t’u krijuar mundësinë pacientëve shqiptarë që të kurohen jashtë vendit, në klinika të specializuara. Sëmundjet që do të kurohen në spitalet e huaja do të jenë të llojeve të ndryshme, sipas marrëveshjeve që do të kryhen. Ndërkohë është menduar edhe për rrethet e largëta të vendit, të cilat do të bashkëpunojnë me spitalet e vendeve fqinje më të afërta për të pritur pacientët, të cilët kanë më afër shtetet fqinje sesa Tiranën. E tillë ishte marrëveshja e fundit me Maqedoninë për kurimin e pacientëve me hemodializë në Spitalin e Ohrit dhe të Strugës. Po kështu, do të veprohet edhe me vendet fqinje për disa sëmundje të tjera që kërkojnë kurim të vazhdueshëm. Ministrja Godo ka deklaruar se buxheti për vitin 2009 do të jetë më i madhi i dhënë ndonjëherë për MSH-në. Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e tij do të investohet për çështjen e kurimit të pacientëve jashtë vendit.
Nisma
Nisma e Ministres është bërë në kuadrin e shtimit të bashkëpunimit me spitalet e vendeve fqinje, për t’u mundësuar pacientëve më shumë mundësi kurimi të specializuar në spitalet më të afërta të vendeve fqinje. Po kështu, nëse Turqia pranon më tepër se 100 pacientë në vit, Greqia 35 pacientë në vit dhe Maqedonia 20 pacientë që kryejnë dializën, atëherë këto shifra do të shtohen duke nisur bashkëpunime të tjera me spitalet e vendeve të tjera. Në takimet me përfaqësues të huaj të vendeve fqinje, një pjesë e rëndësishme e diskutimeve do të jetë dhe për pritjen e pacientëve shqiptarë në vendet e huaja.
Spitalet
Numri i pacientëve shqiptarë që e kanë të domosdoshëm kurimin jashtë vendit ka ardhur në rritje. Kjo për faktin se shumë sëmundje mund të kurohen në mënyrë më të specializuar jashtë vendit. Shumë prej tyre i drejtohen Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa mjaft të tjerë shkojnë në rrugë private në shtetet përkatëse. Një pjesë e pacientëve kërkojnë të kurohen jashtë vendit sepse spitalet tona nuk e ofrojnë atë shërbim, siç është rasti i transplantimit të veshkave etj. apo sepse nuk kanë besim në shërbimin që u ofrohet brenda vendit. Aktualisht, vendi ynë ka marrëveshje me Greqinë dhe Turqinë, të cilat presin një numër të konsiderueshëm pacientësh me probleme të ndryshme shëndetësore. Po kështu, një marrëveshje tjetër është me Maqedoninë për ata që duhet të kryejnë dializën, si dhe një marrëveshje me Italinë për fëmijët e sëmurë. Kësaj liste të spitaleve të huaja pritet t’i shtohen disa të tjera në saje të marrëveshjeve me vendet e huaja që do të shprehin gatishmërinë të presin më tepër pacientë.

18 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›