E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullat e reja për marrjen e diplomës për gradën “Doktor”

Çfarë do të ndodhë me dosjet e aplikantëve të vjetër. Afati për paraqitjen e punimeve deri më 31 dhjetor

Jonida Tashi

Përcaktohen rregullat e reja për marrjen e diplomës për gradën shkencore “Doktor”. Vendimi i marrë pak kohë më parë nga qeveria, për ndryshimin e ligjit të mëparshëm, specifikon kushtet që duhet të plotësohen për mbrojtjen e diplomës për gradën “Doktor”. Afati i fundit për dorëzimin e punimeve të nevojshme pranë dekanatit të fakultetit, ku do të mbrohet diploma për gradën “Doktor”, është data 31 dhjetor e këtij viti. Gjatë vitit akademik 2008-2009, studimet për marrjen e gradës “Doktor” do të mund t’i ndjekin jo vetëm të interesuarit që do të regjistrohen për herë të parë, por edhe aplikantët e viteve të mëparshme. Këtyre të fundit, si pasojë e ndryshimit të vendimit për mbrojtjen e diplomës për gradën “Doktor”, iu pezulluan studimet e nisura për arsye se duhet të plotësonin rregullat e reja të miratuara. Vendimi i ndryshuar i Këshillit të Ministrave u miratua në zbatim të ligjit “Për Arsimin e Lartë”, që, sipas Ministrisë së Arsimit, synon rritjen e cilësisë së studimeve të doktoratës, në përputhje me kërkesat e Kartës së Bolonjës. Përveç kësaj, ky vendim parashikon edhe një pjesëmarrje më të madhe të profesoratit të fakulteteve në shqyrtimin e disertacioneve të doktoratës, përpara mbrojtjes së tyre në juri ose komision, si një parakusht i rëndësishëm për rritjen e cilësisë së doktoratave. Kështu, sipas vendimit të ri, udhëheqësi shkencor i studentit, në një program studimi të doktoratës, duhet të ketë, së paku gradën shkencore “Doktor”, të fituar në universitete perëndimore. Numri i studentëve të udhëhequr njëkohësisht nga një udhëheqës përcaktohet në rregulloret e institucionit, sipas propozimit të këshillave të profesorëve të njësive kryesore përkatëse. Hyrja në fuqi e vendimit në dhjetor të vitit 2007 i gjeti një numër të madh doktorantësh në fazën e fundit të studimeve të doktoratës. Ky grup i doktorantëve kishte plotësuar kriteret dhe detyrimet që parashikonte vendimi i mëparshëm dhe nuk kishte kohë të mjaftueshme për të plotësuar edhe kriteret e tjera që parashikonte pika 5 e vendimit të ri, lidhur me botimet dhe referimet shkencore.
Kushtet
Sakaq, në pikën 5 të vendimit të qeverisë, datë 5.12.2007, për hapjen e programeve të studimeve të doktoratës në institucionet publike të arsimit të lartë dhe përcaktimin e kushteve, që duhet të plotësojë studenti për marrjen e diplomës për gradën shkencore “Doktor”, janë përcaktuar tre kushtet kryesore që studenti duhet t’i ketë plotësuar gjatë periudhës së studimeve të doktoratës, përpara paraqitjes në provimin e doktoratës. Kështu, kushti i parë që duhet të plotësojë një student para mbrojtjes së diplomës për gradën “Doktor” është të ketë realizuar, së paku, tre referime ose paraqitje (poster) shkencore, nga të cilat një referim ose paraqitje duhet të jetë mbajtur në një veprimtari shkencore ndërkombëtare (simpozium, konferencë, kongres) i pranuar në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe i botuar në (Proceedings), të indeksuar me kod ISBN-je. Kushti i dytë për marrjen e kësaj grade shkencore është që aplikuesi të ketë botuar, si autor i parë, së paku tre artikuj shkencorë në revista shkencore. Nga këta tre artikuj, së paku njëri prej tyre duhet të jetë botuar ose pranuar për botim në një revistë shkencore ndërkombëtare, me bord editorial. Ndërsa kushti i tretë është që duhet të ketë përgatitur dhe paraqitur në Këshillin e Profesorëve të Fakultetit, disertacionin, së bashku me një përmbledhje, të miratuar nga udhëheqësi shkencor. Struktura e disertacionit dhe e përmbledhjes së tij përcaktohen në rregulloren e studimeve të doktoratës.
Ndryshimet
Ndryshimet që u miratuan në vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave synojnë t’i krijojnë mundësi grupit të doktorantëve të regjistruar deri më 31 dhjetor 2005 të përfundojnë studimet e doktoratës, duke ndjekur procedurën e re që parashikon vendimi i Këshillit të Ministrave si dhe që disertacionet të dorëzohen në dekanat deri më 31.12.2008. Kandidatët e tjerë të regjistruar pas datës 1 janar 2006 do t’i përfundojnë studimet e doktoratës në bazë të programit të studimeve me të cilin i kanë filluar ato dhe duhet të plotësojnë edhe kërkesat e pikës 5 të Vendimit Nr. 864, datë 5.12.2007, të cilat nuk kanë të bëjnë me programin e studimit, por thjesht me botimet dhe referimet që duhet të realizojnë kandidatët përpara mbrojtjes së disertacionit. Ky grup kandidatësh ka kohën e mjaftueshme (mbi 1 vit) për të plotësuar këto kërkesa. Kandidatët që janë regjistruar në studimet e doktoratës pas hyrjes në fuqi të Vendimit Nr. 864 të Këshillit të Ministrave, datë 5.12.2007, do t’i vijojnë ato në përputhje me programet e reja të studimit që parashikon ligji si dhe kërkesat e procedurat e reja që parashikon ky vendim.
Përfundimi
Studentët, që ndjekin studimet e doktoratës, kanë plotësuar kërkesat e Vendimit Nr.786, datë 17.12.1998 të Këshillit të Ministrave “Për kualifikimin shkencor, pasuniversitar dhe për klasifikimin e punonjësve, pedagogjikë e kërkimorë”, të ndryshuar dhe që përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi kanë dorëzuar dosjen me dokumentacionin e kërkuar, ku përfshihet edhe disertacioni i doktoratës, sipas vendimit të ri do ta mbrojnë disertacionin në ciklin e rregullt, sipas procedurave të parashikuara në atë vendim. Studentët e tjerë, që ndjekin studimet e doktoratës, por që nuk kanë dorëzuar disertacionin e doktoratës deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do t’i vazhdojnë ato në ciklin e rregullt, sipas Vendimit Nr.786, datë 17.12.1998, të Këshillit të Ministrave “Për kualifikimin shkencor pasuniversitar dhe për klasifikimin e punonjësve, pedagogjikë e kërkimorë”, të ndryshuar, por do të plotësojnë kriteret e pikës 5 të këtij vendimi për mbrojtjen e doktoratës. Të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë, që ofrojnë programe të studimeve të doktoratës, sipas Ligjit Nr.8461, datë 25.2.1999, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, duhet të riorganizojnë strukturimin e këtyre programeve, sipas kërkesave dhe standardeve të parashikuara në Ligjin Nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në këtë vendim, dhe duhet të paraqesin, për rivlerësim dhe miratim, sipas këtij vendimi, këto programe studimesh e, nëse nuk arrijnë miratimin, ato nuk do të marrin kuota të reja studimi. Institucionet publike të arsimit të lartë nuk mund të pranojnë studentë të rinj në studimet e doktoratës deri në miratimin e tyre sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në këtë vendim dhe në Ligjin Nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Pika 5 e vendimit të ri që duhet të zbatohet për punimet
Gjatë periudhës së studimeve të doktoratës, përpara paraqitjes në provimin e doktoratës, studenti duhet të ketë plotësuar kushtet e mëposhtme:

Të ketë realizuar, së paku, tre referime ose paraqitje (poster) shkencore, nga të cilat një referim ose paraqitje duhet të jetë mbajtur në një veprimtari shkencore ndërkombëtare (simpozium, konferencë, kongres) i pranuar në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe i botuar në “Proceedings”, të indeksuar me kod ISBN-je;

Të ketë botuar, si autor i parë, së paku tre artikuj shkencorë në revista shkencore. Së paku, njëri prej artikujve duhet të jetë botuar ose pranuar për botim në një revistë shkencore ndërkombëtare, me bord editorial;

Të ketë përgatitur dhe paraqitur në Këshillin e Profesorëve të fakultetit disertacionin, së bashku me një përmbledhje, të miratuar nga udhëheqësi shkencor. Struktura e disertacionit dhe e përmbledhjes së tij përcaktohen në rregulloren e studimeve të doktoratës.

18 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›