Besa, koha për të vërtetuar kualitetin e saj
Kavajasit nuk kanë bindur deri tani, edhe pse në përbërje kanë futbollistë kampionë të superligës
Treguesit e 5 javëve të para nuk i shkojnë aspak për shtat një ekipi si Besa, që mendohet të jetë violinë e parë në kategorinë e parë. Kavajasit kanë pësuar çuditërisht 2 humbje në këto javë, madje njërën në fushën e tyre, ku javën e fundit arritën të fitonin me vështirësi ndaj Vlorës, duke shënuar një gol në minutën e fundit me Dhëmbin.
Gjërat nuk kanë shkuar mbarë deri tani, por kavajasit kanë qenë disi me fat, sepse rivalët nuk janë shkëputur shumë. Besa është vetëm 3 pikë prapa vendit të parë, që mbahet nga Besëlidhja, një diferencë kjo e papërfillshme, duke ditur se kampionati është ende në fillim të rrugës së tij të gjatë. Kavajasit, me futbollistë nga më të spikaturit sezonet e fundit dhe me trofe të fituara, pritet të gjejnë shumë shpejt vendin e tyre në tabelë, që do të thotë vendi i parë.
Ekipit të drejtuar nga trajneri Magani, edhe ky mjaft i kualifikuar dhe i shpallur nënkampion me Flamurtarin në superligë sezonin që shkoi, i duhet të tregojë tani se është në gjendje të bëjë diferencën në kategorinë e parë, nisur nga grupi që ka, ku bëjnë pjesë emra si Poçi, Dhëmbi, Mihani, Bubeqi, Bakaj etj.
Himara Dy transferta ka luajtur deri tani Besa, por në asnjërën prej tyre nuk ka mundur të fitojë, ndaj dhe nuk është në krye tani. Kavajasit kanë barazuar në fushën e Adës dhe janë mundur në fushën e Mamurrasit, çka do të thotë se duhet të djersish shumë për të fituar jashtë fushe në kategorinë e parë. Duhet gjithashtu grintë dhe përqendrim, sepse nuk mjafton vetëm kualiteti I grupit të lojtarëve.
Ndeshja e sotme me Himarën është shansi që Besa të tregojë se vërtet është ai ekip, që të gjithë kanë menduar para nisjes së kampionatit. Pra, ka ardhur koha që kavajasit të shfaqin të gjithë potencialin e tyre në fushën e Himarës, që natyrisht nuk është për tu nënvlerësuar. Përkundrazi, ajo meriton vlerësim maksimal, sepse ka në gjirin e saj futbollistë të shkollës vlonjate.