Braun "humbet" rrugën në kështjellën Uindsor
Downing Street ka insistuar se Gordon Braun thjesht "ka bërë atë që i kishin thënë të bënte", pasi u duk sikur humbi gjatë darkës shtetërore të shtruar në kështjellën Uindsor, në nder të Presidentit Nikolas Sarkozi. Kryeministri dhe Presidenti francez ishin mes 150 miqve të ftuar në banketin e hollit të Shën Xhorxhit në Kështjellën Uindsor. Në pamjet e transmetuara edhe në televizion, Mbretëresha mund të dëgjohet teksa i thotë princeshës Anë: "Kryeministri ka humbur. U zhduk në mënyrën e gabuar, në një moment të rëndësishëm". Numri 10 thotë se Kryeministri bën atë që i thuhet në të tilla okazione. Një zëdhënës shton: "Unë nuk mendoj se kjo është diçka që e ka shqetësuar atë". Presidenti Sarkozi u ul mes Mbretëreshës dhe dukeshës së Kornuellit, ndërsa bashkëshortja e tij, Karla, u ul në anën tjetër të tryezës. Braun duhej të ulej përballë, por duke gjykuar nga komentet e Mbretëreshës, të "vjedhura" nga mikrofonat e televizioneve, duhet të ketë mbërritur në vendin e tij me vonesë. Një zëdhënës i Buckingam Palace tha se nuk do të bëhej asnjë koment për biseda të tilla private. Por ai shtoi: "Problemi i vogël me Kryeministrin nuk ishte aspak domethënës dhe nuk kishte asnjë pasojë në këtë ceremoni". Lideri konservator, Dejvid Kameron, dhe ai liberaldemokrat, Nik Klegg, ishin gjithashtu të pranishëm në banket, ku miqtë e të ftuarit shijuan gatime të rralla të shoqëruara me verë dhe shampanjë pa fund.