Bravo, “druzhe” Koshtunica!...
• Martin LekaIsmail Kadare, shkrimtari ynë i shquar, një përkrahës i pashembullt i çështjes shqiptare dhe Kosovës në veçanti, na e “mbylli” gojën, kur pyetjes se si e përjetonte shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, i’u përgjigj me përmasat që vetëm një si ai i ka: “Gjuha është e pastërvitur për të folur për të tilla ngjarje…” 17 Janari pra, dita e djeshme, do të mbetet përjetësisht si një datë e shënuar në kalendarin tonë politik e festiv. Pas rreth një shekulli pritjeje të gjatë, vuajtje e qëndrese, sakrifice e force, rreziku dhe shprese, pas një lumi gjaku të derdhur për t’u çliruar nga vargonjtë e robërimit serb, më në fund erdhi dita e shumëpritur: që dje, botës i është shtuar edhe një shtet i ri, më i riu: Republika e Pavarur e Kosovës! Për të mos bërë historinë e gjatë, kjo që ndodhi dje ka plot protagonistë, më i madhi prej të cilëve është vetë populli i Kosovës. Jashari e Rugova, janë padyshim dy prej simboleve kosovare që përmbledhin përpjekjet e sakrificat e një populli të tërë, përmes rezistencës paqësore dhe luftës çlirimtare. ‘Bac, u kry”, është shprehja më e madhe dhe e vetëdijshme e mirënjohjes për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Akti i djeshëm zyrtar i shpalljes ...së Pavarësisë së Kosovës u shoqërua me festime madhështore në Kosovë e qytete të tjera të saj, po ashtu në Tiranë e kudo. Festimet paqësore masive kanë treguar jo pak për civilizimin dhe qytetarinë e shoqërisë shqiptare. Një tregues më tepër se sa shumë e kanë merituar kosovarët e shqiptarët shtetin e tyre të ri, Republikën e Kosovës. Po fundja, pse kanë rëndësi të gjitha këto?! Sepse në çdo zemër shqiptari e atdhetari dje ka pasur një festë të madhe. Një dinjitet që vetëm një popull qytetar dhe kurajoz mund ta ketë!***Por, fqinji i shtetit të Kosovës, Serbia, ka treguar dje fytyrën e vërtetë të mbeturinave të regjimit të vjetër, mbeturina që ende kanë mbetur në gjirizet e Beogradit. Nacionalistë të dhunshëm, pak në numër, por shumë të dhunshëm, kanë gjetur këtë mënyrë për të shfryrë dufin e tyre kundër shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ata kanë sulmuar me mjete të forta policinë serbe, në mbrojtje të rendit e qetësisë. Ata kanë pasur si pikë sulmi ambasadën amerikane në Beograd. Më pas, u janë sulur objekteve të tjera. Madje, është për të qeshur me atë çoroditje të këtyre protestuesve të dhunshëm, kur disa prej tyre, kanë hipur mbi një shtyllë semafori dhe e godisnin atë me të gjithë forcën, si të ishte ndonjë ushtar i perëndimit?!E gjithë situata e dhunës në Beograd, kishte si pikënisje deklaratat provokuese të kryepeshkopit serb apo të kryeministrit të Kosovës, Koshtunica. Ndërsa për të parin nuk kemi ç’të themi (duhet të jetë i pafe, ndjena Zot(!), për të dytin, kemi plot të themi. Sepse është kryeministër i Serbisë dhe duhet të mbrojë interesat e qytetarëve serbë, jo thjesht të një grupi nacionalist. Koshtunica njihet mirë si një radikal nacionalist. Në memoriet tona, të njerëzve që merren me shtypin e median në përgjithësi, ai është politikani që me automatik në dorë, pozonte përkrah forcave gjakatare e barbare nacionaliste që për udhëheqës kishin Arkanin dhe për simbol Karagjeorgjevicin. Ky shoku Koshtunica, e di fare mirë se e ka humbur Kosovën, madje jo vetëm dje e ka marrë vesh këtë gjë, por prej kohësh ai e di këtë gjë. Çështja është se ai nuk ka pasur dhe nuk ka kurajë për ta pranuar këtë realitet. Ai nuk mund të pranojë këtë realitet për paranojën e tij dhe të keqen e qytetarëve serbë. Koshtunica dhe ata pak nacionalistë, nuk mund ta kuptojnë se kjo që ndodhi dje në Kosovë, shteti më i ri i shpallur më 17 Janar 2008, është një perspektivë edhe për vetë Serbinë dhe qytetarët e saj. Nëse “druzhe” Koshtunica nuk mund të ketë kurajë t’i kërkojë falje një populli të tërë për shtypjen dhe robërimin nga bashkëkombësit e tij serbë, nga ai dhe nga ata politikanë të tjerë serbë, do të prisnim vetëm pak kurajë për të pranuar realitetin. Qoftë edhe me heshtje.Por, fundja mirë ia bëjnë përkrahësit e Koshtunicës. Dje ata në mënyrë të egër dhe të dhunshme, kanë sulmuar ambasadën amerikane, pastaj atë sllovene që kryeson presidencën e Bashkimit Evropian, pastaj kanë thyer xhama e dëmtuar çfarë ju ka dalë përpara…***…Tani është vonë dhe gazeta nuk mund të presë se deri ku do të shkojnë e kur do të përfundojë dhuna e serbëve të egërsuar… Unë them se përballë kemi dy shtete me dy pamje: Kosovën që feston në mënyrë paqësore e dinjitoze dhe Serbinë që proteston me gjuhën e forcës. Bota i shikon.…Ne duhet të gëzohemi për serbët e Koshtunicës që po protestojnë ashtu. Fundja, na dhanë edhe ata “një dorë”, në drejtësinë e një dite të madhe, siç ishte Dita e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës!