Sinan Çeli, legjenda e pilotit që pagëzoi helikopterët shqiptarë
• “Nëse pilotët tuaj janë të gjithë të tillë, kjo do të ishte një mrekulli. Përqafojeni Sinanin për mua”.AFRIM IMAJ/ RIZA LAHINjë burrë shteti i mbërritur nga përtej Atlantikut, do të mbetej i mahnitur nga manovrimi në fluturim i njërit prej pilotëve shqiptarë dhe do t’ia shfaqte këtë sa të zbriste nga helikopteri kolegut të Tiranës. Ishte fillimi i viteve ‘90 dhe Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Ulliam Peri, një nga mysafirët e parë të Perëndimit që vizitoi Shqipërinë postkomuniste do ta fiksonte rrugëtimin ajror me pilotin Sinan Çeli, si një moment të bukur dhe emocionues. Ndërkaq, këto pak fjalë për komandantin e regjimentit të Helikopterëve që atë ditë kishte pasur për pasagjer njëshin e Pentagonit, do të përjetoheshin nga ai me një ngazëllim të veçantë. E nis pikërisht me këtë detaj piloti veteran Beqir Barxha, teksa qëmton ngjarjet më të bukura nga shoqëria 40-vjeçare me Sinan Çelin. Pastaj humbet në kujtimet e shumta që lidhen me mikun e afërt që ka dhjetë vjet që nuk jeton më. Për Beqir Barxhën, Sinan Çeli ishte njeriu që pagëzoi helikopterët shqiptarë me emrin e tij. Një jetëshkrim që filloi e shkëlqen aty në rrëzë kodrinave të Farkës...Farka e helikopterëveKa vite që fshati i Farkës identifikohet me aerodromin e helikopterëve. Kështu qysh kur u vendosën këtu helikopterët e parë të ushtrisë. Qysh kur erdhën pilotët e parë, ata që do t’i jepnin jetë bazës ajrore. Ata që sapo dolën nga shkolla shqiptare e aviacionit u shkëputën nga grupi tjetër i shokëve dhe u vendosën në Tiranë. Rrëzë fshatit të njohur në perëndim të kryeqytetit. Pjesa tjetër kaloi për gjuajtës–bombardues. Pilotët e Farkës do të fluturonin me helikopterë. Shkenca relativisht e re e tyre do të materializohej në praktikë nga pilotët e parë që do të çonin për herë të parë në qiellin shqiptar helikopterët e ushtrisë. Ishte koha kur literatura ushtarake e quante luftën në Vietnam “lufta e helikopterëve”. Një histori e re kishte nisur me futjen në përdorim të tyre. Nëse njerëzit shmangeshin për pak minuta sa të kalonte një përbindësh gjuajtësi që hapte zjarr sa për një batalion këmbësorësh, me helikopterët u shfaqën të tjera probleme. Helikopteri vërshonte drejt objektit, drejt strehimit apo transhesë dhe nuk të linte të merrje frymë, por hapte zjarr me breshëri të dendura, me shënjestër të saktë dhe, si një djall që vjell vdekjen mu përmbi ty dhe lëvizin pak ose rri pa lëvizur fare. Lufta me helikopterë qysh në fillesat e saj u shfaq si një sfidë trimërie dhe vetëmohimi. Tjetër se, helikopterët e parë të Farkës, të cilëve u dolën për zot djemtë e rinj, nuk ishin nga më modernit e të sofistikuar siç i kishte dhe i ka NATO, por, gjithsesi…Ata i ranë atdheut anembanë, mbajtën të sëmurë e të plagosur, ushqime dhe njerëz të rëndësishëm dhe shënuan me dhjetëra fluturime spektakolare brenda territorit shqiptar. Farka e vogël mori kështu një emër të madh. Sinan Çeli ishte ndër të parët në grupin e djemve që populluan për herën e parë regjimentin e ri. Ai erdhi aty me fizionominë e një djaloshi të ri, i qeshur e truplidhur, i vëmendshëm e kurajës, i gatshëm për të zbatuar me korrektesë urdhrat e detyrat dhe i paduruar për të nisur fluturimin. Kishte lënë mbrapa në Medarin e Gjirokastrës, baba Faikun e nënë Sabon, kishte lënë aty në shtigjet e Kurveleshit ëndrrat e fëmijërisë dhe kishte nisur një jetë tjetër. Qysh në vitet e para do të spikaste si pilot i talentuar e do të vazhdonte vit pas viti të bëhej një nga mjeshtrit më të mirë të bazës ajrore. Ky rrugëtim i suksesshëm në profesionin që e dashuronte pa masë, do ta çonte me meritë Sinan Çelën në postin e komandantit të Bazës. Dhe aty do të shkëlqente.Ndërsa do të cekte në moshën më të bukur të burrërisë, do të ndahej papritur... Udhët e fluturimeve Një pjesë të madhe të jetëshkrimit të tij, Sinan Çeli e ka lënë të shkruar. Shumëkush nga ata që e kanë njohur thotë se ai ka pasur një shpirt poeti. Diku në një bllok shënimesh ka shkruar në frymëzim e sipër diçka nga perceptimi i tij për profesionin e pilotit. “Piloti e ka privilegj, shkruan Sinani, kundërmimin e kaltërsive të qiellit nga afër. Por nëpër thellësitë e tyre, nëpër skutat e lartësive që të magjepsin, ka një tjetër jetë. Shpeshherë aspak poetike.” Në vështrimin e tij pilotët u ngjajnë detarëve nënujës. Të vëmendshëm, me nervat tendosur dhe sytë katër, bëhen zotër të kabinave ajrore që ngjiten në qiellin e bukur në pamje të jashtme po me “faunën” e tij me rryma e boshllëqe ajrore, me erëra gjithfarëllojesh e turbulenca që të fundosin apo të ngrënë përpjetë kur ti nuk e ke as në plan e as ke pikën e dëshirës. Pjesë e kësaj “faune” të çuditshme për Sinan Çelin ishte edhe vetë territori ynë i përthyer, kompleks, me mbi 2800 fshatra, ku gjallon jeta e banojnë njerëz që mund të sëmuren, mund të plagosen, të izolohen apo të kenë nevojë për ndihmë.Për pilotët e helikopterëve është shumë komod fluturimi në kushte të qeta, ku për disa minuta mund të shkosh në secilin cep të vendit. Tjetër gjë në situata me mot të egër. Po ata sërish duhet të jenë pranë njerëzve në nevojë. Sfida në këtë rast është e jashtëzakonshme...Në vitin 1995, bukuroshet e “Miss Evropa” e kanë soditur Shqipërinë nga ajri. Ka qenë një mrekulli ekskursioni i tyre. Sinan Çeli ishte njeriu që u krijoi këtë mundësi, piloti që i shëtiti në çdo skaj të vendit. Do të bëhej ai kështu udhërrëfyesi i kësaj soditje, “kavalieri” i saj, por një “kavalier”, sa i qeshur, e aq vetullmbërthyer, sa modest e po aq lundrues spektakolar i helikopterit që rrëshqiste mbi re...Plotë dhjetë vjet para kësaj, piloti nga Medari i Kurveleshit, kishte marrë pjesë në njërën prej historive më të veçanta të repartit të tij, të cilin atë kohë e komandonte. Atë vit ka pasur rënie të rënda të dëborës, me rrugë të bllokuara e dimër të acartë që kërcënonte jetën e njerëzve. Minuset e temperaturës të thernin në mish. Përballë këtij rrethimi të bardhë që mbyste njerëz u ngrit armata e pilotëve të helikopterëve. Sinani, komandanti i tyre, ishte në ballë të operacioneve ajrore. Pilotët e Farkës dërguan ngado ndihma duke sfiduar furtunën e tërbimin e erërave të rrëmbyeshme. Dëbora e atyre ditëve ishte më shumë se mizore. Sinan Çeli dhe shokët e tij ditën të ngrihen mbi mizoritë e atij moti të tërbuar. Me sukses të plotë dhe të rrethuar nga dashuria e pa treguar. Sinan Çeli ka realizuar personalisht 158 “detyra speciale”, që do të thotë, është ngritur 158 herë, jo për stërvitje vetjake e as për kryerje detyrash ushtarake, por mirëfilli në shërbim të të tjerëve... Me gjeneralin mbi Burgun e BurrelitNë kujtimet që ka lënë të shkruara Sinan Çeli përshkruhet edhe një ngjarje e fillimit të viteve ‘90. Ka qenë pikërisht një fluturim i tij me gjeneralin Rrahman Perllaku nga Kukësi në Tiranë. Teksa po ktheheshin për në aerodrom ish-gjenerali i porsa liruar nga ferri i dënimit politik, i kërkoi të “vozisnin” mbi Burgun e Burrelit. Dhe Sinani nuk ia kishte prishur. As që e kishte imagjinuar ndonjëherë të kalonte qëllimisht ultas mbi një burg, ca më tepër mbi atë famëkeqin e Burrelit. Por rasti e solli. Në kabinë, në krahun e tij, rrinte mendueshëm ish-eprori i dikurshëm që kishte kaluar vite të tëra në kalvarin e persekutimit. I gjatë nga shtati, vetulltrashë dhe kockëmadh, Rrahman Perllaku i mplakur tani, kish qenë dikur eprori i Sinan Çelit dhe figura e parë e Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit.Në kulmin e shkëlqimit qe shpallur armik. Me armikun e dikurshëm, Sinan Çeli do të avitej shumë afër tarracës së qelive të tmerrshme. Sinani i dhimbsur në shpirt, do t’i kujtonte me shpoti në ndarje ish-eprorit lumin e të sharave të viteve të diktaturës. Dhe do të vinte sërish buzën në gaz. Se ishte zemërbardhë Sinan Çeli. E njerëzit zemërbardhë e kanë të qeshurën në buzë. Ashtu si edhe këngën. Sinan Çeli ishte nga ata njerëz që nuk mund ta imagjinoje pa këngën dhe humorin. Dhe këndonte bukur. Sidomos këngët e trevës së tij të Labërisë. “Arusha”e Sinan Çelit Vetëm një herë ka fluturuar me të njëri nga miqtë e ngushtë të Sinan Çelit. Ka qenë një nga ato fluturime që në gjuhën e profesionit quhen të rrezikshme. Ja si e rrëfen ai: “Ishte 6 shkurt 1987. Një ortek i madh dëbore përfshiu tre nga ushtarët e pikës së Tomorit. Ishim që të tre bashkë. Njëri pas tjetrit. Ngela vetëm. Shtiva me pistoletë. I pari erdhi radisti. Ia mora nga supet menjëherë dhe kërkova të lidhesha menjëherë me “01” e regjimentit të Farkës. Nuk kisha kohë të formuloja shifra e radiograme. Fola haptas, krejt ndryshe nga rregullat. I thirra në emër. Sinan, i thashë, duhesh këtu. Ka rënë orteku. Ka tre të vdekur. Të tjerët janë në rrezik. Ishte një mot i tërbuar me erë e furtunë të tmerrshme. Sinoptika nuk lejonte fluturime. Po Sinani kishte vënë veton. Kishte marrë mbi vete gjithçka. Për 35 minuta kam dëgjuar zhurmën mbi krye. Prania e helikopterit dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë e vuri situatën nën kontroll. Diku afër mbrëmjes duhej të ktheheshim me Sinanin. Tashmë ishte edhe më vështirë. Fluturimi zgjati gati dy orë. Kur zbritëm në Farkë, na humbi për një çast Sinan Çeli. U bëra kurioz dhe hodha vështrimin përqark. Ai i përulur në një qoshe të kabinës po puthte duraluminin e helikopterit dhe diçka thoshte nëpër dhëmbë. E pyeta, po ai dukej sikur fliste me vete. “Arusha ime… Nuk më turpërove as këtë herë” HELIKOPTERËT E BLUZAVE TË BARDHA Në prill të vitit 1995. Sinan Çeli do të emërohej komandant i njësisë së helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë të porsa krijuar. Katër helikopterë të rinj, këtë radhë prodhim perëndimor do të destinoheshin për bluzat e bardha në shërbim të njerëzve të sëmurë. Helikopterët e firmës zvicerane “Rega Company” do t’i përgjigjeshin çdo nevoje emergjente në çdo pëllëmbë të territorit. Tanimë, në vend të kabinës të destinuar për luftë, helikopteri do të pajisej me aparaturat që përgjojnë për jetën.Sot, atje ku ka komanduar për herën e parë Sinan Çeli, ndodhet një shok i tij, i cili, tani nuk është më i ri, si asokohe. Atëherë kur u përzgjodh bashkë me dy pilotë të tjerë, Astrit Salën dhe Albert Xhafën për të përbërë këtë eskuadron ajror, kishte pjesë të ekuipazhit edhe teknikët e mrekullueshëm, Shyqyri Berisha e Jorgo Cauli. Aleksandër Koli, piloti që komandon sot nga zyra e Sinanit, është një nga miqtë e tij. Teksa flet për Sinanin kujton: “Sinani ishte mjeshtër i fluturimit. Ai erdhi bashkë me ne në njësinë e shëndetësisë, pasi kishte ushtruar për shumë vite detyrën e komandantit të regjimentit të Helikopterëve. Më vonë u bë me grupin tonë edhe piloti tjetër, po ashtu nga më të mirët, Osman Kushta. E…Sinan Çeli fluturonte nga gëzimi. Ai kishte shpirt të riu dhe kishte pafundësisht pasion për të fluturuar me teknikë të re… Detyrën e parë, vetëm dy ditë si ikën specialistët zviceranë, e kreu Sinani me Bert Xhafën. Ishte për në Vermosh. Atje kishte atë ditë edhe turbulenca ajrore. E festuam. Ishte kaq gjë e bukur…”Helikopterët e shëndetësisë kanë kryer fluturime të panumërta. Dhe vazhdojnë të kryejnë me mjeshtëri, duke u përballuar me situata gjithfarëshe. NJË MUZG… Shyqyri Berisha , përgjegjësi i grupit teknik, kujton me nostalgji dashurinë dhe mirëkuptimin që kishin të gjithë me “Komandant Sinanin”. “Ishte 31 dhjetor i vitit 1996 dhe u nisëm në Pukë. Ishim tok me Sinanin dhe me Astrit Salën. Do të merrnim një të plagosur rëndë. Ishte muzg. Atë e sollën me shumë vonesë te helikopteri. Propozimit për të mos u nisur atë mbrëmje, Sinani iu përgjigj negativisht. I sëmuri po kalonte orët e fundit të jetës dhe duhej ndërhyrja e Tiranës. Jemi ngritur thuajse vertikalisht, natën dhe nëpër re. Ishte një aventurë e vërtetë ky fluturim përmbi male në acar të madh. Mblodha veten për një çast dhe iu ktheva Sinanit: “Na vrave Sinan”. Motori punonte. Ngado natë dhe re. Vetëm fosforeshenca e instrumenteve. Sinan Çeli ktheu kokën nga unë. Ishte i tendosur me nofulla dhe vetulla. “Nuk ka asgjë, Shyq, mos u mërzit, ja, edhe pak!” Kemi ecur mes reve dhe nëpër terr, derisa pamë diku disa drita. “Rubiku!”, thërritën të dy pilotët në të njëjtën kohë. Unë mora frymë thellë. Sinan Çeli më pa me të qeshur dhe më vuri dorën te supi.Kjo ka qenë ngjarja më e rëndë që kam përjetuar ndonjëherë”, mbyll tregimin e tij tekniku i shquar i aviacionit tonë, prej 39 vitesh, Shyqyri Berisha. Miku i shtrenjtë i Sinan Çelës. Sy më sy Teksa përjetonte ditët e fundit në shtratin e vdekjes në shkurtin e ‘98, Sinan Çeli kërkonte ta nxirrnin shpesh te dritarja. Një ditë do të dëgjonte aty zhurmën e një helikopteri dhe do t’u kërkonte familjarëve si me urdhër: “Më nxirrni në ballkon….Më nxirrniiiii….Në ballkon….Ky helikopter është vetëm i një njeriu….Eshtë Bequa”. Sinani, që i njihte shokët e tij, e merrte me mëndje që vetëm ai mund të bënte asi aventure. Sa të vinte fare pranë ballkonit të shokut të tij të sëmurë. E nxorën në ballkon Sinanin. Helikopteri ndenji disa minuta pa lëvizur. Vertikalisht me tokën. Sy më sy me Sinan Çelën. Pak ditë më vonë ai do të ndërronte jetë... MINUTA E FUNDIT E NËNE SABOS Nënë Sabua ka dy vjet që ka vdekur në moshën 90-vjeçare.Vdiq si shtiu në dhe birin për të cilin është merakosur tërë jetën. Nënë Sabua, kur më së fundi u vendos në Tiranë, kishte vetëm një kërkesë që të shkëputej nga vendlindja. Ndryshe…mirë ishte atje. Shtëpinë e re nuk e donte askund tjetër, veçse atje, në Sauk, puq me regjimentin e Farkës. Me regjimentin e birit të saj që nuk arriti ta shihte të mplakej. Që të shihte nga dritarja helikopterët, shokët e tij. Dikur Sinani i saj, sa herë shkonte me shërbim në Jug, gjenete rastin dhe ulej me helikopte në fshatin e tij. Shpejt e shpejt, Sa të takonte nënën. Dhe të kthehej sërish në qiell.Nëna Sabo jetonte çastet e fundit. tanimë nuk mund t’i rezistonte kthetrave të vdekjes. Ama edhe vdekja nuk po e merrte dot menjëherë këtë kockë të fortë. Më së fundi. Një mëngjes. Nëna, ndërsa po e ruanin te koka, mërmëriti një emër.”Sinan” dhe shtoi: “Biri i nënës!”. Dikush i rregulloi jastëkun dhe i vuri te buzët një gotë me ujë. Ajo nuk lëvizi as edhe një nerv të fytyrës. Për çudi, ato çaste u dëgjua një zhurmë helikopteri. Nëna Sabo tha: “Erdhi Sinani…Erdhi ta marrë nënën”, dhe mbylli sytë.