E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazhdaj, ku jeta rrëshqet nën dëborë

Reportazh nga fshati që lëviz çdo ditë, me njerëzit që po shpërngulen

Gjëma ndodhi brenda natës. Kështu thonë banorët e fshatit Brazhdaj të Komunës së Dorëzit rreth 40 kilometra larg qytetit të Librazhdit, ku të paktën 23 shtëpi janë zhvendosur bashkë me tokën. Dita e djeshme agoi me dëborë në këtë zonë dhe përballë “bukurisë” së saj, banorët tulaten duke ecur mbi tokën që u rrëshqet nën këmbë e nën dëborë si pa e kuptuar. është një lëvizje e ngadaltë, që e kupton vetëm kur sheh se si shtëpia në të cilën banon ka lëvizur nga themelet dhe muret nuk durojnë më e çahen. është një shpat i tërë mali, në të cilin është vendosur fshati Brazhdaj, që ka nisur të rrëshqasë rreth katër ditë më parë e po vazhdon ende të lëvizë. Të paktën 23 banesa e po aq kasolle bagëtish kanë lëvizur bashkë me tokën rreth dhjetëra metra drejt përroit të Rrapunit, ku banorët presin ndërtimin e dy hidrocentraleve. Gëzimi për këtë të fundit thuajse është shuar.

Shqetësimi mbetet për çdo ditë e natë se ku do të fusin kokën e ku po u shkon malli që tani ndodhet nëpër thasë e plastmase. Janë shtëpi të reja të ndërtuara jo më shumë se 5-6 vite më parë me paratë e djemve emigrantë. Janë të përforcuara nga ana e poshtme me mure prej betoni, por rrëshqitja, që ndodh disa metra nën tokë, ka mposhtur çdo fortesë. Në të gjithë fshatin na shoqëroi anëtari i këshillit të Brazhdajt, Tafil Alla, mes borës mbi 40 centimetra dhe baltës, aty ku toka kishte krijuar kanale të thella nga rrëshqitja. Për energji elektrike dhe ujë të pijshëm as që bëhet fjalë. Pothuajse të gjitha linjat e tensionit të mesëm zvarriten për tokë mbi dëborë, mes shtyllave të rrëzuara. Për të mbrojtur jetën e banorëve është shkëputur energjia elektrike. Paniku ndihet kudo. Gati të gjithë janë duke boshatisur shtëpitë e duke ngarkuar në kafshë e mbi shpinë të gjitha pajisjet shtëpiake. Po i çojnë te fqinjët me shtëpi në terren të qëndrueshëm. “Nuk është se mohojmë ndihmën e qeverisë, por ne nuk kemi dhe shumë nevojë për oriz, miell, çadra apo batanije”, pohon Agim Koka, njëri prej banorëve. Sipas tyre, çadrat e sjella nuk mund të instalohen mbi dëborë, ndërsa vaji dhe sheqeri si ndihma apo dhe batanijet nuk është se zgjidhin shqetësimin më madhor që kanë vendasit. Kërkesa e tyre kolektive mbetet dëmshpërblimi nga ana e shtetit dhe gjetja e një vendi ku do të rindërtohet i tërë fshati. “Kemi siguruar ndihma për gjashtë familje, shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar plotësisht, ndërkohë që kemi rezerva edhe për gjashtë të tjera”, tha kreu i Komunës së Dorëzit, Firdus Kurti.

Bashkë me kreun e emergjencave civile, Alfred Olli, ai ka inspektuar dje zonën për t’u informuar më konkretisht për atë çfarë ka ndodhur në fshatin Brazhdaj. Janë mbi 100 banorë në qiell të hapur, që kërkojnë të mbijetojnë pa çati e me dëborën që u është shtuar këto ditë. Komuna është përpjekur të nisë mjetet e domosdoshme të pastrimit të rrugëve nga rrëshqitjet, por dhe kjo nuk ka efikasitet, pasi toka rrëshqet në çdo orë të ditës. Në fakt, të 23 familjet kanë “bastisur” gjatë ditës së djeshme banesat e tyre për t’u vendosur përkohësisht në pjesën e sipërme të fshatit, ku ende nuk përjetohet frika e rrëshqitjes. “Ne edhe mund t’i strehojmë përkohësisht në magazinat e ish-rezervave shtetërore në Tokëz, por banorët kërkojnë një zgjidhje përfundimtare”, tha kryetari i komunës. Tabloja e jetës në këtë fshat duket e trishtueshme. Grupe banorësh që i largohen rrezikut me plaçka mbi kurriz e të tjerë me tufat e bagëtive përpara për t’i shpëtuar edhe ato si i vetmi burim të mirash materiale. Situata e krijuar këtu mund të konsiderohet më e rëndë se në zonën e Nënshkodrës, pasi banesat nuk mund të rigjenerohen më. Ato kanë rrëshqitur bashkë me dheun dhe gurët, duke marrë përpara çdo gjë. Një grup gjeologësh janë ngjitur dje në Brazhdaj për të bërë studimin gjeofizik pas kësaj katastrofe, ndërsa shtabi i emergjencave civile është mbledhur dje në Prefekturën e Elbasanit për të marrë më tepër masa organizative. Por deri në marrjen e masave konkrete, banorëve nuk u ka mbetur veçse t’i luten Zotit që të mos vazhdojnë rrëshqitjet dhe të shpresojnë te qeveria.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›