Dy të vdekur dhe katër të plagosur dje
Dy të vdekur dhe katër të plagosur ka qenë bilanci i tri aksidenteve të ndodhura në Lushnjë, Elbasan dhe Fushë-Krujë. Në Lushnjë, rreth orës 01.30 të së martës, në rrugën rurale të fshatin Krutje ka humbur jetën 50-vjeçari Tomorr Kamberaj. Ai ishte duke udhëtuar me një makinë tip “Fiat” me targë LU1044B, kur është përplasur me një “Mercedez Benz” me targë LU7358B me drejtues shtetasin Roland S. Sipas policisë, shkak i këtij aksidenti mendohet të ketë qenë shpejtësia tej normave të lejuara me të cilin udhëtonte viktima, që dyshohet se kishte konsumuar dhe një sasi të konsiderueshme alkooli. Ndërkaq, rreth orës 19.50 të së hënës, në aksin rrugor Librazhd-Elbasan pranë fshatit Mengël ka gjetur vdekjen 84-vjeçari R.D. banues në Mengël, i cili është përplasur nga një makinë. Policia ka prangosur drejtuesin e mjetit, 25-vjeçarin F.Bahiti. Ndërsa në rrugën Fushë-Krujë – Milot, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, një autoveturë “Mercedes Benz” me targa të Laçit është përplasur me një “Volkswagen” me targa të huaja që drejtohej nga një punonjës policie. Si pasojë e kësaj përplasjeje kanë mbetur të plagosur katër persona, të cilët ishin pasagjerë te “Volkswagen”-i.
#