Trafiku i qenieve njerëzore, i pranishëm edhe brenda vendit
Qeveria dhe strukturat shtetërore, si aktorët kryesorë të lutës antitrafik, duhet të marrin masa më efektive për të luftuar dhe parandaluar trafikun e brendshëm. Ky është apeli i shoqatave jofitimprurëse që operojnë në trajtimin e viktimave të trafikut. Sipas tyre, rritja e përpjekjeve ndaj qeverisë për të pranuar trafikimin e brendshëm, do të jetë edhe për vitin 2010 një nga sfidat më të vështira për të gjitha organizatat që punojnë në këtë fushë, me qëllim që qeveria të hartojë plane veprimi me masa konkrete, për ta luftuar dhe goditur fenomenin në shkallë vendi. Aktorët që operojnë në këtë fushë mendojnë se ka ardhur koha të ndërhyhet në legjislacion për masa më të rrepta ndaj trafikimit të brendshëm dhe po ashtu të bëhen sugjerime për ndryshimin e përcaktimit si trafik edhe në rastet kur ai zhvillohet brenda vendit. Duke iu referuar prostitucionit, shoqatat mendojnë se duke qenë se trafikimi i brendshëm identifikohet me prostitucionin ditor, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit e konsiderojnë atë si prostitucion me “dëshirë” ose “vullnetar”. Nisur nga këto përcaktime shoqatat përpiqen t’i ndërgjegjësojnë këto institucione dhe kanë kërkuar që ato të pranojnë trafikimin e brendshëm si fenomen të pashkëputur nga trafikimi njerëzor për shumë arsye, ku më kryesorja është fakti se në Shqipëri nuk ka dhe nuk mund të ketë trafikim me dëshirë, i brendshëm apo i jashtëm qoftë ai.
RaportetNë raportet e tyre thuhet se shpesh jemi ndeshur me njoftime policore, ku thuhet se gra dhe adoleshente që prostituojnë në Tiranë, janë në një pjesë të rasteve të ardhura nga rrethet. Kemi lexuar edhe histori kur vajza dashurohet me djalin e ëndrrave e madje për të largohet nga shtëpia pa i njoftuar. Ai i premton martesë e punë dhe e dorëzon te një tjetër person e zhduket. Po kështu nuk mungojnë rastet kur fëmijë të ardhur nga qytete të tjera të vendit shfrytëzohen për qëllime përfitimi nga të rriturit. Megjithatë për nga mënyra e intervistimit të uniformave blu ato nuk konsiderohen viktima të trafikut. Sipas tyre, ato kryejnë marrëdhënie seksuale të vullnetshme dhe me dëshirë. Grupeve të interesit u ka tërhequr vëmendjen përballja çdo ditë me një numër gjithnjë e në rritje të grave dhe vajzave që shfrytëzohen në prostitucionin ditor. Në monitorime të shoqatave jofitimprurëse janë pasqyruar të dhëna mbi zhvillimin e prostitucionit ditor në qytetin e Tiranës, për numrin e lartë të grave dhe vajzave të përfshira në këtë fenomen, për zonat ku e ushtrojnë, kategorinë e klientëve, fitimet që ato sigurojnë etj. Tirana, si qyteti me popullsinë më të madhe në vend, ka edhe numrin më të lartë të viktimave që shfrytëzohen në prostitucion. Në analizë është marrë vetëm pjesa më e dukshme, e zbuluar e këtij grupi që punon në rrugë, duke lënë jashtë saj grupet e tjera si studentët, nxënëset e shkollave të mesme, minorenët etj. viktima që shfrytëzohen në hotelet dhe motelet luksoze të Tiranës. Megjithatë, edhe pse në këtë raport nuk janë pasqyruar të dhëna të plota, qoftë edhe vetëm për këtë qytet, numri i mbi 50 punonjëseve të seksit të evidentuara tregon se prostitucioni ditor po bëhet një fenomen mjaft shqetësues për vendin dhe shoqërinë tonë.
Trafiku i brendshëmTrafikimi i brendshëm si fenomen përbën një nga hallkat kryesore të trafikimit njerëzor, për faktin se ai funksionon njëlloj me të gjitha elementet kryesore të tij (si rekrutuesit, transportuesit, strehuesit, zonat e burimit, mënyrat e rekrutimit, protektorët, klientët etj.) me të vetmin ndryshim që ky fenomen zhvillohet brenda vendit për aq kohë sa trafikantët bëjnë të mundur kalimin e viktimës nga Shqipëria për në vendet e BE-së. Në raportet e shoqatave shkruhet se “krahasuar me vitet e mëparshme shihet një rënie e fluksit të referimeve të viktimave të trafikut të shfrytëzuara jashtë kufijve të Shqipërisë dhe një rritje të trafikimit të brendshëm, ose e përcaktuar ndryshe prostitucion i brendshëm. Ky fakt ka rritur vështirësinë në identifikimin e rastit si viktimë trafiku apo prostitucion i brendshëm, pasi bazuar në standardet dhe konventat ndërkombëtare për definicionin viktimë trafiku, përdoret vetëm forma e intervistimit e përdorur nga Ministria e Brendshme, e cila nuk i kategorizon viktimat e trafikut të brendshëm të prostitucionit si viktima trafiku”. Të shqetësuar për përmasat e përhapjes së këtij fenomeni, si dhe për të pasur një vlerësim më të saktë të situatës, gjatë vitit të kaluar u realizuan disa takime me specialistë të strukturave antitrafik të drejtorive të policive të qarqeve Vlorë, Fier, Durrës, Elbasan dhe në Sarandë për të diskutuar dhe tërhequr mendimin e tyre në lidhje me zhvillimin e fenomenit në rrethet ku ata operojnë. Sipas shoqatave, në të gjitha takimet u evidentua fakti se trafikimi i brendshëm ishte rritur dhe bërë një problem mjaft shqetësues për policinë e këtyre rretheve. Kjo ndodh, sepse shfrytëzimi i femrave në vend, duke mos u njohur ligjërisht si trafikim, krijon pengesa gjatë goditjes së tij nga policia. I njohur nga të gjithë për ekzistencën e tij në vend, por i papranueshëm nga qeveria, ky fenomen vazhdon të zhvillohet normalisht, duke rritur fitimet e trafikantëve dhe të kriminelëve që merren me organizimin e tij. “Edhe pse kemi informacione për numrin e lartë të vajzave që trafikohen nga këto rrjete, të cilët i rekrutojnë ato nga zona të varfra dhe i shfrytëzojnë në qytetet e mëdha të vendit, numri i referimit të tyre nga policia është shumë i vogël. Kjo, për faktin se edhe kur viktimat kapen nga policitë, ato trajtohen nga prokuroritë si çështje për ushtrim të paligjshëm të prostitucionit, duke lënë të lirë protektorët, pronarët e hoteleve, klientët etj., dhe penalizuar viktimat që e ushtrojnë atë”, shkruhet në raportin e shoqatave që operojnë në trajtimin dhe rehabilitimin e personave të trafikuar.
#