Zbulohet grupi i hajdutëve të mitur
Durrës
Pesë vjedhje rëndojnë mbi katër adoleshentë durrsakë, dy prej të cilëve janë ndaluar nga policia dhe dy të tjerët po hetohen në gjendje të lirë. Blutë e Durrësit ndaluan dy 15-vjeçarë nga lagje të ndryshme të qytetit port, shtetasit S.K. dhe F.S., të dy me arsim dy klasë. Ata mendohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetasit E.B, 13 vjeç dhe F.Ll. 12 vjeç janë autorë të disa vjedhjeve të ndodhura në Durrës gjatë 10 ditëve të fundit. Për shkak të moshës, ndaj tyre nuk u mor masa e arrestit. Ata akuzohen për vjedhjen e dy shtëpive, ku kanë marrë valutë të huaj, para dhe bizhuteri floriri, si dhe të garazheve ku kanë vjedhur një motor “Piaggio”, një biçikletë dhe disa materiale bakri.
#