E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iva Zaimi: Do të regjistrojmë popullsinë dhe ndërhyjmë në ligj

Reagimi

Zëvendësministrja e Brendshme, Iva Zaimi, deklaroi se “është ngritur me forcë që të bëhet më shumë për goditjen e prostitucionit migrator, por më shqetësuese mbetet problemi i fëmijëve të rrugës. Fëmijët vijnë nga rrethet dhe prindërit i detyrojnë të lypin për ta. Duhet të ndërhyjmë së pari për të regjistruar popullsinë e paregjistruar, kryesisht romët. Po të jetë e nevojshme do të ndërhyjmë edhe në ligj për rastet kur hiqet kujdestaria e prindërve, pasi mendojmë se nuk është zgjidhje futja e tyre në burg, por për këtë duhet edhe mbështetja e institucioneve të tjera. Për shfrytëzimin e fëmijëve ka një nën në Kodin Penal 144/1, i cili vepron që nga viti 2008, por që duket se nuk është kuptuar si duhet ndaj dhe nuk është zbatuar asnjëherë. Duhet theksuar në ligj, pra duhet të shkruhet drejtpërdrejt se zbatuesit janë irracionalë, ata nuk i shfrytëzojnë hapësirat e ligjit, pasi kanë mangësi edhe në njohjen e konventave ndërkombëtare. Ligjet në këtë fushë janë të reja për të gjithë jo vetëm për vendin tonë”. Trafikimi i qenieve njerëzore është parashikuar nga legjislacioni shqiptar, si një vepër me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Krijimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda, kompetente për gjykimin e veprave penale që lidhen me trafikimin e qenieve njerëzore, ka bërë më efikase goditjen e këtij fenomeni me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Gjithashtu, ka pasur një angazhim në rritje të të gjitha strukturave shtetërore, shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, përmes masave parandaluese dhe mbrojtëse, si të natyrës ligjore, ashtu edhe të tipit administrativ, social, ekonomik etj. Ngritja e njësisë antitrafikim në Ministrinë e Brendshme tregon vullnetin e qeverisë për të qenë e vendosur në luftën kundër trafikut.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›