E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazil/ Fetel fiton provat zyrtare te mimit te Madh ne Formula 1

Nuk arriti të thyente dot rekordin e fitoreve të Mikael Shumakerit, por gjithsesi theu një tjetër rekord të rëndësishëm. Sebastian Fetel, kampioni i botës në Formula 1, fitoi vendin e parë në prova në Çmimin e Madh të Brazilit, “pole position” i 15-të për të këtë sezon.

Me këtë sukses, gjermani i Red Bullit, theu rekordin e vjetër të mbajtur nga anglezi Najxhëll Mansëll, me 14 fitore, arritur në sezonin 1992, kur ky pilot kishte makinën e shkëlqyer Uilliams.

Fetel, kampion i dyfishtë i botës, dha kohën 1’11”918, duke qenë vetëm 181 të mijtat më i shpejtë sesa shoku i tij i skuadrës, Mark Ueber.

Në vendin e tretë në Interlagos doli anglezi Xhenson Baton me Meklaren Mercedes, që la prapa shokun e tij të skuadrës, anglezin tjetër Ljuis Hamilton, ndërsa vendin e pestë e zuri spanjolli i Ferrarit, Fernando Alonso.

Në mes të dy makinave Ferrari hyri gjermani Niko Rosberg i Mercedesit, duke lënë në vend të shtatë Felipe Masën, kurse 7 herë kampioni i botës, Mikael Shumaker, doli vetëm në vend të 10-të.

Gjithsesi, rekordi i vjetër i Mansëllit mbetet më i mirë sesa ky i Fetelit, pasi anglezi i arriti 14 fitoret në vetëm 16 gara, ndërsa gjermani ka arritur 15 vende të para në prova në 19 gara.

Në garën që do të zhvillohet në orën 17:00, makinat Red Bull duket se do t’i bëjnë një mbyllje të fortë sezonit që e nisën si më të mirat në pistë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›