E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali i Madridit fitoi derbin ndaj Atletikos 4-1

Zotërit e derbit e ruajtën edhe një herë zotërimin e pronës së tyre. Reali i Madridit fitoi 4-1 ndaj Atletikos së Madridit në “Bernabeu”, duke kaluar nga humbja në triumf dhe duke pasur epërsi numerike për gati 70 minuta.

Skuadra e drejtuar nga Zhoze Murinjo pësoi fillimisht një gol të shënuar nga Adrian Lopez menjëherë sapo kishte kaluar një çerek ore lojë, por arriti të reagonte shumë shpejt.

Në aksionin e parë të shpejtë, Benzema fitoi një 11-metërsh në minutën e 22-të, penallti që u shoqërua edhe me daljen me karton të kuq të portierit të Atletikos, Tibo Kurtua.

Kristiano Ronaldo mori përsipër ekzekutimin e penalltisë dhe nuk gaboi, duke shënuar golin e 81-të për Realin në kampionat në vetëm 76 ndeshje të luajtura.

Ekipi “merenges” ushtroi presion gjatë gjithë pjesës së parë dhe iu afrua golit të avantazhit, por pa mundur ta shënonte atë, ndonëse rastet i pati.

Në pjesën e dytë, pa humbur kohë, Reali shënoi dhe autor i golit ishte Angel Di Maria, që shfrytëzoi një top të bukur shërbyer nga Ronaldo nga krahu i majtë.

Higuain, sulmuesi që hyri në lojë në pjesën e dytë, përfitoi nga një gabim i rëndë i mbrojtësit bardhekuq, Godin, për të shënuar golin e tretë të vendasve dhe për t’u barazuar në gola me Ronaldon, nga 81 në ligën spanjolle.

Veçse, Kristiano sërish u shkëput, duke shënuar me një tjetër penallti, në 82’, e njëjta shifër e golave të tij në La Liga.

Me këtë fitore, Reali i Madridit u ngjit në kuotën e 34 pikëve në 13 ndeshje, si dhe duke pasur 46 gola të shënuar e vetëm 10 të pësuar, pra duke mbetur në krye të renditjes së kampionatit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›