E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një muaj kohë për zbatimin e Ligjit për Duhan

Nga Express më 14 janar 2011 në ora 15:01

Ligji për Duhanin i miratuar një vit më parë nga Kuvendi i Kosovës, ka filluar vetëm tani të gjejë zbatim.

“Komoditeti” për duhanxhinjtë brenda lokaleve do të zgjasë vetëm edhe një muaj, ngase Inspektorati sanitar tashmë ka filluar të ndajë urdhëresa në lokalet e kryeqytetit për të respektuar këtë ligj.

Iliriana Zymberaj, kryeinspektore sanitare, ka thënë për Kosovapress se me fillimin e vitit të ri, inspektorati ka filluar aktivitetet për zbatimin e këtij ligji, duke filluar nga kryeqyteti i Kosovës, duke mos lënë anash edhe regjionet.

Sipas saj, ka dy vjet qe është bërë inspektimi i lokaleve dhe institucioneve publike në përgjithësi, mirëpo deri më tani ka shkuar më shumë në formën këshilluese, me qëllim të ngritjes së vetëdijes, ndërsa tani është caktuar një afat kohor prej 30 ditësh.

Zymberaj theksoi se nëse nuk aprovohen kërkesat e inspektoratit atëherë do të shkohet me masa ndëshkuese, në të cilat parashihen gjobat prej 3-5 mijë euro për përgjegjësit e lokaleve afariste.

Për t’u zbatuar ky ligj, lokalet duhet të ndajnë hapësirën e lokalit, në 70 për qind të saj ndalohet duhani, ndërkaq në 30 për qind do të lejohet pirja e duhanit.

“Nëse pas 30 ditëve nuk bëhet ndarja fizike e lokalit, atëherë do të shkojmë me masa ndëshkuese. Ndarja e lokalit bëhet në bazë të vetë pronarit, që ta ndajë hapësirën në 30 me 70 për qind, 30 për qind ku dedikohet për pirje ndërsa 70 për qind jo pirje të duhanit, ajo ndahet në pjesë fizike dhe duhet që të gjitha kriteret që i kërkon ligji të zbatohen. Masat ndëshkuese për personat përgjegjës që nuk e zbatojnë ligjin, d.m.th në këtë rast për institucionet publike në përgjithësi dhe subjektet afariste ushqimore masa ndëshkuese është tre mijë deri në pesë mijë euro”, është shprehur Zymberaj.

Ndëshkime parashihen edhe për klientët, të cilët nuk e respektojnë ligjin.

Ministria e Shëndetësisë e ka përshëndetur daljen në terren të inspektorëve sanitarë. Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në MSH, thotë se edhe më parë ka pas disa institucione të cilat e kanë respektuar ligjin për duhanin, mirëpo përgjithësisht niveli i respektimit të këtij ligji nuk ka qenë i kënaqshëm.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›