Brazil, një tunel gjysmë kilometri për të vjedhur 6 milionë dollarë
Një vjedhje spektakolare është kryer ditën e hënë në shtetin e Brazilit. Një grup hajdutësh profesionistë nga San Paolo kanë arritur që të vjedhin 6 milion dollarë kesh. Shuma është vjedhur në një apartament i cili ishte pronë e një firmë të njohur braziliane, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur për çështje hetimi. Sipas njoftimeve policore, grupi i hajdutëve për të kryer vjedhjen kanë përdorur një tunel prej 490 metrash të cilin e kanë hapur nga nëntoka pas katër muajsh gërmime. Hajdutët kanë marrë fillimisht një shtëpi përdhese me qera dhe nga kjo banesë kanë arritur që të gërmojnë tunelin gjysëm kilometri të gjatë. Gjatë kësaj vjedhjeje hajdutët kanë arritur që të fikin për 1 minutë kamerat e sigurisë. Kohë e mjaftueshme për të kryer operacionin e tyre të suksesshëm.
Por hajdutët përveç faktorëve teknikë kanë përdorur për vjedhjen e tyre edhe faktorin kohë. Shuma prej 6 milionë dollarësh është vjedhur gjatë kohës kur po zhvillohej ndeshja finale e kampionatit brazilian. Futbolli në vendin latin kanë përherë një audiencë të madhe. Sipas policisë së San Paolos deri më tani nuk ka asnjë shenjë se kush mund të jenë personat që kanë kryer këtë vjedhje të pazakontë.