E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazil “vetëvrasës”, eliminohet nga Holanda



Leonard Karaj

Holanda në gjysmëfinale, Brazili i jep lamtumirën Botërorit. Skuadra më e kuotuar që nga fillimi i këtij kompeticioni kryen vetëvrasje teksa në harkun e 15 minutave lojë u fal barazimin dhe golin e avantazhit “portokallinjve”.
Në fillim Filipe Melo dhe më pas blloku difensiv i Seleçaos, që harron në zonën e vogël “tulipanin” më të shkurtër, Shnajderin, rezultuan pikat më të dobëta të kësaj përballjeje fatale për ekipin e Dungës. Një fitore me zemër e Holandës e cila besoi jo vetëm tek barazimi por edhe fitorja duke u dhënë pesë herë Kampionëve të Botës një leksion të vërtetë futbolli. Në pak fjalë nuk ishte një “grabitje” ajo që iu bë Brazilit dje, por nga fillimi deri në fund një vetëvrasje perfekte: autogol, karton i kuq dhe çoroditje në zonë duke pësuar edhe golin e disavantazhit. E zënë në kurth që në minutën e dhjetë të pejsës së parë skuadrës së Bert Van Marvjik iu desh shumë që të dilte nga monotonia dhe shterpësia e sulmeve të veta. Në pjesën e parë janë brazilianët që bëjnë ligjin dhe në të dytën, holandezët vënë veton në fushën e lojës. Në fakt ndeshja nisi që në dhomat e zhveshjes ku van Marvjik humbet qendërmbrojtësin Matijsen (dëmtohet në nxehje) duke e zëvendësuar me Ojer ndësra Dunga bën të pamunduyrën për të rikuperuar Filipe Melon dhe ai arrin. Por natyrisht pa e ditur se ai lojtar që ai do të dëshironte me çdo kusht do t’i kushtonte Brazilit të tij eliminimin nga Kupa e Botës. Seleçao, e nisur si favorite në këtë ndeshje kaloi shumë shpejt në avantazh që në minutën e 10-të me anë të Robinjos. Një asist perfekt në të çarën e mbrojtjes holandeze nxori sulmuesin e Santosit vetëm përballë Stekelenburgut, i cili nuk ka ç’të bëjë veçse të shikojë kur topi shkon drejt rrjetës. Duket se ndeshja mbaron këtu pasi Holanda nuk ka vizionin e duhur për të rrezikuar Hulio Sezar. Në fraksionin e dytë të lojës vjen katapultimi i situatës. Dy gola të “tulipanëve” të ndihmuar edhe nga një brazilian (Filipe Melo) çojnë në parajsë holandezët dhe në ferr brazilianët. Kështu dështon Brazili i stilit evropian duke u larguar gjithsesi me të njëjtën dëshirë: fitimin e trofeut të gjashtë Botëror, të cilin mund ta bëjë në 2014-ën dhe ku më mirë se në shtëpinë e vet.

Holandë-Brazil 2-1

Shënues: Filipe Melo 53’ (autg), Shnajder 67’/ Robinjo 10’
Kartonë të verdhë: Heitinga 14', Van der Viel 47’, De Jong 64’, Ojer 76’/ Bastos 37’
Karton i kuq: Filipe Melo 73’
Gjyqtarë: Juiçi Nishimura (JAP)/ Toru Sagara dhe Jeong Hae Sang
Holanda: Stekelenburg, Van der Viel, Heitinga, Ojer, Van Bronkhorst, Van Bomel, Kajt, De Jong, Van Persi (Huntelar 85’), Shnajder, Roben. Trajner: Bert van Marvjik
Brazili: Hulio Sesar, Maikon, Lucio, Juan, Felipe Melo, Bastos (Xhilberto 62’), Xhilberto Silva, Luis Fabiano (Nilmar 77’), Kaka, Robinjo, Dani Alves. Trajner: Karlos Dunga

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›