E Diel, 1 Nëntor 2026

Hekuran Isai: Si na vuri populli përpara me gurë në Kavajë



Në këtë pjesë të dytë të transkriptimit të mbledhjes së Byrosë Politike, mbajtur më 14 korrik 1990, më shumë se në ngjarjet e ambasadave, vëmendja e krerëve komunistë të Tiranës përqendrohet në ngjarjet që kishin ndodhur e po vazhdonin të ndodhnin në Kavajë. Ngjarje që kishin nisur në formën e një rebelimi kundër pushtetit komunist shumë më herët se të vinte 2 korriku i ambasadave, duke shënuar kështu edhe kryengritjen e parë antikomuniste në Shqipëri, të ndërlidhur me valën e zhvillimeve që kishin tronditur Bllokun e Lindjes Komuniste. Në Kavajë, që nga data 25 mars 1990, situata e rendit ishte jashtë kontrollit, populli nuk respektonte më ligjet dhe pushtetin e komunistëve, incidentet kishin shkaktuar të vdekur dhe të plagosur nga të dy palët dhe për më tepër nuk shihej ndonjë premisë për ndryshim të situatës. Në këtë situatë të krijuar, Ramiz Alia vendos të bëjë “reprezalje” duke shkarkuar zv/ministrat e Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizin, që drejtonte Sigurimin e Shtetit dhe Ilir Mustafarajn, që drejtonte Policinë. Po kështu Alia shkarkon nga posti i Sekretarit të Parë të rrethit të Durrësit edhe Muho Asllanin e të tjerë funksionarë partiakë të Kavajës. Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, bën një panoramë të ngjarjeve në Kavajë, që dëshmojnë se situata atje ishte krejt jashtë kontrollit.

Dokumenti
(vijon nga numri i djeshëm)
Shoku Ramiz Alia: ...Kishte njerëz që thoshin: “Pse duhet bërë mitingu?”, “Mos na ndodh gjë?”. Me një fjalë kishin frikë. Këtë mendim e kishin dhe shumë nga shokët tanë këtu. Ne nuk duhet të trembemi, kur komunistët janë në aksion – armiku futet skutave. Prandaj ne po të jemi në këmbë e në aksion – armiku do të tërhiqet.
Ka edhe komunistë që qëndrojnë pasivë. Disa prej tyre bile arritën të thoshin se “mitingu nuk do të ketë entuziazëm pasi nuk flet shoku Ramiz”. Pse shoku Ramiz do të flasë përherë? Të tërë shokët duhet të flasin. Dhe ja, mitingu pati entuziazëm të madh e kaloi mjaft mirë dhe pa prezencën e shokut Ramiz. Partia dhe populli na kuptojnë drejt në qoftë se ne i themi gjërat siç janë dhe e prekim popullin aty ku duhet prekur. Deri dhe himni i flamurit i preku njerëzit. 120 mijë veta ishin në shesh e mijëra të tjerë që donin të merrnin pjesë, por kaq ishte menduar pjesëmarrja në miting. Pra ne kemi një forcë të madhe. E tërë kjo masë e madhe njerëzish erdhi në miting me një shqetësim, donte të shpërthente, kishte brenda në zemër një mllef, që donte të nxirrte dhe e nxori, sepse e kuptonte që kishte rënë nën një presion.
E theksova në Plenumin e 11-të të Komitetit Qendror se nuk janë vetëm vështirësitë ekonomike që na e shkaktojnë këtë gjendje. Sigurisht, këto bëhen burim që njerëzit të ushqejnë pakënaqësinë dhe ne si parti duhet të luftojmë kundër këtyre burimeve, por nuk janë këto shkaku i kësaj lufte që bëhet sot. Kjo duhet kuptuar mirë. Synimi i armikut është shkatërrimi i pushtetit popullor, shkatërrimi i socializmit.
Ne këtë duhet t’ua shpjegojmë njerëzve jo për t’i trembur, por për të kuptuar që lufta jonë është e ashpër, që kërkon aksion, kërkon vendosmëri. Nuk mund të rrimë e të bëjmë sehir. Kur them “të mos bëjmë sehir”, nuk e kam fjalën që për politikë po se po, por për zgjidhjen e hallve të popullit. Lufta jonë kërkon punë të madhe e vendosmëri. Dëgjohen fjalë: “Mungon ky artikull ushqimor, apo industrial në dyqan”, “filan kuadër nuk u kujdes...”. Ai që nuk kujdeset për popullin bën punën e armikut. Ta themi shqip! Në qoftë se ne nuk luftojmë që t’i plotësojmë popullit ato nevoja që ka dhe që ne i kemi mundësitë, krijojmë probleme.
Të flas më konkretisht. Jam i mendimit që disa masa duhen marrë për një organizmin më të mirë të punëve dhe për një dinamizëm më të madh. Unë mendoj se Marash Hajati të shkarkohet si kryeredaktor i “Zërit të Popullit” dhe në vend të tij të caktohet Spiro Dede, i cili sot është shef i sektorit të arsim-kulturës në aparatin e Komitetit qendror të Partisë. Vendi i tij këtu në aparat mbetet bosh, po nuk kemi ç’të bëjmë, na duhet të forcojmë punën në gazetë.
Në planin organizativ të brendshëm kam ngarkuar Sofokli Lazrin të merret me shtypin, se Fotua nuk merret me shtypin, nuk e njeh, nuk ka praktikën dhe është pak akademik në këto punë, kurse shtypi nuk do akademizëm, kërkon një punë energjike, minutë për minutë t’i qëndrosh mbi kokë.
Unë bashkë me disa shokë këtu kemi menduar që Marash Hajatin ta çojmë sekretar për problemet e propagandës në Komitetin e Partisë të Elbasanit. E thirra Marashin dhe ia thashë mendimin tonë. Ai mu përgjigj se “jam gati të shkoj, nuk kam ndonjë gjë, e kuptoj momentin, por kini parasysh që jam 58 vjeç, praktikën e punës konkrete nuk e kam”. Arsye familjare, më tha kam, prandaj të shihet nëse ka mundësi për ndonjë variant tjetër, megjithatë si të vendosë Byroja Politike.
Si mendoni, ta caktojmë në ndonjë nga komitetet e Partisë të rajoneve të Tiranës për propagandën? Sidoqoftë ta diskutojmë këtë.
Shoku Pali Miska: Më mirë le të qëndrojë në Tiranë.
Shoku Ramiz Alia: Kam marrë dhe mendimin e shokëve që Mehmet Elezin mund ta çojmë sekretar partie në Vlorë për çështjet e propagandës. Këta shokë janë të rinj, prandaj është mirë që të kaliten me punën e Partisë. Atij nuk i kam thënë ende asgjë, por jam i mendjes që tani nuk ka kohë më për shumë biseda. çështja është që secili duhet të bëjë punën e partisë, të shkojë ku ta çojë Partia, sot lipset tjetër militantizëm. Ky është mendimi im, po sidoqoftë shokët le të shprehin mendime.
Jam i mendimit që të dy zëvendësministrat e punëve të brendshme, Zylyftar Ramizi dhe Ilir Mustafaraj, të shkarkohen nga detyra. Qeveria le t’i vendosë pastaj ku ta shohë të arsyeshme.
Zylyftari kishte Sigurimin në dorë, apo jo, Simon? (Shoku Simon pohon). çfarë na dha Sigurimi? Ilir Mustafaraj kishte tërë policinë në dorë. Policia jo vetëm që nuk e tregoi veten në ngjarjet e fundit, po tani na rezulton që policët kanë marrë para për të futur njerëz në ambasada. çfarë kontrolli kishte mbi policinë?
Koha nuk pret për masa gjysmake. Sidoqoftë ky është mendimi im dhe po e shtroj ta diskutojmë.
Në Kavajë duhet ndryshuar udhëheqja e Komitetit të Partisë së rajonit. Unë do të shtroja çështjen dhe për shokun Muho. Mua më duket se shoku Muho nuk iu përgjigj rolit, detyrës që iu ngarkua si sekretar i parë i Komitetit të Partisë të rrethit të Durrësit. Me këto dobësi, me këto të meta unë nuk mendoj që Partia do ta përkrahë. Ja kam thënë edhe veçmas por detyrohem ta them dhe këtu, në mbledhjen e Byrosë Politike, që dhe për djalin e shokut Muho ka shumë fjalë. Ai gati sa nuk bën ligjin nëpër kafenetë e Tiranës dhe të Durrësit. Do të thoni ju që çlidhje ka djali me këtë?
E kam thënë dhe herë tjetër që fëmijët tanë dhe njerëzit tanë të familjes duhet të sillen korrektë. Populli kaq shumë vë re, sa secilit ja vë vjegën vath në vesh.
Për konsekuencë mendoj që dhe shoku Muho mund të shkarkohet si sekretar i parë i Durrësit dhe atje të shkojë ndonjë shok tjetër si të gjykojë Byroja.
Këto gjëra kisha unë. çfarë mendimesh keni?
Shoku Hekuran Isai: Dua të shpreh edhe unë disa mendime sidomos lidhur me ngjarjet e Kavajës.
Shoku Ramiz Alia: Thuaji, po veç mos përsërit.
Shoku Hekuran Isai: Situata në Kavajë është e rëndë, e mbarsur me një veprimtari armiqësore të brendshme dhe të jashtme, siç duket.
Shoku Ramiz Alia: Jo siç duket, por e mbarsur me siguri me veprimtari armiqësore. Kavaja është qendër e spiunazhit të huaj.
Shoku Hekuran Isai: Ashtu është. Më 28 janar në Kavajë u mbush shkolla e mesme “Medar Shtylla” me parulla për pluralizmin politik si: “Poshtë Partia”, “Enver-Hitler”, “Hapni kufijtë”, “Poshtë komunizmi”, “Vdekje Partisë së Punës të Shqipërisë”.
Më 9.2.1990 në NSHNI përsëri u hodhën parulla me kërkesa ekonomike të tipit kapitalist me thirrje për përmbysjen e pushtetit popullor, në përkrahje të Gorbaçovit, karikatura me diçitura ofenduese për udhëheqjen.
Më 20 mars dega e punëve të brendshme u vu në dijeni se ditën e diel, pas ndeshjes “Besa-Partizani” do të bëhej rrëmujë, në minutën e 80-të do të ngriheshin dy gishtat lart. Për këtë u morën masa. Më 23 mars 1990, ditën e diel në mëngjes u shpërndanë disa thirrje të shkruara me dorë, por të rishumëzuara me heliograf. Në këto fletushka i bëhej thirrje popullit të Kavajës që në mënyrë të qetë e paqësore në minutën e 80-të të ndeshjes të thërrisnin “Liri-Pavarësi” dhe të ngrinin dy gishtat lart. Gjatë kësaj ndeshjeje u morën masa nga shokët, nuk pati thirrje masive, por njëri thirri “Liri-Demokraci” dhe këtë e arrestuan. Pas ndeshjes rreth 200 veta mbetën në fushë, policia qetësisht deshi t’i nxirrte jashtë. Duke dalë jashtë, të 200 vetat sulmuan me gurë policinë dhe një pjesë të mirë të atyre njerëzve që ishin jashtë. Familja e njërit që ishte arrestuar në drekë shpalli zi, se dikush i tha që djali yt ka vdekur në polici. Brenda gjysmë ore gati gjysma e Kavajës i ka shkuar për ngushëllim. Atëherë disa shokë të policisë e morën familjen dhe e çuan të shikojë djalin që ishte shëndoshë e mirë. Duke u kthyer për në shtëpi, familja i ka thënë turmës të mos vinte për ngushëllim se djali ishte gjallë, por njerëz nga turma i kanë thënë që djalin ua kanë maskuar, nuk është djali juaj.
Kur u err, pranë Komitetit të Partisë, në mënyrë të heshtur erdhën qindra vetë. Shefi i policisë u ka thënë të shpërndaheshin se do t’i lironin dhe ata të dy që ishin arrestuar dhe se nuk kishte të vdekur. Papritur shpërthyen gurët në drejtim të policisë, thyen xhamat. Në këtë kohë hidhet parulla “Na lironi shokët”, “Liri-demokraci”, “Poshtë dinastia”, “Poshtë Nexhmija”, “Rroftë Ramiz Alia”. Policia nuk veproi fare ndaj turmës. Turma doli në qytet, filluan të hidhnin përsëri parulla. Për çdo parullë përgjigjeshin me “urra” ose e shoqëronin me duartrokitje. Thyen xhamat e dyqaneve. E gjithë kjo zgjati 20-30 minuta, sa u ndezën drita, pastaj turma u shpërnda. Atë ditë ishte dhe mbledhja e komitetit ekzekutiv të rajonit, dolën kuadrot po nuk bënë gjë.
Më 27 dhe 28 mars për këtë çështje u arrestuan 20 vetë, nga të cilët tre vetë u mbajtën në hetim.
Shoku Ramiz Alia: Po, këtë informacion e dhanë axhanset.
Shoku Hekuran Isai: Po, i dhanë axhanset.
Shoku Ramiz Alia: domethënë informacioni është. Ne i morëm vesh sot nga shoku Hekuran, po i lexuam mbrëmë nga të huajt informacionet për të gjitha këto ngjarje.
Shoku Hekuran Isai: Nga organet e punëve të brendshme çështja është trajtuar që në këto ngjarje ka veprimtari armiqësore.
Vetë komiteti i partisë ka arritur në konkluzionin që këtu ka veprimtari armiqësore, por siç del, ky shqetësim nuk ka shkuar në organizatat-bazë të Partisë dhe është krijuar një opinion i përgjithshëm që këtu nuk kanë faj kavajasit derisa në një mbledhje plenumi ish sekretari i Komitetit të Partisë, Jovan Sokoli, tha që është çështje e 10 lumpenëve. Atij i janë kundërvënë shokët që kanë qenë atje, po dua të them që vetë e minimizojnë gjendjen.
Mostrajtimi i mirë i problemit bëri që dhe gratë tani janë frymëzuar aq shumë, sa thonë “mirë veprojnë çunat tanë”. Tani kur dalin në rrugë vënë përpara fëmijët që të gjuajnë me gurë e pas tyre vijnë gratë.
Gjatë kësaj periudhe nga 28 marsi deri në 4 korrik u vazhdua puna normalisht për të evidentuar të dhënat që vinin, se do të bëhej një demonstratë e madhe e do të sulmoheshin depo armësh. Kishte të dhëna që këto veprime drejtoheshin nga Tirana, se personat që organizojnë ngjarjet në Kavajë paguhen. Madje nga informacionet që ka marrë kryetari i degës, del se jugosllavët për këto ngjarje në Kavajë dhe në rrethin e Shkodrës kanë paguar jo më pak se 500 mijë dollarë.
Më datën 2,3 dhe 4 korrik dolën të dhëna të tjera, se në mbështetje të veprimeve të Tiranës do të organizohet në Kavajë një demonstratë e madhe pas ndeshjes finale me Gjermaninë. Pas ndeshjes, më 4 korrik, në orën 11 të natës në të gjitha rrugicat dolën në mënyrë demonstrative mijëra njerëz që u drejtuan për në qendër dhe brohoritnin gjoja për fitoren e gjermanëve. Atje shkoi sekretari i Partisë, Agron Tafa, shefi i policisë, kryetari i komitetit ekzekutiv dhe u thanë njerëzve të shpërndaheshin se ishte natë. Në drejtim të tyre filluan të godisnin me gurë, Agronin e goditën në kokë. Turmat e njerëzve u larguan nga qendra dhe u futën në errësirë, thyen të gjitha xhamat e dyqaneve në mënyrë masive në një gjatësi prej 800 metrash. Filluan të hidhnin parulla “Duam Gjermaninë e bashkuar”, “Duam Europën e bashkuar”, “Tirani, nuk mbahet populli kështu”, “Do t’u shtypim kokat”, “Morrat në fund”. Kjo situatë ka vazhduar deri në orën 12 të natës. Po policia dhe sampistët nuk ndërmorën asnjë veprim.
Shoku Ramiz Alia: Këtë e provokuan Agroni me shokë?
Shoku Hekuran Isai: Tre veta ishin ata.
Shoku Ramiz Alia: Aq, mjaftojnë. ç’u duhej atyre? Analiza duhet bërë e saktë. Njerëzit që dolën në rrugë në fillim çfarë po thoshin? Fitoi Gjermania ndeshjen. Po mirë. T’i linin me kaq e të mos u fliste njeri...
Përgatiti materialet: Ferdinand Dervishi
(vijon nesër)

“çfarë rrëfeu i infiltruari ynë në Ambasadën Italiane”

Më poshtë do të jetë përmbajtja e një dokumenti shumë interesat, një informacion që krerët e KQ të Rinisë i dërgonin KQ të Partisë së Punës së Shqipërisë për 2 korrikun 1990. Informacioni i firmosur nga Lisien Bashkurti, kreu i KQ të Rinisë në atë kohë, informon për gjithçka ishte duke ndodhur në brendësi të ambasadës italiane të mbushur dingas me azilkërkues. Një njeri i brendshëm i tyre, që kishte arritur të futej në ambasadë si i infiltruar, raporton gjithë çfarë ndodh atje, si është morali i të rinjve të futur në brendësi, si sillet personeli italian e të tjera hollësi. Për çudi, në fund të informacionit ka edhe sugjerime për Komitetit Qendror të PPSH-së, të llojit: “...Duhet të përpiqemi që t’i heqim pak nga pak ngjyrat politike rreth kontingjenteve të futura në ambasada”. “...Zbutja e ngjyrave politike e gjykojmë se do të ftohë gjaqet”. “...Të themi se shqiptarët po ikin për problemet ekonomike dhe jo për ato politike, gjë që, në kushtet e largimit me mijëra, mund të na hapë probleme serioze...”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›