Seleçao në kor: Melo na eliminoi
Brazili i jep lamtumirën Botërorit afrikano-jugor edhe pse deri pak orë më parë shihej si pretendentja kryesore për fitimin e tij. Por humbja me Holandën ka një fajtor të vetëm, Felipe Melon. Kjo është ajo që mendojnë ish-ikonat e Seleçaos, duke filluar me Ronaldon, Kafunë, Emersonin e deri te Falkao. Mesfushori i Juventusit është ai që bëri të mundur eliminim e Brazilit.
Ronaldo - Shumë i ashpër ka qenë reagimi dhe deklarata e Ronaldos, ish-sulmuesit të Brazilit, rekordmenit të golave të shënuar në gjithë historinë e Botëroreve. “Felipe Melo as të mos e mendojë se sivjet mund të bëjë pushime në Brazil. Do të ishte më mirë për të sikur të mos dukej për disa kohë nga këto anë”. Më shumë sesa një deklaratë, ky i Ronaldos ngjan si një kërcënim.
Kafu – Edhe ish-kapiteni i verdhegjelbërve, Markos Kafu, njeriu që ngriti Kupën e Botës në vitin 2002, ka akuzuar Melon. “Felipe është një lojtar me cilësi të shkëlqyera, por ndonjëherë ato nuk mjaftojnë nëse nuk arrin të zotërosh nervozizmin tënd. Kartoni i kuq i marrë prej tij ishte çelësi i dështimit të Brazilit. Por, tani e tutje, Melo, bën mirë të fillojë të mendojë se si të zgjidhë problemet me nervozizmin e tij, ose përndryshe t’i lërë vendin të tjerëve në kombëtare”.
Emerson – Kur Felipe Melo veshi fanellën e Seleçaos, shumë e krahasuan atë me Emersonin, po ky i fundit as që ka ndërmend ta pranojë këtë krahasim. “Felipe gaboi rëndë. Në fushë më duhet shumë egoist, por kurrsesi nuk mund të krahasohet me mua, sepse unë nuk e kam penalizuar kurrë kombëtaren. Mbase, Melo duhet të fillojë të kuptojë realisht peshën e asaj fanellë”.
Falkao – “Që nga eliminatoret, Felipe Melo kishte shfaqur shenja pasigurie dhe nervozizmi. Të njëjtën gjë bëri edhe ndaj Holandës, por pasojat ishin shumë më të rënda. Për mua, ai është një lojtar që nuk duhet të veshë më kurrë fanellën e Brazilit”, tha ish-lojtari i vite ’70-’80.