Maradona-Lëv, një sfidë nervash
Duket si një “deja-vu”. E njëjta përballje, në të njëjtën fazë të Kupës së Botës, por tashmë në pozita dhe në një kënvështrim krejt ndryshe.
Dy skuadra që kanë ndryshuar shumë, jo përsa i përket vetëm emrave, por karakterit dhe stilit të lojës. Argjentina përballë Gjermanisë, për të marrë “hak” nga eliminimi i Botërorit të katër viteve më parë. U deshën gjuajtjet e 11-metërshave për të lënë jashtë bardhekaltrit, ndërsa gjermanët e Klinsmanit në atë kohë, siguruan një biletë për në gjysmëfinale. Nuk munguan as nervat dhe përplasjet mes futbollistëve, të cilat shpresohet që të mos trashëgohen edhe në këtë përballje. Dy skuadra shumë të bukura për t’u parë, sfidohen shumë herët (meritonin të përballeshin më vonë, vetëm prej asaj që kanë dhuruar). Gjithsesi, në një kompeticion kaq prestigjoz, ku mbizotëron vetëm më i miri, rëndësi ka që të likuidosh çdo rival që të del përballë.
Gjermani multietnike, me futbollistë të përzgjedhur me kujdes nga Joakim Lëvi, por që kanë formuar një grup me të vërtetë të admirueshëm, të rinj në moshë dhe nuk kanë eksperiencën e duhur për kompeticione kaq të rëndësishme. Gjithsesi, ata kanë treguar një aftësi mahnitëse taktike, e cila ka bërë diferencën edhe përballë kundërshtarëve të mëdhenj. Bileta për në çerekfinale ka qenë sa e vështirë, aq edhe e merituar për gjermanët. Vuajtën paksa në fazën në grupe, por nuk dështuan për t’u kualifikuar si të parët. Që në raundin tjetër iu desh të “luajnë” rrezikshëm me fatin e tyre në Botëror, pasi u përballën me Anglinë. Gjithsesi, ekipi i emrave të mëdhenj dhe lojtarëve të mirëpaguar, u gjunjëzua në mënyrë spektakolare nga “vogëlushët” e Joakim Lëvit. Emra të rinj si Mesut Ozil dhe Tomas Myler, i dhanë një leksion “luanëve” dhe mbi të gjitha, treguan se janë gati për të lënë gjurmë në historinë e futbollit. Tani e ka radhën Argjentina dhe ata nuk kanë emocione apo frikë, por besim të plotë se mund të likuidojnë edhe një tjetër gjigant. Argjentina, e furishme dhe e pamëshirshme. Shumë dyshime mbi aftësitë drejtuese të trajnerit Maradona, por ai ka formuar një ekip që luan me zemër në fushën e lojës. Gjermania vjen me statusin e duhur. Ka treguar se eliminon të mëdhenjtë, ndërsa argjentinasit mirëpresin çdo duel të vështirë.
Formacionet e mundshme
Argjentina: Romero, Otamendi, Demikelis, Burdiso, Heinze, Rodriguez, Maskerano, Di Maria; Mesi; Tevez, Higuain. Trajner: Diego Maradona
Gjermania: Nojer; Lahm, Friedrish, Mertesaker, Boateng; Khedira, Shvainstajger, Myler, Ozil, Podolski, Klose. Trajner: Joakim Lëv.