E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazili "B" mund Tiranën në Turqi

Pasi ka fituar 5-1 ndeshjen e
parë ndaj modestëve turq
të Bafra Beledyespor, dy
ditë më parë, Tirana humbet 1-3
miqësoren e luksit përballë
skuadrës Brazili "B", të luajtur dje
në Antalia, atje ku bardheblutë po
zhvillojnë që prej 10 janarit minifazën
përgatitore.
Miqësorja
Nuk bëhet fjalë për një kombëtare
të mirëfilltë, por për një
grup futbollistët të rinj dhe të talentuar
nga vendi i Sambas, të
përzgjedhur për t‘u stërvitur në
Turqi, ku edhe mund të jenë nën
vëzhgimin e menaxherëve të
shumtë të interesuar për t‘i blerë
ata për klubet e tyre evropiane.
Drejtuesit e këtij seleksioni brazilian
kanë pranuar ofertën e bardhebluve
për zhvillimin e një
ndeshjeje miqësore dhe kjo është
konkretizuar dje, në një nga ambientet
sportive të Antalias. Lajmi u
bë i njohur nga burime pranë
skuadrës së Tiranës në Turqi dhe
më pas u konfirmua edhe nga
shefi i klubit bardheblu, Edi Gjini.
Edhe pse takimi ka pasur vlerën e
një testimi për lojtarët e të dyja
skuadrave, mësohet se në fushë
është luajtur një futboll i vërtetë,
ku në fund bardheblutë kanë rezultuar
humbës. Trajneri Austin
Kola ka zbritur në fushë më të
mirët që kishte në dispozicion,
duke formuar një 11-she titullare
të përbërë nga Nallbani në portë;
Lila, Osmani, Dabulla e Abraham
në mbrojtje; Muzaka, Pezo, Devolli,
Agolli dhe Xhafaj e Memelli në
sulm. Gjatë pjesës së dytë të
ndeshjes janë bërë edhe zëvendësimet
e tjera nga trajneri Kola.
Mes të aktivizuarve si zëvendësues
ishte edhe kapiteni Devis
Mukaj, i cili ka spikatur, duke
shënuar golin e vetëm të bardhebluve
në këtë takim, që ka përfunduar
me rezultatin 3-1 në favor të
brazilianëve të rinj. Pas humbjes,
gjithçka është lënë pas, pasi Tiranës
i duhet të mendojë më
shumë për përgatitjen për të përballuar
me sukses pjesën e dytë të
sezonit të kampionatit shqiptar të
futbollit.
Merkato
Merkatoja e dimrit do të vazhdojë
të jetë e hapur deri më 31 janar
dhe Tirana është përforcuar me
dy lojtarë, sulmuesin Xhualian
Rrudho dhe mesfushorin Sajmir
Patushi. Por merkatoja nuk quhet
e mbyllur për ta, edhe pse e theksojnë
se edhe me lojtarët që kanë
dispozicion, janë në gjendje të
synojnë fuqishëm titullin kampion
të sezonit. Këtë e theksoi fort
presidenti Refik Halili, sipas të cilit,
trajneri Kola e ka në dispozicion
potencialin e nevojshëm të
lojtarëve për të konkurruar fort Vllazninë,
madje për të fituar edhe
titullin. "Unë kam besim te kjo
skuadër dhe pavarësisht se merkatoja
është e hapur deri në fund
të janarit, e them me bindje se ky
grup është i plotë dhe i ka të gjitha
kapacitetet të arrijë objektivat e
tij. Jam optimist për këtë ekip dhe
nuk dyshoj, përkundrazi, besoj në
premtimin që kemi bërë për të
fituar titullin kampion", nënvizoi
presidenti bardheblu.

Sot pritet mbledhja e kryesisë

Kishte kohë që pritej të zhvillohej, por vetëm sot mund të bëhet
realitet, edhe pse gjasat nuk të japin shumë garanci. Bëhet fjalë
për mbledhjen e kryesisë së klubit Tirana, i përfshirë prej disa kohësh
në një krizë marrëdhëniesh mes katërshes së donatorëve, e
cila ndikoi jo pak edhe në paraqitjen e klubit në fushë. Ishte parashikuar
për t‘u realizuar të premten e kaluar, por, për shkak të impenjimit
të donatorit Agron Papuli jashtë vendit, gjithçka është shtyrë
për sot. Sipas burimeve brenda klubit bardheblu, mbledhja është
programuar të zhvillohet rreth orës 18:30. Në të shpresohet të marrin
pjesë të gjithë anëtarët e kryesisë, në mënyrë që analiza të ketë
rëndësinë e saj dhe trajtimi i problemeve të kapë një rrafsh të gjerë
shqetësimesh që ka sot klubi. Të katër donatorët e klubit janë njëkohësisht
dhe anëtarë kryesie dhe raportet jo të mira mes tyre e kanë
komplikuar problemin e menaxhimit të Tiranës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›