Kuvendi, nis sot sesioni i parë për 2009-ën
Pas pushimeve të vitit të ri, Kuvendi nis sot sesionin e ri parlamentar. Zyra e shtypit e Kuvendit njofton se sot, në orën 17:00, deputetët do të mblidhen për të zhvilluar seancën e parë parlamentare për këtë vit. Ky është sesioni i 8, legjislatura e 17. Ende nuk është saktësuar se çfarë do të përmbajë seanca e parë parlamentare, çfarë do të diskutojnë deputetët, pasi java që kaloi, megjithëse ishte njoftuar si javë pune dhe deputetët duhet të mblidheshin në komisionet parlamentare. Kjo gjë nuk ka ndodhur dhe i vetmi komision që është mbledhur ka qenë Komisioni i Jashtëm, i cili ka marrë në shqyrtim kandidaturën e ambasadorit për në Kosovë, duke dhënë mbështetjen e mazhorancës dhe opozitës për dekretimin e tij. Sot, do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila ashtu siç ka bërë gjithmonë, do të miratojë rendin e ditës, i cili do t‘u bëhet i ditur deputetëve në seancën e pasdites. Në seancën e sotme pritet që të jetë për miratim propozimi i Presidentit për anëtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese, Admir Thanza. Deri më tani, nuk është bërë asnjë koment për emrin e Thanzës, nëse është i pëlqyer për mazhorancën apo jo. Vlen për t‘u theksuar se sesioni i shkuar parlamentar ka qenë mjaft i ngjeshur dhe janë miratuar ligje të rëndësishme. Po kështu, pritet të jetë edhe sesioni i ri, pasi ky është sesioni i fundit për këtë Parlament deri në zgjedhjet e 28 qershorit 2009.