E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policët, pa kontrata pune

PAMECA i tërheq vëmendjen policisë
shqiptare për kontratën e
uniformave blu. Kjo çështje është
diskutuar pak ditë më parë në
një takim që përfaqësuesit e policisë
kanë pasur me ata të organizmit policor i
cili është instaluar nga OSBE-ja pranë
Ministrisë së Brendshme shqiptare. Takimi
ka pasur si qëllim diskutimin mbi aktet
nënligjore dhe vendimet e qeverisë,
që aktualisht policia nuk i ka vënë ende
në zbatim, ku si më i rëndësishmi ka
spikatur kontrata kolektive e punonjësve
të policisë, e cila mban peng edhe kontratën
personale të çdo uniforme blu.
Burimet nga Drejtoria e Përgjithshme
e Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se
vetëm pak ditë më parë, me kërkesën e
organizmit policor evropian PAMECA, është
organizuar një takim dypalësh me Policinë
e Shtetit. Qëllimi i kësaj mbledhjeje
ishte diskutimi mbi aktet nënligjore dhe
vendimet e qeverisë, që kanë të bëjnë me
Ligjin e Policisë së Shtetit, qoftë ato të
miratuara, qoftë edhe ato që ende kanë
mbetur pezull. Por, për ato që tashmë janë
"vulosur", kanë marrë më shumë hapësirë
diskutimet, pasi implementimi i tyre mbetet
në dorë të Policisë së Shtetit. Për këtë
arsye, nga të dhënat konfidenciale mësohet
se krerët e PAMECA-s kanë kërkuar
informacion se pse ato (vendimet e qeverisë),
nuk janë vënë ende në zbatim. Në
këtë aspekt, një vëmendje e veçantë i është
kushtuar kontratës kolektive të punës
në polici. Sipas të dhënave, aktet nënligjore
për këtë çështje janë miratuar dhe
tashmë ka mbetur vetëm miratimi i tyre.
Madje, një kopje për këtë kontratë është
projektuar edhe nga Sindikata e Policisë,
e cila prej muajsh e ka paraqitur atë për
vlerësim te Drejtoria e Personelit në Drejtorinë
e Përgjithshme të Policisë, por mësohet
se nuk është marrë ende ndonjë
përgjigje prej tyre. Burimet shpjegojnë se
kjo është edhe një ndër çështjet më të
rëndësishme të Policisë së Shtetit, pasi
është njëkohësisht edhe pengesë për
hedhjen e hapave të tjerë në legjislacionin
e policisë. Ky bllokim, automatikisht
lë pa nënshkruar kontratat personale të
çdo punonjësi policie. Me miratimin e saj,
fillon procedura edhe për "marrëveshjet"
individuale, duke respektuar në këtë
mënyrë një nga nenet më të rëndësishme
të ligjit për Policinë e Shtetit. Por,
përballë këtyre "kritikave" nga ana e
PAMECA-s, policia është justifikuar me
faktin se po punon për miratimin e kontratës
kolektive të punës dhe se po punohet
çdo ditë nga specialistët e saj për këtë
çështje të rëndësishme.
Ndërkaq, i kontaktuar nga "Shqip",
për këtë problem ka reaguar edhe kreu i
Sindikatës së Policisë, Sadetin Fishta. Në
një prononcim, Fishta deklaroi se para
pak ditësh është thirrur edhe ai në një
takim me PAMECA-n, ku kanë diskutuar
mbi masën e respektimit që po i bëhet
ligjit për Policinë e Shtetit nga strukturat
përkatëse dhe problemet e tjera, të ngritura
sistematikisht nga sindikata. Gjithashtu,
Fishta vuri në dukje se një kontratë
kolektive është përgatitur prej kohësh
nga specialistët e sindikatës. Ajo
është dërguar paralelisht për vlerësim
edhe në polici. Kryesindikalisti i policisë
u shpreh se kjo i hap rrugën edhe kontratave
individuale, duke i dhënë fund
odisesë që po përjetojnë punonjësit e
policisë, të cilët pavarësisht se janë pjesë
e administratës shtetërore, nuk kanë një
kontratë pune dhe mund të hidhen në
rrugë nga momenti në moment, pa përmendur
edhe shkeljet e tjera ligjore që
bëhen si pasojë e kësaj mungese.
Megjithatë, burimet policore shpjegojë
së shpejti pritet një takim trepalësh, Polici-
Sindikatë-PAMECA për të diskutuar
mbi këtë çështje.

Çfarë parashikohet në kontratën që mungon

- Detyrimet për funksionimin normal
të Sindikatës
- Kohëzgjatja e kontratës
- Ndalimi i diskriminimit në punë
- Efektet mbi kontratën individuale të
punës
- Pranimi në punë
- E drejta për specializim dhe kualifikim
- Lëvizjet dhe largimet nga puna
- Koha normale e punës dhe shtesat
mbi pagë për kohëzgjatjen
- Kohëzgjatja e pushimit vjetor
- Pushime të tjera
- Përkujdesja për persona në ngarkim
- Përfitimet në rast sëmundjeje
Mbrojtja në punë
- Pagat
- Shpërblimet e pagesa të tjera
- Dhënia e pensioneve dhe përfitimet
suplementare
- Sigurimet shoqërore
- Kushtet e jetesës e rehabilitimit
- Kushtet e punës dhe mbrojtja në
punë
- Liritë dhe të drejtat sindikale
- Pjesëmarrja në organet drejtuese
të Sindikatës
- Komisioni i bashkërendimit
- Zgjidhja e mosmarrëveshjeve
- Detyrimet dhe sanksionet
- Ndryshimet dhe pushimi i kontratës



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›