E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Të ikin anëtarët e Kushtetueses që preken nga dosjet

Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që preken nga ligji i lustracionit. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, në emër të kampit blu, konfirmoi planin e Partisë Demokratike për të "sulmuar" ish-zyrtarët e lartë të para viteve ‘90. Zëdhënësi Bumçi, duke cituar vendimin e Gjykatës së Strasburgut mbi etikën profesionale të gjyqtarëve të miratuar në qershor të 2008-ës, u shpreh se ky vendim prevalon mbi çdo Kushtetutë të vendeve evropiane. Partia Demokratike publikoi dje një dokument me dhjetë pika të hartuara vitin e kaluar nga Gjykata e Strasburgut mbi funksionimin e gjykatave. Sipas deputetit Bumçi, dokumenti i Gjykatës së Strasburgut sanksionon qartë në një nga pikat e saj që gjykatësit nuk duhet të kenë konflikt interesi. Duke iu referuar këtij dokumenti, PD-ja kërkon që gjashtë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët janë në konflikt me ligjin e lustracionit, të mos marrin pjesë në gjykimin e ligjit kur ai të mbërrijë për ankimin, ndërsa ky qëndrim është bërë i qartë edhe nga vetë kreu i mazhorancës, Sali Berisha.

Pasi "Ligji i Dosjeve" hyri në fuqi pa firmën e Presidentit, Partia Socialiste deklaroi se do ta ankimonte në Gjykatën Kushtetuese. Por, sipas Kryeministrit Sali Berisha, Gjykata Kushtetuese nuk mund ta marrë në shqyrtim "Ligjin e Dosjeve", pasi ka konflikt interesi me këtë ligj. "Ata do të kujdesen për të evituar konfliktin e interesit, si dhe situata të cilat në mënyrë të arsyeshme mund të shikohen sikur japin shkak për konflikt interesi. Mendoj se ky sqarim që i bën Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut paanshmërisë, është shumë i qartë. Duhet të evitohet konflikti i interesit, por dhe raste që në mënyrë të arsyeshme mund të shikohen si konflikt interesi", shprehet Bumçi. Sipas tij, këto kritere janë të detyrueshme për gjyqtarët e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut. "Kjo është piramida e sistemit gjyqësor në kontinentin evropian. Nëse këto kritere janë të detyrueshme për këta gjyqtarë në Gjykatën e Strasburgut, atëherë në të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës janë të gjithëpranuara kriteret bazë të boshtit ku duhet të bazohet sjellja e gjyqtarit", u shpreh Bumçi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›