Brazili e Spanja, favoritë në ‘Londra 2012’

Krahas sporteve të ndryshme, në ‘Londra 2012’ do të marrin pjesë edhe përfaqësueset e futbollit, me grupmoshat U-23. Dhe, sipas bastores së njohur William Hill, Brazili, që në Olimpiadën e Pekinit kishte përfunduar i treti, është favorit i këtij evenimenti për ta fituar medaljen e artë, me kuotën më të vogël, 2,88.
Skuadra jug-amerikane përbëhet nga lojtarë të njohur si David Luiz i Chelseat, Alexandre Pato i Milanit dhe pa dyshim ylli i këtij vendi, Neymar nga Santos. Në pozitën e dytë, sa u përket mundësive reale për të ngadhënjyer, gjendet Spanja, e cila është kampione e Evropës në grupmoshat U-17, U-19 e U-21 dhe natyrisht në kategorinë seniore. William Hill, triumfin e ‘La Rojita’ e ka vlerësuar me kuotën 3.
Ndërkaq, mikpritësi i Olimpiadës, Britania e Madhe është favoriti numër tre, dhe është kuotuar me 7. Edhe pse mungon David Beckham, ky ekip mund të përqendrohet tek veteranët Ryan Giggs e Craig Bellamy, plus mbrojtësi Micah Richards.
Natyrisht, nuk duhet harruar se britanikët do t’i kenë në ekip edhe talentët si Daniel Sturridge, Aaron Ramsay e Tom Cleverley. Ndër skuadrat që kanë mundësi për të triumfuar në Londër shihet edhe Zvicra, e cila në Olimpiadë do të përfaqësohet nga pesë futbollistë shqiptarë.