E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bufon optimist pas humbjes: Do të takohemi në Botërorin e 2014-ës

Përgatiti: DENIS HAKANI

Numri një i Italisë ka dashur të falënderoj shokët e skuadrës dhe ka zbuluar objektivat e tij për të ardhmen: Dua të jem akoma protagonist me Italinë

Humbja e pësuar në finale kundër Spanjës nuk ka pakësuar dëshirën e Xhixhi Bufon për të veshur fanellën e Italisë. Nga faqja e tij në Facebook kapiteni axurr ka shprehur qëllimin e tij për të vazhduar akoma aventurën me kombëtaren si protagonist.

Po filloj duke ju lënë një takim: Brazil 2014-të, madje, akoma më mirë… po e afroj takimin me dymbëdhjetë muaj me Kupën e Konfederatave, domethënë qershor 2013-të! Dua të jem në fushë dhe jo vetëm për numër. Ju kam folur për një ëndërr.

Të dielën i kam shkuar afër, por ëndrra vazhdon. Jemi rritur në këtë muaj si skuadër dhe me vetëdijen se jemi një grup. Një grup ku secili ka bërë pjesën e tij dhe më shumë. Ku secili ka gjetur hapësirën e tij.

Një grup që ka kurorëzuar një Kapiten të madh që nuk jam unë. Por Çezare Prandeli. Një mësues në fillim dhe më pas një trajner. Një njeri i mirë dhe më pas një seleksionues. Bufon ka vazhduar, duke folur për ecurinë e axurrëve.

Një elozh për shokët e tij të skuadrës: Mund të jemi krenarë për atë që kemi bërë. Surpriza e vërtetë në Kiev nuk ka qenë kupa e ngritur nga Kasiljas, por fakti se ishim ne kundërshtarët e kampionëve të gjithçkaje.

Spanjollët janë akoma të paarritshëm… i shikon në sy dhe e di se për momentin nuk mund ti mposhtësh… Por kam fjetur i qetë sepse jam i vetdijshëm se kemi dhënë gjithçka në fushën e lojës. Një shënim i vogël edhe për ata që nuk kanë besuar të kombëtarja e Italisë:

Na keni parë të thyer nga lodhja, në lot, me një medalje argjendi të varur në qafë që nuk mund të ketë shijen e humbjes kur ke dhënë gjithçka. Për disa tradhtarë të rastit duhej të ishim eliminuar që në fazën me grupe. Kemi shkuar në Kiev të karikuar vetëm më mendime të bukura.

Ato më të bukurit ia drejtoj tifozëve, shpërblimi i vërtetë i këtij muaji masakrues. Mbyllja i është dedikuar grupit axurr, që kapiteni ka dashur ti falënderojë hapur: Kurrë nuk do të kisha dashur të shikoja në sytë tuaj një zhgënjim kaq të madh. Por, duhet të jemi largpamës, të shkojmë përtej.

Kjo dallgë na ka përmbytur. Ajo e ardhshmja do të jetë perfekte. Ka qenë një nder për mua që kam luajtur me një grup të tillë, një grup lojtarësh cilësorë që e njohin vlerën e përfaqësimit të Italisë sonë!.

Për tifozët: Faleminderit për atë që më keni dhuruar, falënderoj jetën që më ka dhënë mundësi të jem kapiteni i tyre…, ka shkruar Bufon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›