E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali Mbarëkombëtar i Teatrove, cilat do të jenë veprat?

Autori i Lajmit: Redaksia

Rikthehet pas 5 vitesh Festivali Mbarëkombëtar i Teatrove në Teatrin Kombëtar. Prej rreth 1 muaji janë njoftuar të gjithë autorët shqiptarë, regjisorët shqiptarë me anë të një letre, ku njoftohen që brenda datës 13 shkurt ata të paraqesin veprat e tyre për pjesëmarrjen në këtë festival. Festivali Mbarëkombëtar i Teatrove është një ndër aktivitetet që do të mbahet gjatë muajt maj në kuadër të krijimit të Teatrit Kombëtar. Festivali mbarëkombëtar do të mirëpres regjisor dhe dramaturg me pjesë kombëtare. Rikthimi pas pesë vjetësh i këtij festivali është një event i rëndësishëm në Teatrin Kombëtar dhe për autorët shqiptarë, të cilët duket se kohët e fundit kanë dalë paksa “jashtë mode” apo skenat teatrore nuk po i kushtojnë rëndësinë e duhur.
Trupat teatrore të qyteteve të ndryshme si, Fieri, Korça, Shkodra, Elbasani e të tjerë, janë duke u përgatitur për këtë event, ndërsa nuk dihet ende se cilat do të jenë shfaqjet pjesëmarrëse, cilat vepra, autorët dhe regjisorët e këtyre shfaqjeve. Këtë presim ta mësojmë dhjetë ditë më pas, pas përfundimit të afatit që u është lënë teatrove shqiptare për paraqitjen e veprave të tyre.
Ndërsa skena e teatrit do të jetë në shërbim për Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrove, në muajin maj është parashikuar të vihet në skenë "Hamleti" i Shekspirit. Kësaj here jo një regjisor shqiptar, por regjisori grek Jorgo Qimulis është angazhuar për ta sjellë veprën para publikut.
Pesë vjet më parë...
Veprat shqiptare kanë qenë në qendër të vëmendjes në Festivalin Teatror pesë vjet më parë, edhe zhvillimi i fundit i këtij eventi. Veprat pjesëmarrëse në këtë festival që është zhvilluar në 12 deri 18 dhjetor të vitit 2005 ishin, "Streha e të harruarve", drama e Ruzhdi Pulahës e vënë në skenë nga rejgisori Mihallaq Luarasi, "Hijet e natës", shkruar nga Vedat Kokona, me regji të Hervin Çulit, teatri "Petro Marko" i Vlorës me “Shpirtin e Ujkut” të Ferdinand Hysit.
Ndërkohë që teatri i Korçës morri pjesë me “Kur skishte melodi” të Adelina Balashit, që është edhe autorja e “Pallati 176”, teatri "Bylis" i Fierit me “Vllazëri e interes”, teatri "Migjeni" i Shkodrës me “Vizita e fundit” një dramë e Albri Brahushës. Njëkohësisht edhe dy shfaqje nga trupa jo profesioniste. “I am from Albania”, me aktore protagoniste Ema Andrean, ndërsa tjetër shfaqje është
“Ndodhi shqiptare”, një shfaqje e shkruar nga një italian, ku interpreton vetë autori italian dhe aktori i Teatrit Kombëtar, Mirush Kabashi. Gjatë festivalit pati edhe dy trupa konkurruese nga jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë. Bëhet fjalë për teatrin e Shkupit me “Repriza e lirisë” si dhe teatri profesionist i Gjilanit me “Darka Publike”.

Letërsi

Tradhtia, intriga, dashuria obsesive në “Nata e një mijë e një netëve”
Edhe pse autori është Nobel për Letërsinë, ai njihet pak nga lexuesi shqiptar. Për këtë arsye u zgjodh të përkthehet e botohet romani i tij “Nata e një mijë e një netëve”. Kjo zgjedhje u bë për shkak të lidhjes me veprën e lashtë të lexuar gjerësisht nga lexuesi shqiptar, duke bërë kështu një kalim të bukur në letërsinë moderne egjiptiane. Në këtë roman tema klasike kthehet në një alegori të shoqërisë moderne egjiptiane. Kjo vepër ka shijen e rrëfenjave të lashta, por shkon më thellë në tema si tradhtia, intriga, dashuria obsesive, padrejtësia shoqërore, që do ti ndihmojnë lexuesit të plotësojnë idenë e tyre rreth kulturës arabe gjatë shekullit të fundit. Romani “Nata e një mijë e një netëve” vjen me përkthimin e Hysen Sinanit.
Nagib Mahfuz
Naguib Mahfouz ka qenë një romancier egjiptian që fitoi Çmimin Nobel për Letërsinë në 1988. Ai konsiderohet si një nga të shkrimtarët e parë bashkëkohorë të letërsisë arabe, së bashku me Taëfiq el-Hakim, që eksploroi temat e ekzistencializmit.
Naguib Mahfouz lindi në Kajro në 1911 dhe filloi të shkruante kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç. Student filozofie dhe lexues i pangopur, veprat e tij radhisin që prej riimagjinimit të miteve antike e deri në komentet e holla mbi politikën dhe kulturën bashkëkohore egjiptiane. Ai ka botuar mbi 50 romane, mbi 350 tregime, dhjetëra skenarë filmash dhe pesë drama përgjatë një karriere 70 vjeçare. Shumë nga veprat e tij janë përdorur për filma arabë dhe të huaj.
Në 1988 Naguib Mahfouz u bë i pari shkrimtar arab që mori një Çmim Nobel për Letërsinë. Ndërkohë që Mahfouz është parësisht dhe për më së shumti një rrëfimtar, ai i jep lexuesit një “bakshish” shtesë duke iu treguar histori të njerëzve nga të gjitha rrugët e jetës. Kështu, Mahfouz përshkruan me saktësi problemet ekzistenciale me të cilat përballen egjiptianët bashkëkohorë. Rezultati është një vështrim intim dhe tepër personal i jetës në Egjipt.
Romanet e tij, që trajtojnë klasën punëtore urbane, përfshijnë veprën gjysmë-autobiografike Khan al-Kasrain/Trilogjia e Kajros (1956–57). Libri i tij Fëmijët e Gebelaëi u ndalua në Egjipt për shkak të trajtimit që i bënte temave religjioze. Romane të tjera të tij janë Al-Lis s ëa-al-Kilab/Hajduti dhe Qentë (1961), Al-Shah hadh/Lypsari (1965), dhe Miramar/Miramar (1967). Ai u plagos rëndë nga një sulm me thikë prej militantëve islamikë jashtë shtëpisë së tij në Kajro në tetor 1994.
Ligjërata e Nobelit
Unë jam bir i dy qytetërimeve që në një kohë të caktuar kanë bërë një martesë të lumtur. I pari, shtatë mijë vjeçare, është qytetërimi faraonik; i dyti, një mijë e katër qind vjeçar, është ai islamik...Ishte fati im, zonja dhe zotërinj, të lindja në prehrin e këtyre dy qytetërimeve, dhe të thithja qumështin e tyre, të ushqehesha me letërsinë dhe artin e tyre. Më pas piva nektarin e kulturës tuaj të pasur e mahnitëse. Nga frymëzimi i gjithë kësaj – si edhe ankthet e mia personale – fjalët rrodhën prej meje. Këto fjalë kishin fatin të meritonin vlerësimin e Akademisë tuaj të respektuar, që ka kurorëzuar përpjekjen time me Çmimin e shkëlqyer Nobel. Faleminderit prej meje dhe në emër të tërë atyre ndërtuesve të mëdhenj të shkuar të cilët kanë themeluar dy qytetërimet. Po, si arriti një njeri që vjen nga Bota e Tretë të gjente paqen mendore për të shkruar histori? Fatmirësisht, arti është bujar dhe i dhimbsur. Ashtu siç merret me të lumturit, nuk i braktis fatkeqët. U ofron të dyve njëlloj mjetet e nevojshme për të shprehur çka ua mbush kraharorin. Pavarësisht asaj që ndodh përreth nesh unë jam i përkushtuar ndaj optimizmit deri në fund. Unë nuk them me Kantin se e Mira do të jetë fitimtare në botën tjetër. E Mira është të arrish fitore çdo ditë. Mundet madje që e keqja të jetë më e dobët se çe imagjinojmë. Para nesh qëndron një provë e pashlyeshme: sikur fitorja të mos ishte gjithmonë nga ana e të mirës, hordhitë e njerëzve endacakë nuk do tia kishin dalë përballë bishave dhe insekteve, fatkeqësive natyrore, frikës dhe egoizmit, për tu rritur e shumuar. Ata nuk do të kishin qenë në gjendje të formonin kombe, të shkëlqenin në krijimtari dhe shpikje, të pushtonin hapësirën, dhe të shpallnin të Drejtat e Njeriut. E vërteta është se e Keqja është një lavire e zhurmshme dhe e egërsuar, dhe se Njeriu mban mend më shumë atë që e lëndon sesa atë që e kënaq.

Ti doje të shkruaje një fugë
Pas dy romaneve të botuar në dy vitet e fundit, “Katër, ose një film i fundit mbi komunizmin tonë” (2008) “Mandakall, ose një vrimë që hapet në realitet zor se mbyllet” (2009), autori Idlir Azizi vjen sërish në Zenit, këtë radhë me një sprovë krejtësisht të veçantë që rreh të konceptualizojë në tekstin “Ti doje të shkruaje një fugë” pasuar nga “e/h”, atë çka është paralajmëruar qysh në faqen e parë përmes një vargu poezie: ... Uf, me qenë – Vip – Skandal! Sa televizive! – si Bretkocë – Ta kuasësh emrin – në çdo Stinë – Hipur mbi këtë Moçal! Emily Dickinson (e parodizuar). Një profesor filozofie në universitetet private të Tiranës kërkon me ngulm një bombë. Por për çfarë e përse? Ky tekst shoqërohet nga një bisedë imagjinare mes Enver Hoxhës dhe mjekut të tij në fund të jetës. Si në dy romanet më parë, autori ka si skenë Tiranën e këtyre dhjetë viteve të fundit të post-tranzicionit. Dhe që fundon në një rezultat të zulmshëm e funksional, sa funksional aq edhe real... “... Sepse ja rezultati, dhe kaq është fundi i kësaj historie të gjatë, gjoja, unë skam arritur tek e fundit asgjë të rëndësishme në këtë vend, asgjë të madhe skam realizuar dot në Shqipëri, jo dhe aq të madhe e kam fjalën, me këtë popull e kam fjalën, vetëm se i kam bërë tashmë të gjithë shqiptarët ruajalistë. Me kohë të gjithë shqiptarët në Shqipëri do jenë ruajalistë, i tha aktori që luan Enver Hoxhën aktorit që luan rolin e mjekut të tij.”

Ky lajm është publikuar: 03/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›