Spastrimet e Revolucionit Kulturor, Kina “qetëson” Ballukun
Autori i Lajmit: Androkli DraloPekin, 16 janar 1967 - Populli i Kinës Komuniste u nxit nga Radio Pekini të dielën në mbrëmje që të përkrahë mbështetësit fitimtarë të Mao Ce Dunit në Shangai dhe të “merrnin pushtetin e politik dhe ekonomik në duart e tyre”. Transmetimi tha se Revolucioni Kulturor Proletar kishte arritur “një pikë kthese”. Dhe kryeministri Çu En Lai, duke folur në një banket në Pekin ditën e shtunë në mbrëmje për trazirat politike që zgjatën për muaj të tërë, tha se Kryetari i Partisë, Mao Ce Dun, kishte urdhëruar “një ofensivë të përgjithshme” kundër kundërshtarëve të tij. Në fjalimin e tij të transmetuar nga Agjencia e Re Kineze e Lajmeve dhe monitoruar në Hong-Kong, thuhej se Çu En Lai pretendonte se “linja borgjeze reaksionare po shkatërrohej në të gjitha frontet”, por paralajmëroi nga ana tjetër se kundërsulmet ishin nisur nga “një numër shumë i vogël personash, të cilët ishin mbërthyer pas opozitës së tyre. Sipas David Oancias i “Toronto Globe” dhe “Mail”, gazeta “Liberation Daily” e Ushtrisë së Kuqe konfirmoi se tashmë kishte nisur një spastrim në radhët e ushtrisë. Gazeta thoshte se “armët e popullit duhet të ishin në duart e atyre njerëzve, të cilët ishin besnikë ndaj Kryetarit Mao”, - shkruante Oancia. Makineria e propagandës së vendit, e kontrolluar nga forcat maoiste, ka veçuar presidentin Liu Shao Çi dhe Ten Hsiao Pinin, sekretar i Partisë, si armiqtë kryesorë të Revolucionit Kulturor maoist. Korrespondenti i agjencisë “Reuters” në Pekin, Vergil Berger, raportoi se turma të mëdha protestuesish duke thërritur slogane kundër Liut marshuan përmes rrugëve sërish ditën e djeshme. Bergeri tha se në orë të ndryshme gjatë ditës, turma me qindra njerëz qëndronin dhe vështronin përpara hyrjes së rezidencës zyrtare të Liut brenda kompleksit të rrethuar me mur të Nanhait. Ai tha se nuk kishte demonstrata të vërteta dhe se përfundimisht turmat kishin vazhduar përpara. Gruaja e Liut, Van Kuan Mei, u arrestua nga Rojet e Kuqe promaoiste më 6 janar dhe u detyrua të firmoste një deklaratë që denonconte bashkëshortin e saj, sipas agjencisë jugosllave të lajmeve, “Tanjug”, në një raportim nga Pekini, i cili citonte një gazetë të kryeqytetit kinez.
Rruga kapitaliste
Duke pretenduar se mbështetësit e Maos në Shangai kishin dalë fitues, Radio Pekini tha se punëtorët në atë qytet u ishin bashkangjitur “organizatave të tjera revolucionare” për tu rrëmbyer nga duart pushtetin “një dorë autoritetesh që ndjekin rrugën kapitaliste”. Më herët këtë muaj, ka pasur njoftime luftimesh të ashpra në Shangai mes punëtorëve dhe Rojeve të Kuqe (grupi i militantëve të rinj ka qenë një pararojë e lëvizjes së Mao Ce Dunit). Transmetimi i Pekinit tha kështu për zhvillimet e fundit në Shangai: “Ky veprim i punëtorëve dhe i masave të tjera revolucionare në Shangai tregon se Revolucioni Kulturor Proletar i vendit ka arritur një pikë të re kthese”. Vlerësimi i Radio Pekinit me fjalimin e mbajtur nga kryeministri Çu En Lai ishte pothuajse i njëjtë në ton. Kryeministri kinez shprehu të njëjtin qëndrim gjatë banketit të shtruar ditën e shtunë për nder të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes të këtij vendi, Beqir Balluku, i cili ndodhet për vizitë në Kinë.
Bën thirrje për luftë të re
“Ne jemi tashmë në procesin e një lufte të re në Revolucionin Kulturor”, - njoftohet të ketë thënë Çu En Lai. “Ajo është zbuluar tashmë nga “organizata rebele revolucionare” e Shangait”, - tha kryeministri kinez. Berger njoftoi se shtypi i Pekinit ditën e diel bëri një ekspoze të spikatur të hapjes së një fabrike xhami në Shangai. Ajo u ndërtua nga “komitetet e prodhimit revolucionar” dhe u përzgjodhën “punëtorët e grupit rebel revolucionar” për të punuar me qëllim rritjen e prodhimit. Berger tha gjithashtu se punëtorët po organizoheshin nga maoistët në grupe “rebelësh të kuq” për të kryer Revolucionin Kulturor në industri. Këto grupe pune, me sa duket, kanë marrë funksionet e Bashkimeve Profesionale, të cilat po riorganizohen dhe spastrohen”, - shtoi korrespondenti i “Reuters”-it.
Mësymje mes fshatarëve
Analistët këtu nga Pekini thanë se krijimi i këtyre grupeve “rebelësh të kuq” dhe komitetesh mund të planifikojë një operacion më të gjerë ku të organizohen grupe të Revolucionit Kulturor për të përhapur në fshatrat e pafund të Kinës fushatën mes fshatarëve”, - tha Berger. Nga ana tjetër, David Oancia, raportoi se gazeta e ushtrisë “Liberation Daily”, kishte pranuar se rezistenca e Revolucionit Kulturor në radhët e saj ishte e “ndërlikuar”. “Asnjë gjurmë pavendosmërie nuk mund të lejohet gjoja me pretekstin e kushteve të veçanta të ushtrisë”, – thuhej në komentin e gazetës. Oancia raportoi se “Liberation Daily” shkruante që për shkak të përgjegjësive të mbrojtjes së ushtrisë, angazhimet për Revolucionin Kulturor në radhët e ushtrisë do të ishin të ndryshme në krahasim me ato të shkollave, komiteteve të Partisë apo fabrikave.
Ushtria do të përgjigjej
Sipas Radio Pekinit, Jeh Çien Jin, zëvendëskryetar i Komitetit Kombëtar të Mbrojtjes dhe një nga anëtarët më të rëndësishëm në radhët e Byrosë Politike u tha vizitorëve shqiptarë ditën e shtunë se “udhëheqësit dhe ushtarët e ushtrisë së vendit tonë do ti përgjigjen thirrjes së shokut (ministrit të Mbrojtjes) Lin Biao”. Ky i fundit konsiderohet si mbështetësi më luftarak i udhëheqësit kinez dhe ka shumë të ngjarë që të jetë dhe pasardhësi i mundshëm i kryetarit 73-vjeçar.
Ky lajm është publikuar: 03/02/2010