E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazili, një milanist për pankinën e Seleçaos



Nuk është aspak një risi që Leonardo ishte një ndër kandidatët e mundshëm për të marrë drejtimin e pankinës së Brazilit, por asnjë nuk ishte në dijeni të faktit që ish-trajneri i Milanit të ishte synimi kryesor i Federatës Braziliane të Futbollit. Madje, zyrtarizmi i tij, sipas thashethemeve që vijnë nga Brazili, është thjesht çështje kohe. Kjo, pasi Menezes mund të konsiderohet jashtë loje, duke qenë se Korinthians nuk ka ndërmend ta lërë të largohet dhe i vetmi rival i milanistit tashmë mbetet Skolari. Kalimi i Leonardos në krye të listës është i freskët dhe daton një ditë pas eliminimit të Seleçaos nga Botërori. Federata Braziliane ka kontaktuar me zëvendësuesit e mundshëm të Dungës dhe midis tyre i ka telefonuar edhe ish-trajnerit të kuqezinjve. Përgjigja e tij ka qenë më se e pritshme: ka falënderuar për interesimin dhe është shprehur krenar për mundësinë që po i jepej, duke theksuar se ishte tërësisht i gatshëm që të merrte në dorë drejtimin e kombëtares së pafat të Kakasë dhe lojtarëve të tjerë. Duke pranuar propozimin, Leonardo ka braktisur një tjetër hipotezë shumë të dashur për të: atë që në fakt i ofronte një rol mjaft prestigjioz në organizimin e Lojërave Olimpike dhe Botërorit që do të zhvillohen në Brazil respektivisht në vitin 2016 dhe 2014.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›