Lëvi tradhton veten: Jep sekretet e ekipit
Gjermania po jep shembullin e saj më të mirë në këtë Botëror. Merita e këtij suksesi qëndron në të gjithë elementët përbërës të pankinës gjermane, duke filluar që nga “koka” e saj, trajneri Lëv, dhe deri tek lojtari i 12-të, tifozët. Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, për të përditshmen gjermane “Bild” shpalos taktikat dhe stilet e tij, që do të triumfojnë deri në finalizimin e objektivit.
Si arrini ju ta bëni kaq ekzotike e tërheqëse skuadrën tuaj?
Plani se si do të luanim në këtë Botëror e ka origjinën më 4 dhjetor, kur filluam intensivisht të mendonim për punën tonë. Objektivi ynë ishte i qartë: Kampion Bote. Por do të shpallemi të tillë vetëm nëse do të luajmë në sulm dhe do t’i kemi marrëdhëniet shumë të mira në të tria repartet, në mënyrë që t’i hapim probleme kundërshtarit. Në kohët e sotme nuk mund ta fitosh më titullin, ashtu siç e fitoi Italia në 2006-ën. Të luash në mbrojtje dhe t’i kesh sytë vetëm tek një gol, nuk të jep garanci dhe padyshim që të bën antipatik. Kështu nuk mund të luhet futbolli në një kampionat botëror. Ne kemi paraqitur që nga fillimi formën dhe organizimin tonë dhe kështu do të vazhdojmë deri në finale.
Si funksionon taktika juaj, pasi kemi vënë re një ndarje në 18 kuadrate?
Fushës së blertë i takojnë 11 titullarë, që shërbejnë si rregullatorë për njëri-tjetrin dhe kjo është më e rëndësishmja. Ky është edhe ligji i parë, të cilit duhet t’u referohen lojtarët. Pra, duke u vendosur në 18 ndarjet e caktuara në fushë dhe më pas duhet të dinë të alternohen ndërmjet tyre. Kjo prodhon edhe lëvizje permanente, shkëmbime dhe mbulime të njëpasnjëshme, por sigurisht të koordinuara mirë dhe sipas një modeli fiks. Podolski dhe Myleri janë lojtarët me më shumë hapësira dhe është detyra e tyre që të jenë sa më elastikë në fushë. Njëri në të majtë, ndërsa tjetri në të djathtë. Ozili do të godasë goditjet nga këndi dhe ato në linjën qendrore. Goditjet në zonën e rreptësisë duhet t’i gjuajë gjithnjë Shvajshtaiger. Ky i fundit ka për detyrë që të kontrollojë dhe të orientojë pjesën e fushës që fillon nga zona e rreptësisë deri tek vija e zonës së qendrës, sa herë që skuadra është në aksion sulmues. Vetëm ai ka të drejtën të gjuajë në çdo moment dhe nga çdo pozicion kur është brenda zonës, të tjerët, nëse nuk kanë hapësirën dhe kushtet e duhura, gjithnjë duhet të pasojnë.
Kush gjuan jashtë zonës së rreptësisë?
Ozil, por varet nga këndi. Ka disa kuadrate për të gjithë lojtarët. Nga e majta duhet të gjuajë Poldi (Podoslki), ndërsa në qendër dhe nga e djathta duhet të gjuajë gjithnjë Ozili.
Ligji i dytë?
Loja dhe lëvizjet. Ndeshja nuk mbaron pa dribluar me topin. Sipas këndvështrimit tim, duhet depërtuar në thellësi të sulmit, për t’i shërbyer vetes dhe topit, por ama duhet të kthehet në modul, pasi në këtë mënyrë rrjedha e sulmit është e rrjedhshme dhe dinamike. Jam i sigurt se këtë gjë e bëjnë mirë Ozili, Podolski, Myleri dhe Krosi, ndaj u kam thënë: Kush nuk lëviz, nuk ka për të fituar asnjëherë, madje as kundër Kanadasë!
Po Klose?
Ju e dini që ai gjithnjë është i lëvizshëm dhe në zonë alternohet shpesh sa nga e majta në të djathtë. E vetmja gjë që ai nuk bën dot janë fintet... (qesh). Gjithsesi, ai mbetet arma jonë kryesore në luftën në ajër. Këtu nuk i referohem vetëm sulmit. Besoj e keni parë Klosen në raste të caktuara që edhe mbron.