Holanda për historinë,Uruguai për surprizën
Holanda së bashku me Spanjën janë dy skuadrat më prestigjioze, që nuk kanë arritur ta fitojnë asnjëherë Kupën e Botës në historinë e tyre. Këtë herë “tulipanët” kanë një shans shumë të mirë për të ngritur trofeun, pasi janë vetëm dy hapa larg e për më tepër, nuk kanë një detyrë të parealizueshme. Uruguai është ekipi afrikano-jugor që ka shkëlqyer më shumë deri tani. Gjithsesi, kualifikimi i tyre mes katër më të mirave është ndihmuar edhe nga fati, sidomos në sfidën çerekfinale ndaj Ganës. Me një sulmues shumë të fortë si Diego Forlan, por me një mungesë mjaft të rëndësishme si ajo e Luis Suarez, djemtë e Oskar Tabarezit do kërkojnë surprizën. Holanda është cilësuar si favoritja kryesore për ta fituar këtë përballje, por në Kupën e Botës që po zhvillohet në Afrikën e Jugut është e vështirë të guxosh për të parashikuar. Surprizat kanë qenë të shumta dhe nuk mund të përjashtohet në asnjë mënyrë fakti që edhe Uruguai mund të fitojë, duke siguruar një biletë për në finale, duke kërkuar kështu edhe titullin e tretë kampion bote. Gjithsesi, për të qenë realist, Holanda i ka të gjitha shanset për të triumfuar në këtë sfidë.
Me futbollistë të një niveli shumë të lartë si Roben e Shnajder, pritet që djemtë e trajnerit Bert van Marvijk të kryejnë thjesht formalitetin, duke mos vuajtur për të arritur suksesin. Kanë kualitet më të lartë se kundërshtari, por nuk duhet ta shpërdorojnë këtë element të rëndësishëm. Në këtë sfidë do mungojnë dy futbollistë për shkak pezullimi, pikërisht mbrojtësi Van der Viel, i cili pritet të zëvendësohet nga Bulahruz dhe Naixhel de Jong, që mund të zëvendësohet nga De Zeuv. Ndërsa Robin van Persi dhe Joris Matisjen duket se i kanë lënë pas krahëve problemet fizike dhe mund të luajnë që nga minuta e parë kundër uruguaianëve. Të gjithë holandezët presin shumë nga kjo Kupë Bote dhe janë shumë pranë historisë.
Formacionet e mundshme
Uruguai (4-3-3): Muslera, M.Pereira, A.Fernandez, A.Pereira, Viktorino, Skoti, Perez, Arevalo, Forlan, Abreu, Kavani. Trajner: Oskar Tabarez
Holanda (4-2-3-1): Stekelenburg, Van Bronkhorst, Matijsen, Heitinga, Bulahruz, De Zeuv, Van Bomel, Kajt, Shnajder, Roben, Van Persi. Trajner: Bert van Marvik