Oktapodi “tremb” gjermanët, media manipulon parashikimin
Tifozët e përfaqësueses gjermane anekënd botës janë drithëruar kur në orët e pasdites në disa uebsajte interneti doli parashikimi i oktapodit. Këtë herë Poli kishte parashikuar si fituese skuadrën e Spanjës në përballjen ndaj Gjermanisë. Oktapodi, i cili ka qenë 5 herë i saktë në vlerësimet e përballjeve të Gjermanisë në Botërorin “Afrika e Jugut”, kishte dhënë vlerësimin sipas këtyre sajteve të internetit për gjysmëfinalen e 7 korrikut. Në parkun ujor në Oberhauzen, oktapodi ishte ndalur tek flamuri i Spanjës, duke përcaktuar kualifikimin e iberikëve drejt finales. Por pak orë më vonë erdhi edhe përgënjeshtrimi. Një pjesë madhe e mediave vendëse si dhe ato italiane kanë zbuluar manipulimin. Fakt është se fotoja që tregonte oktapodin Pol mbi kutinë e qelqtë nuk ishte ajo e Spanjës, por faktikisht ishte ajo e Serbisë (kujtojmë se për Gjermani-Serbi Poli zgjodhi serbët dhe skuadra sllave arriti të fitonte 1-0 ndaj gjermanëve). Flamuri i serbeve ishte fshirë dhe në vend të tij ishte vënë ai spanjoll, duke manipuluar kështu këtë parashikim. Në fakt, parashikimi i vërtetë i oktapodit do të bëhet sot në parkun e Oberhauzenit.