Maradona dorëhiqet: Cikli im ka përfunduar
Diego Armando Maradona i jep lamtumirën Kombëtares argjentinase. Pas eliminimit në çerekfinalet e Kampionatit Botëror nga Gjermania dhe poshtërimi që i kanë bërë djemtë e Joakim Lëvit ekipit të tij, legjenda e futbollit argjentinas ka pranuar se cikli i tij në pankinën e skuadrës ka marrë fund. “Vetëm kaq mund të them, cikli im këtu ka përfunduar. Për këtë Kombëtare kam dhënë gjithçka që kisha mundësi dhe nuk pendohem aspak për asgjë. Madje, mund të shtoj se jam tepër i lumtur që isha në krye të kësaj skuadre dhe që mu dha mundësia të stërvit lojtarë të mrekullueshëm. Tani dua të qëndroj me familjen time”, ka shtuar Maradona, i cili për momentin nuk ka bërë asnjë dorëheqje zyrtare. Deklarata e tij është shfaqur në të përditshmen e gazetës së Buenos Aires, “Cronica”. Pavarësisht fjalëve të trajnerit të Kombëtares argjentinase, mësohet se e gjithë kjo është e lidhur me një fërkim midis presidentit të “AFA”-s, Julio Grondona dhe Maradonës, për sa i përket klauzolës që prish menjëherë kontratën midis palëve. Sipas mediave, Maradona do të japë zyrtarisht dorëheqjen dhe ka nisur gara e zëvendësuesit. Atë e kryeson Gerardo Martino, i ndjekur nga Migel Ruso, Alehandro Sabela, Serxho Baptista dhe Karlos Bianki.