E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazili pergatitet per olimpiaden

Përfaqësuesja braziliane e futbollit që do të marrë pjesë në “Londër 2012” zhvilloi stërvitjen e parë, ndërsa pesë herë kampionët e botës kërkojnë medaljen e parë të artë në Lojërat Olimpike.
Në dy raste “seleçao” ka qenë pranë fitimit të arit olimpik, megjithatë ata janë mposhtur në finale në Olimpiadat e viteve 1984 dhe 1988, ndërsa në edicionet e viteve 1996 dhe 2008 kanë humbur në gjysmëfinale.
Skuadra do të udhëtojë drejt Londrës më 16 korrik, ndërsa do të debutojnë në Lojërat Olimpike të kësaj vere në datën 26 përballë Egjiptit. Tre ditë më pas Brazili do të luajë me Bjellorusinë, ndërsa ndeshjen e fundit në fazën e grupeve ata e kanë kundër Zelandës së Re më 1 gusht.
Mbrojtësi i Realit të Madridit, Marselo është një prej yjeve me moshë mbi 23 vjeç që është grumbulluar në skuadër. Ai deklaroi se ndihet më i pjekur përpara pjesëmarrjes së dytë në Olimpiadë dhe beson se paraqitja e mirë në “Londër 2012” do të ishte kartvizita ideale përpara Botërorit 2014.
“Lojërat Olimpike janë një test i mirë në kuadër të Kupës së Botës. Skuadra është cilësore, nëse paraqitemi mirë dhe fitojmë medaljen e artë, që është edhe objektivi ynë, ky do të ishte një hap shumë i rëndësishëm drejt Botërorit 2014 në shtëpinë tonë”, tha mbrojtësi brazilian.
Ari olimpik është titulli i vetëm madhor të cilin Brazili nuk e ka fituar asnjëherë. Gjithsesi, presioni ndaj “seleçaos” në Lojërat Olimpike mund të cilësohet i papërfillshëm nëse krahasohet me presionin që skuadra e drejtuar nga Mano Menezes do të përballet në Kupën e Botës 2014, ku ata kërkojnë fitoren përballë tifozëve të tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›