E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitem Ibren dhe Tiago Silven te PSG

Ndërsa Mino Raiola dhe Leonardo kanë negociuar tre orë për akordin rreth rrogës së Zlatan Ibrahimoviç, me Paris Seint Zhermen që ofron 9 milionë euro në sezon, ndërsa sulmuesin që pretendon 12 milionë, vula për mbylljen e marrëveshjes u vendos nga presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni.
Numri një i “Djallit” ka zbuluar gjatë një mbledhje të partisë PDL se “Ibrahimoviç dhe Tiago Silva do të bëhen pjesë e PSG-së”. Me fjalë të tjera, bomba e merkatos, që do të trasferonte dy yjet e Milanit në Paris duket praktikisht e përfunduar.
Mungon ende zyrtarizimi, por tashmë duket se bëhet fjalë thjesht për detaje dhe në këtë pikë erdhi edhe dorëzimi i Berluskonit. “Kam kursyer 150 milionë euro”, ishte batuta e thënë nga kreu i klubit kuqezi, duke shtuar se do të ishte “papërgjegjshmëri nëse do të refuzonte shifrën e ofruar nga PSG”. 
Gjithashtu Berluskoni konfirmoi se mungon ende akordi ndërmjet Ibrahimoviç dhe klubit francez për rrogën. Në fakt, bëhet fjalë për një operacion që më saktësisht kap vlerën e 170 milionë eurove. Kjo duke qenë se 62 milionë eurove që do të shkojnë në arkat e Milanit për kartonët e dy lojtarëve, klubi italian kursen 108 milionë euro nga rrogat: 48 milionë euro bruto për rrogën e Ibrës dhe 60 milionë për atë të Tiago Silvës.
Me fjalë të tjera, sulmuesi dhe mbrojtësi do të luajnë në Ligën e Parë franceze. Gjithçka do të ndryshojë vetëm në rast të surprizave të minutës së fundit, të papriturave apo prishjes së akordit në negociatat më të pabesueshme të kësaj merkatoje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›