Pishtari Olimpik mberrin ne TEG

Vetëm dy javë përpara hapjes zyrtare të Lojërave Olimpike, “Londër 2012”, flaka olimpike, simboli i këtij evenimenti ndërkombëtar mbërrin edhe në ambientet e qendrës më të madhe tregtare në Shqipëri, TEG.
Pak ditë para nisjes drejt Lojërave Olimpike të Londrës, atletja shqiptare, Klodiana Shala mbërriti nga kryeqyteti drejt TEG me pishtarin e ndezur. Ceremonia, e cila u ndoq me interes nga mediat dhe qytetarët startoi në orën 18:30, një moment ky i cili në mënyrë simbolike u shoqërua edhe me një dekor tejet festiv, që e merrte spunton nga Lojërat Olimpike dhe imazhet e sportistëve të ekipit shqiptar, që garojnë nën flamurin kuqezi.
Mbërritja e atletes Klodiana Shala me pishtar me pishtar në dorë teksa hyn në brendësi të qendrës më të madhe tregtare në Shqipëri, TEG, ishte momenti final. Të pranishmit e ndoqën nga afër xhiron e kampiones shqiptare të atletikës, e cila regjistron mbi 50 rekorde kombëtare dhe ndërkombëtare.
Shala e vlerësoi pozitivisht aktivitetin e organizuar nga TEG, i cili është i vetmi dhe i pari i këtij lloji i organizuar nga një qendër tregtare në Shqipëri. Ky organizim është një tregues mjaft i mirë i nismave të përgjegjësisë sociale si edhe zhvillohet në kuadër të eventeve novatore, të cilat sjellin risi në këtë qendër tregtare, duke riafirmuar mbështetjen e TEG ndaj sportit dhe vlerave që ai përcjell në shoqëri.
Klodiana Shala është ndër të vetmet sportiste, e cila sivjet është kualifikuar për Lojërat Olimpike Londër 2012 duke arritur normën olimpike, ndërsa kjo është pjesëmarrja e saj e katërt në Olimpiadë.