Brazili “zhduk” Italinë, mrekullia quhet SHBA
Fation Shehu
Kombëtarja e Brazilit arrin të gjunjëzojë lehtësisht kampionët e botës, Italinë. Djemve të drejtuar nga trajneri Karlos Dunga u kanë mjaftuar 45 minuta për të mbyllur llogaritë dhe për të administruar me qetësi avantazhin gjatë pjesës së dytë. Ka qenë Luis Fabiano ai që kaloi në avantazh Brazilin, duke gjetur rrugën e rrjetës në minutën e 37-të. Sulmuesi që aktivizohet me Seviljen arriti të kontrollojë saktë topin brenda zonës dhe goditi mjeshtërisht duke mundur Bufonin. Por, vetëm gjashtë minuta më pas, ka qenë sërish Luis Fabiano ai që arriti të shënojë dhe golin e dytë. Një gol mjaft vendimtar, pasi bëri që italianët të humbasin ndjeshëm përqendrimin dhe të përulen disi ndaj supremacisë së kundërshtarit. Në limitet e kohës së rregullt të pjesës së parë, ka ardhur edhe goli i tretë i takimit. Këtë herë autogol. Një top i fundur në brendësi të zonës, u devijua nga Andrea Dosena, i cili nxori edhe në kundërkohë portierin Bufon, duke e çuar topin në portën e tij. 3-0 që në pjesën e parë dhe kaq mjaftoi për brazilianët, të cilët në pjesën e dytë menduan për të ruajtur avantazhin e krijuar. Në fakt, kampionët e botës treguan qartë se ishin të pafuqishëm të gjenin rrugën e rrjetës dhe për më tepër, do u mjaftonte një gol për të vazhduar aventurën në kupën e Konfederatave. “Cikloni Brazil” ka shkëtarruar Italinë, duke i dhënë një mësim të mirë para Kupës së Botës dhe duke treguar se “axurrët” janë shumë ndryshe në karahasim me tre vite më parë, kur ngritën trofeun prestigjoz. Trajneri Marçelo Lipi u mundua të bëjë ndryshime dhe të shpresojë te një reagim si ai ndaj SHBA-së, por i vetmi përfundim ishte se nuk patën fuqinë dhe madhështinë e një ekipi të madh. Ndërkohë, Kombëtarja e SHBA-së i ka surprizuar të gjithë në ndeshjen e tretë të fazës në grupe. Skuadra e trajnerit Bob Bredli ka zhvleftësuar çdo heroizëm të bërë nga egjiptianët në Kupën e Konfederatave, duke i mundur me rezultatin 3-0. Dejvis ka shënuar golin e avantazhit në të 22-ën dhe kaq mjaftoi për pjesën e parë. Kur pritej reagimi i “faraonëve”, ka qenë sërish SHBA-ja që ka gjetur rrugën e rrjetës, madje dhe dy herë të tjera. Në të 63-ën Bredli dhe në të 71-ën Dempsi kanë mjaftuar për të arritur një objektiv shumë të rëndësishëm, pasi kanë siguruar një biletë për në gjysmëfinalet e kompeticionit. Ata kanë lënë pas vetes në renditje Italinë dhe Egjiptin falë golavarazhit më të mirë. Në fakt, ndaj “axurrëve” ka vendosur sasia e golave të shënuar. Një mrekulli amerikane në Afrikën e Jugut. Tashmë, ata do kenë një përballje akoma më të vështirë, kur do sfidojnë kampionët e Evropës, Spanjën.