Meksi në Kavajë: Demokratët e vërtetë jemi ne
Poli i Lirisë premton se infrastruktura do të jetë prioritet pas 28 qershorit. Në vijim të turit elektoral, kreu i këtij koalicioni, ish-kryeministri Aleksandër Meksi ka qenë në zonën elektorale të Kryeministrit Sali Berisha, në qytetin e Kavajës, ku është ndalur pikërisht në investimet në infrastrukturë, duke vënë theksin te turizmi. Sipas Meksit “infrastruktura do të jetë përparësia jonë pas 28 qershorit. Ne do të fokusohemi në ndërtimin e rrugëve, kanalizimet dhe ndriçimi. Mungesa e tyre në zonat turistike të Kavajës ka sjellë mënjanim të tyre nga turizmi. Tani janë zona të pashfrytëzueshme pikërisht për këtë shkak”. Në të njëjtën kohë, kryetari i Polit të Lirisë ka vënë theksin edhe te investimet në fushën e Bujqësisë. Nga Kavaja, pjesë e qarkut të Tiranës, ku edhe ish kryeministri kandidon më 28 qershor, premtoi subvencionimin nëpërmjet bankave të fermerëve. “Ne do të ndërtojmë në Karmen impiantin e ujërave të zeza sepse deri tani të gjitha ato shkarkohen në det. Gjithashtu ne do të kemi përparësi subvencionimin e tokave bujqësore me anë të parcelizimit, duke subvencionuar vetë bankat, sikundër do të praktikojmë dhe bashkimin e parcelave që të ketë prodhim sa më të madh dhe të ketë shitje në tregun e brendshëm”, u shpreh Meksi. I ndodhur pikërisht në zonën e Kryeministrit Berisha, Meksi tha se “Kavaja është qyteti i vlerave sepse ka respektuar demokracinë por demokratët e vërtetë jemi ne”. Nga ana tjetër kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi u ndal pikërisht te funksionimi i shtetit ligjor dhe kthimi dhe kompensimi i pronave. Sipas Shehit, Poli i lirisë ka një program konkret për këto çështje.