E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi i ISHP-së, 87 për qind e mjekëve dhe mësuesve, të stresuar



Rreth 87 për qind e mësuesve edhe e mjekëve janë të stresuar gjatë punës së tyre. Rezultatet janë bërë të njohura nga ISHP-ja, e cila ka kryer një studim në të gjithë vendin. Bazuar në të dhënat e studimit, ku u përfshinë rreth 500 punonjës të shëndetësisë dhe arsimit në vend, rezulton se 10 % e të intervistuarve janë ekstremisht të stresuar, 13% nuk kanë stres, 50% janë disi të stresuar, ndërsa 26% kanë stres mesatar.
Sipas studimit, niveli i stresit në punë për këto kategori është më i lartë se niveli i stresit në jetën e tyre familjare. Specialistët po shikojnë se si ndikon ky nivel stresi në jetën dhe sjelljet e tyre, mirëqenies mendore, por dhe faktorët specifikë që ndikojnë në rritjen e stresit të përjetuar në punë.
Në studim u përfshinë 250 punonjës të arsimit dhe 250 të shëndetësisë, të cilët plotësuan një pyetësor në periudhën prill-maj të këtij viti. Pyetësori synoi marrjen e të dhënave për nivelin e stresit në punë, karakteristikave social-demografike të individëve, shëndetit dhe stilit të jetesë, mirëqenien e përgjithshme, por edhe kushtet e punës së tyre, marrëdhëniet, presionin dhe intensitetin në punë, sigurinë, kënaqësinë dhe perspektivën e punës. Në fushën e mjekësisë u përzgjodhën punonjës me arsim të lartë dhe të mesëm në poliklinika, spitale dhe qendra shëndetësore. Ndërsa, mësuesit u përzgjodhën nga shkolla 9- vjeçare dhe të mesme. Sipas specialistëve, 350 pjesëmarrës në studim u përzgjodhën nga rrethe të ndryshme të vendit, qytete dhe fshat, ndërsa 150 të tjerë nga Tirana. Një studim i tillë parashikohet të shtrihet edhe për kategori të tjera profesionistësh. Në këtë mënyrë, ISHP synon që të përcaktojë se cilat janë kategoritë më të stresuara në vend dhe faktorët që ndikojnë. E rëndësishme është përcaktimi se nga vjen stresi i krijuar në këto kategori dhe mundësitë e shmangies. Një punonjës tepër i stresuar nuk mund të jetë një punonjës apo drejtues mjaft efektiv dhe shpeshherë bëhet problematik për punën në grup.

22 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›