E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Sot firmosim 22 marsin e ri

 

ADI SHKEMBI

Kur ka ngelur më pak se pesë ditë fushatë elektorale, Kryeministri Berisha intensifikon takimet, dhe vetëm gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar nëntë të tillë. Kulmi i tyre ka qenë pikërisht takimi në Konventën e Gruas demokrate, ku e ftuar ka qenë edhe eurodeputetja gjermane, Doris Pack. Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha u ka bërë thirrje grave të votojnë në masë për Partinë Demokratike. “Ju bëj thirrje, që këto ditë, me çdo shoqe, me çdo të njohur, me çdo mikeshë të të gjitha bindjeve politike, t’i ftoni ato të bashkohen me ne në fitore, në projektin dhe ëndrrën më të bukur të çdo shqiptari, Shqipërinë evropiane”, u shpreh Berisha. Nga ana tjetër, Doris Pack në fjalën e saj përshëndetëse është shprehur “e dua Shqipërinë. Mund të them se këto 4 vite janë 4 vitet që kanë bërë ndryshimin e madh në Shqipëri”. Paraditen e djeshme, kreu i ekzekutivit ishte në qarkun e Dibrës, ku zhvilloi takime në Peshkopi, Bulqizë e Klos. Në qytetin e Peshkopisë Berisha premtoi përfundimin e rrugës së Arbrit, si dhe uljen me pesë vjet të daljes në pension të minatorëve. “Unë kam ardhur sot këtu, për tu zotuar para jush, para minatorëve të Bulqizës, se një ndër ligjet më të para që do të kalojë në parlament është shkurtimi me 5 vjet i kohës së  pensionit për minatorët e Bulqizës dhe të mbarë Shqipërisë. Ky shkurtim për efekte pensioni do të ketë fuqi të plotë prapavepruese, sikundër ju garantoj se pensionet e minatorëve do të vendosen në shkallën më të lartë të pensioneve”, theksoi Berisha në Bulqizë. Ndërsa në Fushë Krujë, kreu i qeverisë premtoi shndërrimin e kësaj zone në një nga më të zhvilluarat. “Ju sjell përshëndetje të përzemërta nga Saranda, nga Gjirokastra, nga Tirana, nga Peshkopia, nga Bulqiza dhe nga mbarë Shqipëria. Sot, ne firmosim këtu fitoren, firmosim 22 marsin e ri, firmosim Fushë Krujën evropiane, firmosim Shqipërinë evropiane”, u shpreh Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›