Brazilianët e Apolonisë, dy netë “miq” në aeroportin e Rinasit

Albania-Sport - Katër futbollistët braziliane që mbërritën dje në mbrëmje në aeroportin e Rinasit, janë ende në pritje për t'u nisur drejt vendit të tyre. Shefi i komisariatit të Rinasit, Thimio Remocka, konfirmoi për shtypin se futbollistët e kaluan natën duke u gdhirë e mërkurë në sallën e tranzitit të këtij aeroporti dhe pritet që të kalojnë aty edhe një këtë natë. Po sipas shefit të komisariatit të Rinasit, janë duke u kryer procedurat për largimin e tyre nga Shqipëria. Katër brazilianët e Apolonisë janë Rosha, Da Silva, Zheraldinjo dhe Pinto
Dje pasdite, në kohën kur skuadra e drejtuar nga trajneri Andrea Marko po zhvillonte stërvitjen e saj, uniformat blu kanë ndërprerë stërvitjen, duke marrë me vete katër lojtarët latinoamerikanë, për t'i shoqëruar ata në Aeroportin "Nënë Tereza". "Brazilianët nuk kanë patur leje qëndrimi ose iu ka skaduar ajo", - ka qenë përgjigja e dhënë nga Qarku i Policisë së Fierit. Në fakt, nuk është hera e parë që futbollistët e huaj bëhen protagonistë të shkeljes së afateve për leje-qëndrimi në vendin tonë, por ky veprim i policisë ka qenë i pari i këtij lloji deri më tani.