E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Ndroqi: Ja si po përgatitet evenimenti i 3 marsit

Nga Altin B. Kodra
Bashkë-editor i Albania-Sport.com
EKSKLUZIVE
- Është padyshim një eveniment për sportin shqiptar në përgjithësi, dhe boksin në vecanti, ndeshja që Kreshnik Qato do të zhvillojë më 3 mars 2007 në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi" të kryeqytetit. Por njeriu që është prapa organizimit të këtij megaevenimenti rrëfen për Albania-Sport.com se, organizimi i një veprimtarie të tillë, e para e këtij lloji dhe e këtyre përmasave në vendin tonë, nuk është aspak një sipërmarrje e lehtë. "Në fakt, për t'u treguar i sinqertë, në fillim e kisha menduar se do ta kishim të vështirë, por jo kaq të vështirë sa c'është në të vërtetë", - thotë biznesmeni i mirënjohur, Ylli Ndroqi, president i kompanisë "Yldon" Sh.p.k, duke folur ekskluzivisht për Albania-Sport.com. "Komuniteti i biznesit, më i ndërgjegjshëm për sportin" "Vështirësitë qëndrojnë në atë se komuniteti shqiptar i biznesit, nuk është ndërgjegjësuar ende për rolin e madh dhe kontributin e konsiderueshëm që duhet të japë në përkrahjen dhe zhvillimin e sportit në Shqipëri, - vijon më tej ai. - Kanë qenë të shumta kompanitë të cilat shprehën fillimisht dëshirën për të bashkëpunuar me ne në organizimin e një veprimtarie të tillë, por, kur erdhi puna te bashkëpunimi në hollësi të mëtejshme, sidomos ato financiare, vërejta njëfarësoj stepjeje nga ana e tyre. Unë e kuptoj që jemi në prag të zgjedhjeve dhe se kompanitë e mëdha, fondet e reklamave fillojnë t'i lëvrojnë pas 3-mujorit të parë të vitit kalendarik, por ajo që dua të theksoj, është se kjo veprimtari është e një niveli ndërkombëtar dhe meriton përkrahje." "3 marsi 2007 meriton një mbështetje mbarëkombëtare" Në programin e 3 marsit 2007, në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi" në kryeqytet, do të zhvillohen 5 ndeshje, duke filluar nga ora 18:00 pasdite, nga të cilat ajo e shqiptarit Kreshnik Qato me rusin Aleksandër Zajcev është më e rëndësishmja dhe, të të pranishëm atë mbrëmje në Tiranë do të jenë presidenti i EBU-së, Bob Loxhis, dhe Sekretari i Përgjithshëm i EBU-së, Enzo Xhakopone. "E gjithë kjo, ndërthurur me faktin se, kudo ku ka qenë, Qato ka ngritur lart dhe ka mbrojtur me dinjitet flamurin shqiptar, e bëjnë këtë veprimtari të denjë për një mbështetje mbarëkombëtare, sidomos nga bota e biznesit, - thekson Ndroqi në vijim të bisedës së tij me Albania-Sport.com. "Ministri Leskaj, vendimtar me mbështetjen e tij" "Gjithsesi, misioni ynë është bërë i mundur edhe nga mbështetja e pakufi që ka dhënë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKS) dhe funksionari më i lartë i saj, z. Bujar Leskaj, të cilit, gjej rastin, t'i shpreh falënderimet për ndihmën personale dhe institucionale që i ka dhënë në vazhdim Qatos dhe, vecanërisht, për veprimtarinë e 3 marsit 2007, - thekson më tej promovuesi i Qatos. - Pa ndihmën e tij, një veprimtari e këtyre përmasave nuk do të ishte bërë e mundur. Natyrisht, po kaq i dobishëm ka qenë roli i drejtorit të Qendrave Sportive Sha, z. Perikli Dhales, dhe përgjegjësit të Pallatit të Sportit "Asllan Rusi", z. Kushtrim Zace. Të dy këta na kanë ofruar kushte dhe shërbime optimale dhe për këtë i falënderoj jashtë mase, pasi, në aspektin logjistik, bashkëpunimi i tyre është mjaft vendimtar." "Biletat, me cmime të arsyeshme, për të gjitha shtresat" Në fakt, megjithëse boksi profesionist është në natyrën e vet një biznes, Z. Ylli Ndroqi thekson se veprimtaria e 3 majit është një eveniment i karakterit kombëtar dhe jo thjesht në mjet për të nxjerrë fitime. "Ne jemi të ndërgjegjshëm për nivelin ekonomik të sportdashësve në Shqipëri dhe, ndryshe nga sportet e tjera dhe nga vendet e tjera, ku biletat e boksit janë mjaft të shtrenjta, kemi vendosur që një veprimtari të tillë, ta hapim për njerëzit e të gjitha shtresave, cka reflektohet edhe në cmimin e biletave që kemi përcaktuar, - thotë ai, duke folur për Albania-Sport.com. - Sic dihet, Pallati i Sportit ka një kapacitet prej 3000 vendesh dhe cmimet e biletave do të variojnë nga 1,000 deri në 1,500 lekë të reja, cka mua më duket mjaft e arsyeshme për një veprimtari që zgjat disa orë." "Jo vetëm boks, por edhe show dhe spektakël artistik" Përvec kohëzgjatjes së kësaj veprimtarie dhe 5 ndeshjeve që ajo ofron, Ndroqi sqaron se përpara, midis ndeshjeve dhe në përfundim të tyre, sportdashësit do të jenë në shoqërinë e artistëve dhe këngëtarëve të ndryshëm, që do të ftohen në këtë eveniment. "Përvec të pranishmëve, këtë veprimtari do të kenë mundësi ta ndjekin qindra-mijëra teleshikues shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, nëpërmjet valëve të platformës "DigitAlb", me të cilën, ne si organizatorë, kemi nënshkruar një marrëveshje transmetimi", - thotë Ndroqi, i cili shton se, midis ndeshjeve që do t'i paraprijnë asaj të Qatos, interesant është edhe dueli midis boksierit bullgar, Tontco Tontcev dhe atij francez, Frederik Goset, të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Ndërsa në ndeshjet e tjera, për t'i dhënë përkrahje boksit shqiptar, do të marrin pjesë boksierë nga Shqipëria ose nga trevat shqiptare. "Kreshnik Qato, stërvitje rraskapitëse në Francë" Në përgatitje për këtë ndeshje, boksieri durrsak e ka zhvendosur bazën e tij stërvitore nga Londra, në Lion të Francës, kjo edhe falë ndihmës dhe mbështetjes që i jep sponsori i tij, Z. Ylli Ndroqi dhe kompania e tij "Yldon Sh.p.k.". Vetë Ndroqi konfirmon se ka qenë të paktën 3 herë në Francë, për ta ndjekur personalisht nga afër boksierin e talentuar dhe se është mjaft i kënaqur nga stërvitja që ai kryen. "Jam kujdesur personalisht për akomodimin, trajtimin dhe stërvitjen e tij, duke përzgjedhur trajnerët dhe duke e ndjekur nga afër ecurinë e tij në stërvitje, - rrëfen Ndroqi në vijim për Albania-Sport.com. - Mund t'ju them se, tani që na ndajnë vetëm 3 javë nga ndeshja e madhe, Qato ka arritur një nivel maksimal në ngarkesën e tij stërvitore, deri në nivele rraskapitëse. Por e gjithë kjo bëhet për të nderuar vendin tonë dhe për ta ngritur edhe më lart nivelin e boksit në vecanti dhe sportit shqiptar në përgjithësi."

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›