E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bred Pit bëhet 80 vjeç, do të luajë rolin e Benjamin Butonit



Nga seks simboli më i dëshiruar kthehet në i moshuar 80 vjeç. Është fati i Bred Pitit që për të interpretuar protagonistin e “The curiuose case of Benjamin Button” ia beson veten trukuesve dhe kostumierëve që e transformuan në një të moshuar. Imazhet e para që vijnë nga rrjeti po bëjnë xhiron e botës dhe tregojnë një Bred Pit që nuk njihet. Filmi do të dalë në SHBA për Krishtlindje. Historia është marrë nga një roman i Francis Skot Fitzerald dhe rrëfen për jetën e çuditshme të Benjamin Butonit. Burri lind në trupin e një 80-vjeçari dhe me kalimin e kohës rinohet. Në fillim bëhet një mashkull i pjekur, më pas djalosh, adoleshent dhe në fund fëmijë. Gjithçka komplikohet kur Benjamini dashurohet me bukuroshen Dejzi, një tridhjetëvjeçare bukuroshe, interpretuar nga Keit Blanshet. Të dy do të përfshihen në një histori dashurie që shumë shpejt do të bëhet e pamundur. E drejtuar nga Dejvid Finçer dhe prodhuar nga Uarner Bros dhe “Paramount”, që kanë investuar për projektin një buxhet prej 15 milionë dollarësh. Filmi ka bashkuar sërish aktorët Pit dhe Blanshet dy vjet pasi ishin burrë e grua në filmin “Babel”. Filmi do të dalë në Shtetet e Bashkuara më 25 dhjetor, ndërsa në Itali pritet të dalë në shkurt të vitit 2009.

Në verë fillon xhirimi i “Sex and the City: The Movie 2”

Aktorja kryesore e filmit “Sex and the City: The Movie”, Sarah Xhesika Parker, ka bërë të ditur se xhirimi i filmit të dytë, bazuar në serialin hit me të njëjtin emër, do të fillojë verën e ardhshme. 43-vjeçarja, e cila e ka luajtur rolin e personazhit Kerri Bredshou në versionin filmik të serialit të famshëm televiziv, “Sex and the City”, ka njoftuar se tashmë po planifikohet pjesa e dytë e filmit pas suksesit të madh që arriti pjesa e parë. “Mendoj se koha më e mirë për të filluar xhirimet është vera e ardhshme, ndërsa filmi do të jetë i gatshëm në vitin 2010. Prandaj duhet të përgatisim gjithçka brenda disa muajsh dhe të jemi të gatshëm për të filluar xhirimet në verë”,- ka shpjeguar aktorja.

Katrall pozon nudo në emër të artit

Aktorja Kim Katrall ka pozuar gjysmë nudo në emër të artit. Qëllimi i kësaj sakrifice ishte ribërja e një pikture për ruajtjen e klasikes së Renesancës në Britaninë e Madhe. Aktorja “e zjarrtë” ka pozuar në mënyrë joshëse për ribërjen e pikturës klasike italiane “Diana dhe Actaeon”, për të ngritur vetëdijen gjatë fushatës së Galerive Kombëtare Britanike, me qëllim që klasikja të mbijetojë. Piktura është pronë e Dukës së Sutherlandit, i cili ua ka huazuar zyrtarëve të galerisë pikturën deri në dhjetor të këtij viti, me qëllim që të ngrihen fondet gjatë vizitave, ose dikush të mund ta blejë atë. Këto fondedo të shfrytëzohen për ruajtjen e pikturave dhe motiveve të periudhës së Renesancës dhe të shfaqen nëpër galeritë e ndryshme në Britani të Madhe.

Albumi i ri i “Guns N’ Roses” kritikohet nga kinezët

Një gazetë kineze ka kritikuar grupin legjendar të rokut “Guns N’ Roses” për emërimin e albumit të tyre “Chinese Democracy” (Demokracia kineze), duke e akuzuar grupin se po ofendon kombin e tyre. Gazeta “Global Times”, e cila është pronë e Partisë Komuniste të Kinës, aktualisht në pushtet, ka shkruar një artikull për albumin e shumëpritur të GN’R, duke thënë se ky album nuk është gjë tjetër veçse pjesë e politikës perëndimore për të kontrolluar botën në emër të demokracisë. “Chinese Democracy” është albumi i parë i grupit “GN’R” pas 15 vjetësh, dhe derisa nuk është lejuar nxjerrja e tij në treg në Kinë, ai ka dalë nëpër tregjet amerikane dhe europiane. Ndërkohë mësohet se monitoruesit shtetërorë të internetit në Kinë po mundohen të bllokojnë dëgjimin e albumit nga adhuruesit kinezë.

26 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›