E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjimnazistët e Tiranës bashkë me Topallin kundër dhunës



Gjimnazistët dhe nxënësit e Tiranës i janë bashkuar fushatës sensibilizuese kundër dhunës, të ndërmarrë nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Fushata sensibilizuese kundër dhunës, e ndërmarrë nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, u zhvillua dje në një audiencë të veçantë me qindra fëmijë të shkollave nëntëvjeçare dhe gjimnazistë të kryeqytetit. Aktiviteti me të rinjtë, me sloganin “Njëzëri t’i themi dhunës ‘JO’”, u mbajt në sallën e Kuvendit, me rastin e ditës ndërkombëtarë kundër dhunës, 25 Nëntor 2009. I organizuar në një performancë të veçantë artistike, aktiviteti kishte si qëllim të përcillte mesazhin rinor kundër dhunës së çdo forme ndaj fëmijëve, si dhe brenda familjes, për t’i hapur rrugë tolerancës dhe mirëkuptimit. Në përshëndetjen e saj, kryetarja e Kuvendit e vlerësoi si shumë të veçantë aktivitetin me të rinjtë e kryeqytetit për të përcjellë mesazhin kundër dhunës: “Dashuri dhe jo dhunë”. Kurse mesazhin e edukatorëve dhe mësuesve të Tiranës e përcolli arsimtarja Anila Alliu. Mësuesja Alliu u shpreh se ka ardhur koha që të gjithë së bashku, në emër të ligjit, me vepra dhe jo fjalë të punohet për një shoqëri të lirë e pa dhunë. Mesazhin kundër dhunës, nxënësit e Liceut Artistik e përcollën nëpërmjet një ekspozite me piktura në kavaleta, që ishin vendosur në sallën e Kuvendit, e titulluar “Unë, një tjetër zë kundër dhunës”, si dhe me pjesë orkestrale nga të kompozitorëve të njohur. Kryetarja e Kuvendit ndau dhe tre çmimet e para për nxënësit e Liceut Artistik në ekspozitën e pikturës që ata organizuan gjatë kësaj seance të veçantë.

Ministria e Shëndetësisë, masa parandaluese për hipertensionin

Specialistët e shëndetësisë zhvilluan një takim shkencor lidhur me të rejat e fundit që janë arritur në parandalimin e hipertensionit. Në këtë takim mori pjesë edhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila vlerësoi nisjen e master-kursit për hipertensionin. Ky takim shkencor u organizua nga Shoqata Shqiptare e Hipertensionit, në bashkëpunim me shoqatën homologe europiane. Specialistët vlerësuan kursin si një ngjarje shkencore mjaft të rëndësishme, sepse do të shkëmbehen eksperiencat europiane me eksperiencat e marra nga specialistët shqiptarë. Ministrja Godo u propozoi drejtuesve të nxjerrin shërbimet e mangëta apo të munguara në Shqipëri të cilat duhet t’i përballojë Ministria e Shëndetësisë.

26 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›