DASH: Nuk ka kthim pas për Kosovën
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Shon Mekormak, ka përsëritur se Kosova është shtet sovran dhe askush nuk e po e kthen orën pas. Ai iu përgjigj një pyetjeje rreth shqetësimit të shqiptarëve të Kosovës për planin e OKB-së në lidhje me vendosjen e misionit EULEX. Gjatë një konference në Uashington, Mekormak theksoi se Shtetet e Bashkuara po bashkëpunojnë me europianët për vendosjen e misionit. “Po punojmë shumë ngushtë për këtë çështje bashkë me europianët, në kuptimin e shtrirjes së misionit dhe transferimin e kompetencave ndërmjet UNMIK-ut dhe BE-së”,- ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Shon Mekormak. Ndërkaq, pyetjes nëse ndan shqetësimin e shqiptarëve të Kosovës se “plani i korrigjuar i misionit të BE-së, të cilin Brukseli e ka propozuar në OKB, do të rrezikojë sovranitetin e Kosovës, Mekormak ka thënë se “askush nuk e kthen orën prapa” dhe se “Kosova është shtet sovran”.
Shkup, arsimtarët përfundojnë ditën e dytë të grevës
Në Maqedoni, greva e arsimtarëve shënoi dje ditën e dytë. Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës njoftoi se janë vërejtur presione nga ana e Ministrisë së Arsimit ndaj drejtorëve të shkollave. Pardje 95 për qind e institucioneve arsimore ishin në grevë, ndërsa dje sindikatat bënë thirrje që të bashkoheshin edhe shkollat që nuk ishin përfshirë në grevë. Arsimtarët kërkojnë nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive, rritjen e pagës 20 për qind nga rroga mesatare si dhe rritjen e pagës së rrugës sipas harxhimeve reale. Gjithashtu kërkohet rregullimi i statusit të personave që vite të tëra punojnë me kontrata pune me afat caktuar. Të shtunën e kaluar Ministria e Arsimit dhe e Kulturës nuk arritën dot një marrëveshje në negociatat me Sindikatën e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Ministria e Arsimit dhe Shkencës kërkoi që SASHK të shqyrtojë vendimin për grevë, ndërsa për shkollat që do të përfshihen në grevë do të pasojnë masa sanksionuese.
Racistët grekë përleshen me emigrantët
Forcat raciste greke dhe emigrantët u përleshën në Departamentin Shën Panteleimon, afër qendrës së Athinës. Segmentet ultra të djathta të organizatës raciste “Agimi i Artë" shkaktuan trazira, u vunë zjarrin kazanëve të mbeturinave dhe sulmuan emigrantët dhe aktivistë të majtë grekë të mbledhur në një antimiting të programuar. “Një komision qytetarësh kishte drejtuar apel për spastrimin e zonës, kryesisht nga emigrantët afganë dhe kishte përpiluar një tekst tejet racist, që fajësonte emigrantët për kriminalitetin”, - shprehet një manifestues grek, i cili thotë se racistët morën përgjigjen e merituar. Me ndërhyrjen e policisë mundi të evitohej në fakt një shtrirje më e gjerë e episodeve, që edhe me publicitetin që morën në median greke erdhën për t’u kujtuar forcave politike dhe opinionit të gjerë se rreziku i demonizimit dhe inkriminimit të emigrantëve është prezent dhe bile më i madh në kushtet e krizës aktuale. Situata do të ishte ndoshta tjetër edhe në Greqi në qoftë se pjesa dërrmuese e emigracionit, shqiptarët, nuk do të kishin indeks të lartë integrimi.
26 Nentor 2008