E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 70 për qind e familjeve në vend jetojnë në varfëri ekstreme

Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar bën publike shifrat alarmante të varfërisë.

Jonida Tashi

Rreth 45 për qind e familjeve të fshatit dhe mbi 30 për qind e atyre të qytetit në vendin tonë jetojnë në varfëri ekstreme. Kjo krizë është kthyer në depresion shoqëror që te shumë familje shqiptare vazhdon të sjellë dhunë e tragjedi në sy të fëmijëve. Shifrat alarmante për varfërinë dhe pasojat që ajo ka sjellë në shoqërinë shqiptare janë bërë të ditura dje në konferencën kombëtare me temë “Mbi varfërinë si burim i dhunës në familje, vrasjeve, vetëvrasjeve dhe trafikimit të qenieve njerëzore” nga Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar. Sipas drejtuesve të këtij Komiteti, shkaku kryesor i kësaj gjendjeje është mungesa e faktorit politik e shoqëror për zhvillimin ekonomik të vendit.

Shifrat
Kështu, megjithëse lidershipi politik propagandon se niveli i jetesës në vend është rritur, shifrat tregojnë një realitet shumë herë më të zymtë. Përfaqësuesit e Komitetit të Pajtimit Kombëtar në rrethe kanë raportuar gjendjen aktuale të familjes shqiptare, ndëkohë që në shumicën e dyqaneve ushqimore gjenden listat e familjeve debitore. Sipas konstatimit të përfaqësuesve të Komitetit të Pajtimit, gjatë viteve të tranzicionit 11 mijë fëmijë kanë braktisur shkollën dhe punojnë për të ushqyer familjen. Për të njëjtën arsye, 6 mijë fëmijë të tjerë kanë emigruar ose janë trafikuar në vendet perëndimore. Ndërsa numri i grave dhe i vajzave që i nënshtrohen prostitucionit dhe trafikut për të mbijetuar është më i larti në rajon. Ngatërresat e çastit dhe ato për pronën, trafikimi i femrave, divorcet e mbrojtja e nderit, sipas drejtuesit të këtij Komiteti, Gjin Marku, janë shkaqet që vazhdojnë të mbjellin ende fenomenin e vrasjeve për hakmarrje e gjakmarrje. Situata e vështirë ekonomike ka bërë që edhe numri i vetëvrasjeve për këtë arsye të jetë shqetësues. Nga raportimet e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, 15-20 për qind e vetëvrasjeve janë viktima të borxheve.
Rrënimi
Fillimisht rrënimi i ekonomive familjare te shqiptarët, sipas drejtuesve të Komitetit, ka ardhur nga Ligji 7501 për tokën, i miratuar me konsensus parlamentar. Ky ligj, po sipas tyre, ka bllokuar pothuajse të gjithë prodhimin në fshat duke krijuar mosmarrëveshje në më shumë se 70 për qind të familjeve. Veçanërisht këto probleme janë krijuar midis familjeve me lidhje gjaku që banojnë në qytet me ato në fshat, për faktin se ligji nuk u njeh të drejtën e tokës familjeve që kanë zbritur në qytet para vitit 1991. Kryetari i Komitetit të Pajtimit bën të ditur se në këto mosmarrëveshje janë përfshirë rreth 300 mijë tituj pronësie. “Me aplikimin e traditës për ta zgjidhur çështjen në mirëkuptim, brenda vëllazërisë është bërë kompromis brenda ligjit, e pranuar titulli ligjor në mbi 170 mijë familje, por ato janë ngastra të ndara dhe shumica e popullsisë i ka djerrë”, - ka theksuar Gjin Marku në fjalën e mbajtur në konferencë. Sipas këtij të fundit, nga mosmarrëveshjet e palëve për shkak të trashëgimisë së kësaj toke, mbeten në konflikt të hapur në gjykatë rreth 120 mijë çështje. Duke marrë shkas nga situata konkrete në vend, drejtuesit e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar kanë kërkuar nga qeveria dhe institucionet përgjegjëse marrjen e masave konkrete për zbutjen e këtij realiteti. Në të kundërt, këto probleme do të thellohen dhe përhapen edhe më masivisht, gjë që rrezikon të gjitha familjet shqiptare.

Shifrat
45 për qind e familjeve të fshatit dhe mbi 30 për qind e atyre të qytetit në vendin tonë jetojnë në varfëri ekstreme

11 mijë fëmijë gjatë viteve të tranzicionit kanë braktisur shkollën dhe punojnë për të ushqyer familjen

6 mijë fëmijë të tjerë kanë emigruar ose janë trafikuar në vendet
perëndimore

15-20 për qind e vetëvrasjeve janë viktima të borxheve

70 për qind të familjeve në fshat u është bllokuar prodhimi nga Ligji 7501 për tokën

300 mijë tituj pronësie janë përfshirë në mosmarrëveshjet për tokën

120 mijë çështje mbeten në konflikt të hapur në gjykatë për shkak të trashëgimisë së tokës

Studimi, rritet numri i fëmijëve që braktisin shkollën

Numri i fëmijëve që braktisin shkollën po pëson rritje. Sipas një studimi të bërë nga Shoqata Internacionale për Solidaritet (SHIS), braktisja e shkollës referuar dëshmive të drejtuesve të shkollave rezulton të jetë 5 për qind. Ndërkohë kjo shifër rritet në 15 për qind në klasën e pestë, ku kalohet nga sistemi me një mësues në atë me shumë mësues. Ekspertja e SHIS, Bledina Bushi, thekson se një ndër arsyet më kryesore janë problemet ekonomike apo edhe mungesa e prindërve. Studimi është kryer në Tiranë dhe Shkodër. Në Tiranë, braktisja e shkollës lidhet me pamundësinë e përballimit të shpenzimeve dhe keqtrajtimin në shkollë. Ndërsa në Shkodër prindërit vënë theksin në humbjen e besimit te arsimi, por arsye është edhe gjakmarrja dhe angazhimi i fëmijëve në punë.

26 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›