E Diel, 1 Nëntor 2026

Emrat e personave dhe rrethet ku u sekuestruan pasuritë nga komunistët

Arka e shtetit siguroi të ardhura të mëdha nga sekuestrimet e pronave.

Procesi i nisur duket që ka pasur vështirësi në procedimin teknik të tij, pasi mekanizmat e ngritura nuk kishin shpejtësinë e duhur të veprimit. Më 4 tetor 1945, ministri i Financave, Ramadan Çitaku, i drejtohet Komisionit Qendror të Konfiskimit të Pasurive private duke thënë se në buxhetin preventiv, Ministria e Financave parashikonte të ardhura të konsiderueshme nga këto pasuri dhe për këtë kërkonte përshpejtimin e punës (AQSH, F.505, V.1945, D.510, fleta 43). Në këtë numër, gazeta sjell të dhëna për bllokimet dhe sekuestrimet e pasurive në qarkun e Shkodrës, ku u ndëshkuan familjet e Ernest Koliqit, Engjëll Çobës dhe kapedanit të Mirditës, Gjon Marka Gjoni. Po ashtu, përmes të dhënave dhe dokumenteve tregohet edhe inventari i pasurisë që shteti i mori familjes Vrioni, një ndër më të pasurat në të gjithë vendin.
Shkodër
Më 25 tetor 1945, Komiteti Ekzekutiv i Prefekturës së Shkodrës relatonte për pasuritë e Maliq Bushatit, Ernest Koliqit, Gjon Marka Gjonit dhe Engjëll Çobës, të cilat vlerësoheshin të konsiderueshme (AQSH, F.505, V.1945, D.186, fleta 47).
Malli i Maliq Bushatit
Më 22 gusht 1946, komisioni vendor në bazë të Nenit 1 të Dekretligjit Nr. 249, datë 27 maj 1946, u mblodh për konfiskimin e pasurisë së Maliq Bushatit, nga lagjja “28 Nëntori”, duke vendosur: konfiskimin e një shtëpie të lartë ndër 72 pjesë (vetë 14) në lagjen e tij, ndërsa mobiliet i kishte marrë korpusi. Më 8 gusht 1945, për pasurinë e tij u hartua një listë mobiliesh e sendesh shtëpiake, 182 dengje sanë me nga 44 kg secila dhe 776 me grurë si dhe 62 dengje sanë (AQSH, F.505, V.1945, D.186, fleta 277, 43).
Hasan Dosti
Komisioni vendor i Gjirokastrës më 14 nëntor 1946 mori në shqyrtim konfiskimin e pasurisë së Hasan Dostit, mbi bazën e dokumenteve të vendosur qysh më 18 janar 1946. Ara në Kardhiq, Plesat, korie pylli në Kardhiq. Truall 1086.54 metra katrorë në Tiranën e Re (AQSH, F.505, V.1946, D.145, fleta 94).
Izedin Vrioni dhe Qemal Vrioni
Komisioni më 18 nëntor 1946 mori vendimin mbi bazë të vendimit të gjykatës speciale mbi konfiskimin e pasurive të të përmendurve. Më 7 qershor 1946, Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të Nënprefekturës Fier kishte sekuestruar pasuritë e atjeshme të dy personave. I gjithë kapitali i fabrikës së miellit “Myzeqeja” në Fier në të cilën Qemal Vrioni ka derdhur 42 mijë franga shqiptare me gjithë aksione për një shumë prej 20 mijë frangash shqiptare. E mbesa e Qemalit, Mediha Libohova, është ankuar se një shtëpi në Durrës ishte blerë nga ajo Qemalit më 1940, ndërsa Avroviti Naço kërkonte 10 mijë franga për llogari të vëllait të saj të vdekur Kristaq Napo, i cili kishte mbrojtur Qemal Vrionin. Konstatohej se Izedin Vrioni nuk ishte dënuar prej gjykatës me konfiskim të pasurisë dhe duhej urdhëruar ngritja e sekuestros së bërë mbi pasurinë e tij. Ndërsa ajo e Qemal Vrionit nuk kishte asnjë pengesë për t’iu konfiskuar. Konsiderohej shitje fiktive edhe ajo e Medihasë; si dhe shtëpia dhe trualli në rrethin e Durrësit. Qemal Vrioni i ka dhënë italianit Guabandilla një shtëpi në Komo dhe ka marrë prej tij shtëpinë në Durrës, të cilën ia ka shitur Medihasë, e cila është regjistruar më 12 gusht 1944. Për këtë ishte vendosur ngritja e sekuestros mbi vendimin e 7 qershorit 1945 të Komitetit Ekzekutiv të Nënprefekturës Fier, mbi gjysmën e pasurisë që i takonte Izedin Vrionit. Po ashtu, konfiskoheshin të gjitha pronat e para vitit 1940 të Qemal Vrionit. Lista ndahet në 18 zëra (2 shtëpi, njëra e haremit dhe të tjerat dyqane), 300 m2 në Durrës, pallat në Durrës (AQSH, F.505, V.1946, D.142, fleta 224-244).
Më pas tregohen edhe pasuritë e tjera; 62 dyqane, 2 magazina, 1 furrë, 1 shtëpi, 1 han, qindra troje në Fier, mbi 1 mijë dynym çiflig, kullota etj, në Mbrostar mbi 1500 dynym tokë punimi në Koxharë, 2500 dynym pyje kullotë, 2000 tokë çajre, 650 dynym tokë e punuar në Mbyetm etj
Aqif Përmeti
Aqif Përmeti kishte familjen e tij të përbërë prej tre vetash. Astriti i biri dhe Shqipja e bija. Më 20 nëntor 1946, komisioni vendor konfiskoi 2 toka në Selishtë të Tiranës së Re prej 1100 m2, 2/3 e 1 shtëpie në Tiranën e Re, 6 dhoma 1 kuzhinë (AQSH, F.505, V.1946, D.144, fleta 73).

Urdhri i brendshëm në vitin 1946: “Të konfiskohen pasuritë e kundërshtarëve!”

Procesi i sekuestrimeve të pasurive u duk qartë se ishte një proces politik për të ndëshkuar kundërshtarët. Udhëzimi i 17 majit 1946, i firmosur nga ministri i Drejtësisë, Manol Konomi, që iu dërgua në formën e qarkores komiteteve ekzekutive, thotë se “ligji” i 15 dhjetorit 1944 mbi konfiskimet kishte karakter gjenerik dhe përfshinte si ato të arratisur para hyrjes në fuqi dhe ato pas hyrjes në fuqi të ligjit dhe ata që nuk ishin larg po që mbanin qëndrim armiqësor ndaj pushtetit të ri për arsye politike. Kjo do të thoshte se ky proces në të vërtetë hartohej kundër kundërshtarëve politikë dhe jo vetëm ndaj atyre, të cilët, dashje pa dashje, kishin një lidhje me periudhën e Luftës së Dytë Botërore.
Ministri Konomi kërkonte që për personat e larguar dhe që nuk ishin kundër regjimit të merrej mendimi i Ministrisë së Drejtësisë (AQSH, F.505, V.1946, D.142, fleta 16). Kjo qarkore më 6 gusht 1946 u bëhet e njohur prefekturave edhe nga Ministria e Financave, por duke shtuar edhe shpejtimin e veprimeve të personave të arratisur “si partizanë despotikë të Zogut e të tjerëve që janë larg Shqipërisë, por që para ose pas 7 prillit 1939 mbajnë qëndrim armiqësor”. (AQSH, F.505, V.1946, D.142, fleta 97).
Në një raport justifikues të Ministrisë së Financave mbi krijimin e komisioneve vendore thuhej se kishte konfuzion në administrim dhe duheshin edhe disa vjet të mbaronte kjo punë, duke kërkuar shikimin e Ligjit Nr.40, të 14 janarit 1945, që të parashikonin krijimin e komisioneve vendore me proregativat e Komisionit Qendror (AQSH, F.489, V.1946, D.41, fleta 9).
Më 27 maj 1946, PKP nxorri dekretin “Mbi krijimin e komisioneve vendore për konfiskimin e pasurive në bazë të Ligjit Nr.40, ku parashikohej që përveç komisionit qendror mund të krijonte komisione vendore në prefektura. Ligji 30 gusht 1946 (AQSH, F.489, V.1946, D.145, fleta 1).
Më 24 korrik 1946, Prokuroria e Përgjithshme kërkonte nga Ministria e Financave zbatimin e ligjit nga komitetet ekzekutive mbi sekuestrot e konfiskimet e mallrave pasi vihej në dukje se seksionet e financës po shisnin e po shpërdoronin sendet e luajtshme (AQSH, F.505, V.1946, D.142, fleta 12).
Më 18 shtator 1946 iu dërgua një qarkore komiteteve ekzekutive të prefekturave me anën e së cilës kërkohej përmbajtja ndaj dispozitave ligjore (po aty, fleta 20).
Më 5 gusht 1946, Ramadan Çitaku u dërgoi qarkore komiteteve ekzekutive duke thënë se për çdo gjë kërkonte të dhëna të sakta (fleta 14).

Në numrin e ardhshëm do të lexoni
Emrat e zyrtarëve zogistë, të cilëve iu sekuestruan pronat

Skema se si iu nënshtruan ligjit të kontrollit dhe bllokimit të pronave të gjithë ish-drejtuesit e lartë të mbretërisë së Ahmet Zogut

Mes të ndëshkuarve edhe Bahri Omari, kunati i kryeministrit Enver Hoxha
Pronat që u morën në Rrethin e Tiranës dhe të Gjirokastrës

Shtrirja e procesit në disa rrethe të ndryshme të vendit dhe mënyra se si iu hoq e drejta mbi pasuritë të gjithë zyrtarëve ish-zogistë

26 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›