Bredhi i Krishtlindjeve pengon Phenianin!

Koreja e Veriut, një vend ateist, është kërcënuar se nuk do lejojë që një pemë gjigante Krishtlindjesh pranë kufirit të ndezë dritat për festë.
Koreja e Jugut ka planifikuar të ndriçojë një kullë në formë peme, që është vetëm 3 kilometra larg kufirit. Ajo është 30 metra e lartë dhe do ndriçohet me 100 mijë drita.
Koreja e Veriut thotë se një veprim i tillë do ketë pasoja të papritura. Komunistët e shohin këtë si një akt propagande, për shkak se dritat do shihen me sy të lirë nga qyteti Kaesong.
Në të vërtetë ky është viti i dytë që dritat ndizen. Edhe vitin e shkuar Koreja e Veriut tha se do qëllojë me artileri mbi kullë, por asgjë nuk ndodhi.
Megjithatë, këtë vit Veriu ka shtuar paralajmërimet. Mediat thonë se Koreja e Veriut druhet se tani ndikimi i pemës do jetë më i madh, për shkak se gjendja në vendin komunist ka ardhur duke u bërë më e mjerueshme.